Kulturë

Parfumet luksoze “Ilir” e “Shqipëria ime”

Aroma të marra nga malet rreth Republikës Dominikane, të përziera me ato nga druri që rritet në Azi, janë vetëm dy prej elementeve që veçojnë parfumin që mban emrin “Ilir”. E ai nuk është çfarëdo parfumi. Përveç emrit, ai është edhe produkt i një brendi me pronar shqiptar, shkruan Koha Ditore.

Bëhet fjalë për parfumin e parë të krijuar nga një çift që jeton në Itali: Jola Hasimi e Nertil Boraj. Të dy kanë brendin tashmë të njohur që mbanë emrin “JH”. Në treg kanë parfumet të cilët kanë hyrë në mesin e më të shtrenjtëve në botë. Por kjo nuk është e vetmja gjë që i bën të veçantë. Njëri prej tyre quhet “Shqipëria ime”, i cili njëherësh është produkti i tyre i parë në treg.

Ky parfum përveç emrit dhe shishes që është kuqezi dhe stampës në kuti që ka poezinë “O Atdhe”, edhe përbërësit janë të marrë nga malet e Shqipërisë. Brendi “JH” krahas parfumeve të shtrenjta ka edhe koleksion me rripa, kuleta, këpucë dhe çanta me lëkurë krokodili. Çantat e tilla mbajnë emrin “Teuta”, që i atribuohet Mbretëreshës Teutë. Çmimet e produkteve të “JH” arrijnë deri në 16 mijë euro. Suksesi që “JH” ka arritur për dy vjetët e fundit është shumë i madh. “Ilir” është përzgjedhur në mesin e 10 parfumeve më të shtrenjta në botë, duke e lënë prapa me çmim parfumin “Shqipëria ime”, por jo edhe me pamjen luksoze që ka.

Kjo ka bërë që “Ilir” të hyjë në një listë të ngushtë për çmimin “Oscar Fragrance Award 2018”. Tani ky parfum rangohet i shtati në listë dhe në rast se arrin që të jetë në top 5-she, atëherë automatikisht nominohet për “Oscar…”.

Një mijë prova për aromë shqiptare

Dy vjet më parë kur disenjatorja Jola Hasimi me bashkëshortin e saj Nertil Boraj kishin vendosur që parfumit të tyre të parë - njëherësh të parit shqiptar që arriti të futej në tregun ndërkombëtar - t’ia lënë emrin “Shqipëria ime”, kishin hasur në kundërshtime. Miq dhe bashkëpunëtorë të afërm do t’i propozonin që t’ia linin një emër tjetër për shkak të vështirësisë në shqiptim për tregun ndërkombëtar. Por me këmbëngulje kishin vendosur që ta quanin “Shqipëria ime”. Ata madje kishin krijuar një ide të qartë edhe se si do ta prezantonin. Duke qenë se prej disa vjetësh tashmë jetojnë në Itali, lidhja e tyre me vendlindjen është e fortë. Këtë e dëshmuan jo vetëm me produktin e parë, por edhe me ato në vazhdim... (Më gjerësisht lexoni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)