Është një lloj ecjeje midis dy kohëve, ajo që ofron ekspozita “Paralel” e Eliza Hoxhës. Imazhe që dokumentojnë momente historike të historisë së shqiptarëve të Kosovës vijnë në fotografi formatesh të mëdha, që në një formë ani pse nga një kohë e shkuar, bëhen pjesë e së tashmes. Pos asaj që dokumentojnë, prapa tyre ka rrëfime e kapituj historie. Por zbërthimin në “Paralel”, Hoxha s’e bën vetëm me foto, ndërkaq edhe hapja e ekspozitës në terr bëhet pjesë e ekspozitës në Galerinë Kombëtare
Vizitorët e parë të ekspozitës “Paralel” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistja Eliza Hoxha i ka pritur me dritë të telefonit. Kjo për shkak të mungesës së energjisë elektrike në rrugën “Agim Ramadani”. Megjithatë, vizitorët e parë ia kanë mësyrë ekspozitës me të njëjtën mënyrë, duke i ndriçuar punimet me dritë të telefonit. Dhjetë minuta më vonë, ekspozitës i është kthyer ndriçimi. Në pah kanë dalë akoma më fotografitë e realizuara tri dekada më herët nga Eliza Hoxha. Kjo përvojë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, publicistin Shkëlzen Maliqi e ka kthyer pikërisht në vitet ’90, me të cilat asocion ekspozita e që e bëjnë Elizën dëshmitare të shumëfishtë të asaj kohe.
“Ky terri që na priti këtu ma kujtoj se si plakat tona në shekullin e kaluar në luftërat e dikurshme thoshin: ‘Na hyri Serbia e parë, Serbia e dytë’”, ka thënë në fjalën e tij Maliqi.
“Paralel” është titulli i ekspozitës që mbërthen shkurt mbijetesën, rezistencën, qëndresën e përpjekjen për liri e jetë më të mirë të shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90. Kati i parë i ekspozitës është i fokusuar në dokumentimin e realitetit të asaj kohe. Pjesa tjetër është ballafaqim me të, por edhe zbërthim i lirisë kolektive e personal të artistes. Protestat me mbishkrime të ndryshme dëshmojnë anën e rezistencës. Veçmas është i dokumentuar aktivizimi i grave që protestonin me bukë në duar. Kjo dëshmon rrugëtimin e Eliza Hoxhës kur si e re punonte për të përjavshmen “Zëri” derisa ishte edhe vetë pjesë e sistemit paralel të edukimit dhe protestave.
“Faleminderit për durimin që të rrimë në terr bashkë që të bëjmë dritë mandej”, ka thënë Hoxha para të pranishmëve në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, të mërkurën mbrëma. I është kthyer punës së saj si fotografe dhe kontributit që synon të jepte asokohe.
“Mendoj që jemi njëfarë gjenerate me shumë sfida, sepse kemi përjetuar gjëra të jashtëzakonshme. Ekspozita është njëfarë përthekimi i përvojave personale. Atëkohë mendoja edhe unë që mund të bëja diçka me aparat në dorë, teksa të tjerët ishin me pushkë në dorë e disa në procese të caktuara”, ka thënë ajo para të pranishmëve në ekspozitën që përmbledh veprat e saj ndër vite. Secila dhomë në dy katet e GKK-së është një labirint në temat që Eliza s’mund të rrijë pa reaguar artistikisht.
Artistja shumëdimensionale gjatë ekspozitës ka treguar se gjatë kohës së luftës kur ishte zhvendosur për në Maqedoni si refugjate, me vete kishte insistuar që në mesin e pak gjërave t’i kishte edhe negativët e aparateve fotografike. Për 15 vjet pas nuk u ishte kthyer fotografive që kanë zënë gjithë katin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Besonte më shumë në të ardhmen.
“Shumica e filmave kanë mbetur në javoren politike ‘Zëri’ dhe një pjesë kanë mbetur në shtëpi tek unë dhe kur kemi qenë refugjatë për në Maqedoni, ndoshta plot rroba kam lënë, por e kam marrë qesen e filmave të negativave me vete”, ka shpjeguar artistja Eliza Hoxha, deputete në Kuvendin e Kosovës.

Në mesin e vizitorëve të parë që e kanë gjetur ekspozitën pa dritë ka qenë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Sipas tij, ekspozita është një reflektim e përballje me të kaluarën, por që e ka shtyrë atë edhe drejt adresimit të problemit me energjinë elektrike.
“Kjo ekspozitë i ndihmon gjithë komunitetit që nëpërmjet memories së fotografive t’i tejkalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme traumat që i kemi përjetuar. Problemi i energjisë është shumë i madh dhe duhet të marrim masa si në nivelin qendror dhe në atë lokal. Unë menjëherë u interesova për të pyetur se ku është problemi dhe më treguan se akoma nuk ekziston një marrëveshje me nivelin qendror për blerjen e energjisë dhe për këtë arsye ka ndalesa. Duhet të marrim të gjitha masat që ta parandalojmë këtë”, ka thënë Rama për KOHËN.
Të dy katet e Galerisë Kombëtare të Kosovës të mbushura me veprat artistike të Eliza Hoxhës e shpërfaqin punën e saj në mediume të ndryshme. Ajo me vizitorët e Galerisë Kombëtare komunikon përmes arkitekturës, muzikës e fotografisë. Sipas Hoxhës, kjo edhe e shpërfaq lirinë në dy rrafshe. Aty përmblidhet edhe liria e saj për t’u prezantuar si artiste pa vija ndarëse.
Në “Paralel” gjen vend edhe një pjesë e “Qyteti është kudo”, me të cilën Hoxha përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, më 2018, e ku eksploron sistemin paralel, veçmas atë arsimor. Në oborr janë rikthyer edhe satelitët, të cilët Hoxha i shndërron në një lloj shenje të lirisë së shqiptarëve në kohë të zymta, kur sateliti për kanalet e huaja televizive ishte një lloj ikjeje prej realitetit e dritare me botën.
Me këngën “Për ata që s’janë”, ajo një pjesë të ekspozitës ua dedikon 1,622 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Pjesë e ekspozitës është edhe foto rrobash të trupave të parë të gjetur në varrezat masive në Batajnicë dhe Petrovo Selo në Serbi.
Për piktorin Eshref Qahili kjo ekspozitë është një kthim tri dekada pas, që në të njëjtën kohë po ia kthen edhe emocionet.
“Unë gjithmonë them se arti duhet ta shënojë kohën dhe në këtë rast po bindem që punët e Eliza Hoxhës janë ato që e kanë shënuar një kohë të caktuar, një kohë të cilën ne e kemi përjetuar. Po më kthen në vitet ’89 dhe ‘90, kur i gjithë populli ishte në përkrahje të UÇK-së, kur po i shoh këto fotografi thjesht po kam pak emocion”, ka thënë Qahili për KOHËN.
Ekspozitën “Paralel”, artistja Eliza Hoxha megjithatë e ka vlerësuar si një rrugëtim personal të ‘90-ve dhe një reflektim e interpretim i pasojave të luftës. Si e tillë ekspozita vjen edhe si një përafrim me gjeneratat e reja të pasluftës. “Paralel” do të qëndrojë e hapur deri më 22 janar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
