Shfaqja e filmit “Pa vend” në Köln, e rikthen protagonistin e këtij filmi, Jeton Mazreku, pikërisht aty ku këtu në vitet ‘90 punonte si bojaxhi. “Duke kaluar nëpër Köln, e pashë edhe një lokal në lyerjen e të cilit kam punuar ndoshta para njëzet e shtatë vjetësh”, ka thënë Mazreku nëpërmjet një bisede telefonike, të premten një ditë para shfaqjes së filmit në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Köln që i paraprin edhe diskutimi i tij me publikun. “Disa nga miqtë e mi dhe pronari i shtëpisë ku kam banuar janë gjithashtu të ftuar në shfaqjen e filmit”, ka thënë ai. “Vendimin” që prezantimin e radhës ta bëjë Mazreku e ka marrë regjisori Samir Karahoda. Pra këtë herë kthimi i tij në Köln nuk është si punëtor, por si personazh i një filmi i cili rrëfen më së miri se çka ka bërë ai pas kthimit nga Gjermania në Kosovë”, ka thënë ai
“Pa vend” ka kohë që ka shtegtuar e triumfuar në alamet festivalesh, prej premierës botërore në korrikun e vjetëm në Festivalin e Filmit në Cannes, por ka diçka të veçantë shfaqja e radhës në Gjermani.
Jeton Mazrekun, protagonistin kryesor të filmit docu-fiction të Samir Karahodës, e rikthen pas gati një çerekshekulli, tash si aktor, në vendin ku dikur punonte bojaxhi. Mazreku në fund të ‘99-s, do ta linte Gjermaninë për Kosovën, aty ku gjëlliu pasioni i tij për pingpongun, u bë i zoti si sportist, por që në mungesë kushtesh për të e shokët e tij, e braktisi.
Historia e tij është pak e shumë është rrëfimi i “Pa vend”, i cili edhe në realitet ende është aktual: për klubin si “Lidhja e Prizrenit” as tash nuk kushte. Me ëndrra të mëdha Mazreku si i ri e braktisi Kölnin. Të premten ka mbërritur aty, një ditë para shfaqjes së filmit të cilit do t’i paraprijë diskutimi i tij me publikun.
“Me profesion jam bojaxhi dhe këtë e shfaqi edhe në film. Ky është edhe profesioni të cilin e kam mësuar këtu në Gjermani në vitet ‘90. Nga Kosova kam ikur në fund të 91-tës. Në Gjermani kam jetuar deri në fund të 99-tës, pikërisht 30 kilometra afër Kölnit”, ka rrëfyer të premten Mazreku në një bisedë telefonike për KOHËN. Emocionet i dallohen edhe në zë. Të qenit në Köln i kthen edhe të tjera kujtime.
“Duke kaluar nëpër Köln e pashë edhe një lokal në lyerjen e të cilin kam punuar ndoshta para njëzet e shtatë vjetësh”, ka rrëfyer Mazreku. Qesh kur tregon detaje si këto. Në esencë jeta e tij ka ndryshuar, por jo aq sa të pretendojë se është i famshëm. Në film është një kapitull i jetës së tij dhe shokëve të tij pingpongistë. Kushtet për të rinjtë që ia mësyjnë këtij sporti dhe jo vetëm, janë njësoj.
Edhe
Festivali i Filmit Frankofon me “Pa vend” hapet për sport në kinema
“Pa vend” sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, duke rikrijuar historinë e protagonistëve nga paslufta në kontekstin e situatës së sotme. Filmi i zhanrit docu-fiction përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut e Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve.
Vetë regjisori i filmit, Samir Karahoda është shprehur se Jetoni ishte personi më i duhur për ta prezantuar filmin “Pa vend” në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Köln.
“Kam menduar që në këtë festival më së shumti do të kishte kuptim që Jetoni ta prezantonte filmin tonë pasi që është vendi ku ai i ka kaluar shtatë vjet, me sa më kujtohet. Pra këtë herë kthimi i tij në Köln nuk është si punëtor por si personazh i një filmi i cili rrëfen më së miri se çka ka bërë ai pas kthimit nga Gjermania në Kosovë”, është shprehur Karahoda.
Karahoda, ka treguar se si Mazreku mik i tij vjetër, ishte tejet i emocionuar që po udhëtonte për në Köln edhe për faktin që kësaj here do t’i takonte miqtë e kolegët e tij në një formë tjetër.
Pjesëmarrja nëpër festivale me “Pa vend” nuk është më risi për Mazrekun. “goEast Film Festival” në Wiesbaden e “Short Film Festival” në Bruksel, janë disa prej ngjarjeve ku ai ka shkuar me “Pa vend”.
“Disa nga miqtë e mi dhe pronari i shtëpisë ku kam banuar janë gjithashtu të ftuar në shfaqjen e filmit. Normalisht secili festival po është ndryshe-ndryshe, por ky është pak më emocional për mua”, ka thënë Mazreku.
Përveç historisë së klubit të pingpongut, “Lidhja e Prizrenit”, filmi “Pa vend” në të vërtetë paraqet edhe përfundimin e karrierës së Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazi. Në pjesën e fundit të filmit, aty ku ekipi shihet duke ushtruar në një qendër sportive në tribuna, aty është në të vërtetë edhe momenti ku këta dy lojtarë, për shkak të kushteve tejet të vështira, hoqën dorë nga pingpongu. Megjithatë, as kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme për ta bindur Jeton Mazrekun të kthehet edhe njëherë për të jetuar në Gjermani. Madje tash në Gjermani ai do të qëndrojë vetëm tri ditë.
Edhe
“Pa vend” dhe “Vera andrron detin” me kapitull të ri në Festivalin e Hong-Kongut
“Të hënën do të kthehem me mëngjes. Madje miqtë e mi këtu po më thonë: ‘Pse nuk ke ardhur më datën 15 kur ka filluar festivali, por është shumë gjatë që gjashtë, shtatë ditë ta lë familjen vetëm dhe punën në Kosovë”, ka thënë Mazreku, i cili vazhdimisht e potencon se nuk është aktor.
“Në film thjesht e kemi luajtur veten. Në fillim ka qenë edhe e vështirë ta pranoj rolin. Kur Samiri më ka thënë që unë do ta bëj një film dhe ju do të aktroni, unë kam thënë që jo nuk mundem. Unë mund ta tregoj të gjithë ngjarjen, por nuk mund të aktroj”, ka kujtuar ai.
Por problemi se pse Mazreku kishte hezituar të ishte pjesë e filmi nuk lidhet me faktin se ai nuk dinte të aktronte. Problemi ishte krejt diku tjetër.
“Para se të zhvillohej filmi unë kam pasur dhjetë vjet prej kur nuk kisha luajtur pingpong. Dhe kur kam luajtur në film unë tashmë nuk isha në formën që kam qenë para dhjetë vjetësh kur luaja rregullisht pingpong. Së pari kisha dyshime se si do të dukesha si sportist e jo si aktor”, ka shpjeguar ai.
Megjithatë, realizimi i filmit për Mazrekun ka edhe peshë tjetër.
“Po dalëngadalë kemi arritur këtu kur jemi. Por unë thjesht e kam luajtur vetën. Për sa i përket aktrimit këtu nuk ka të bëjë asgjë me aktrim. Kjo është diçka që të bën të ndihesh i kompletuar me të kaluarën tënde për faktin që mundin që e kemi bërë atëherë nuk ka shkuar në harresë”, ka thënë ai.
Edhe
Samir Karahoda prej rrugës për në Aeroport në filmin e portretit të vendit
Festivali i Filmit të Shkurtër në Köln është themeluar në vitin 2006 dhe mbahet përherë në muajin nëntor. Qëllimi i festivalit është gara gjermane ndërsa përveç tri çmimeve të jurisë, ndahet edhe çmimi i publikut.
Filmat e metrazhit të shkurtër të vendeve të tjera ndërkombëtare jepet si pjesë e një programi special. Në bashkëpunim me “KinoKosova” këtë vit Festivali i Filmave të Shkurtër në Köln ka në fokus filmat shqiptarë. Në kuadër të kësaj, do të shfaqen edhe filmat “Ajo”, “Gardhi”, “Një muaj” dokumentari “Ferdonija” e të tjerë.