Kulturë

“Pa Vend” drejt një festivali tjetër prestigjioz

I njohur si festivali më i madh publik i filmit në botë, “TIFF” që mbahet në Toronto të Kanadasë, është gati të rikthejë në jetë përvojën kinematografike dhe të vazhdojë reputacionin e tij si një udhëheqës në përforcimin e zërave të filmit e lajmëtar i projekteve kinematografike më të mira nga e gjithë bota. Në programin e filmave të shkurtër “Short-Cuts” ka përfshirë edhe filmin kosovar “Pa Vend”

“Jemi duke e sjellë botën te ju”, është mbishkrimi i “Toronto International Film Festival” në artikullin ku ka bërë të ditur filmat e edicionit të sivjetmë. Midis tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa Vend”, nën regji të Samir Karahodës. Festivali do të mbahet nga 9 deri më 18 shtator në formatin hibrid. Për edicionin e tij të 46-t Festivali gjatë 10 ditëve do të sjellë kineastë nga Kanadaja, por edhe e gjithë bota me mbi 100 filma që janë pjesë e seleksionimit zyrtar e paralelisht me këtë do të mbahen edhe ngjarje të tjera.

“Pa Vend” bëhet pjesë e këtij festivali me nam në botën e filmit pas premierës që pati më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, ku u nominua nga Festivali për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021, lajmit se do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe premierës kombëtare në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

I njohur si festivali më i madh publik i filmit në botë, “TIFF”, që mbahet në Toronto të Kanadasë, është gati të rikthejë në jetë përvojën kinematografike dhe të vazhdojë reputacionin e tij si një udhëheqës në përforcimin e zërave të filmit e lajmëtar i projekteve kinematografike më të mira nga e gjithë bota.

Drejtoresha ekzekutive e “TIFF”, Joana Vicente, ka thënë se janë shumë krenarë për kalibrin e filmave dhe larminë e tregimeve që do të prezantojnë këtë vit.

“Është kaq e jashtëzakonshme të jesh në gjendje t'i ndash këta filma në kinema me pjesëmarrësit e Festivalit. Dhe ndërsa bota po shkon përfundimisht drejt një shkalle normaliteti, shumë nga kolegët tanë të industrisë dhe shtypit mund të mos jenë në gjendje të udhëtojnë përtej kufijve ndërkombëtarë. Si përgjigje ne kemi sjellë përsëri platformën TIFF Digital Cinema Pro”, ka thënë Vincente, duke shtuar se kjo bën që pavarësisht se ku ndodhen njerëzit të mund të bëhen pjesë e Festivalit. Pjesë e këtij Festivali do të jetë edhe regjisorja kosovare Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës”. Ajo do të konkurrojë në programin “Contemporary World Cinema”.

Në anën tjetër, filmi “Pa Vend” do të konkurrojë në programin e filmave të shkurtër “Short-Cuts”, i cili përmban gjithsej 38 filma që vijnë nga 23 shtete. Më 7 gusht në kuadër të “DokuFestit” edhe publiku vendas pati mundësinë që të shohë rrëfimin që ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pinpongut “Lidhja e Prizrenit” duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

“Kurrë nuk do të kisha imagjinuar një fillim kaq të mirë për filmin tonë. Një fillim me një ndër dy festivalet me të rëndësishme në botë. Kjo veç e dëshmon që rrugëtimi i filmit do të jetë i gjatë dhe mjaft interesant”, ka thënë Karahoda. Ai bëri histori pasi që “Pa Vend” u bë i pari film nga Kosova që ia bëri sefte në garën e Festivalit të njohur Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.

Në realizimin e filmi Karahoda ishte treguar realist, por i kujdesshëm. Madje, sipas tij, ka kursyer shikuesit nga situata edhe më të vështira, që shfaqin një imazh jo fort të mirë të vendit.

“Ky tregim që e keni parë është 100 për qind i vërtetë dhe është punuar me kujdes. Ka gjëra edhe më të rënda që nuk janë në film. Për shkak të imazhit të vendit nuk kam dashur t’i publikoj ato”, pati thënë regjisori Samir Karahoda në premierën e filmit në “DokuFest”. Duke marrë si shembull dy medaljet olimpike të marra së fundi nga xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ai kishte folur edhe për korrupsionin.

“Shumë shpejt i kemi marrë dy medalje të arta. Po du me tregu që shpirti na ka dhimbtë derisa e kemi xhiruar filmin, kur i kemi pa kushtet. Mos të ishin vjedhur para, me siguri nja 300 salla do t’i kishim e nja 12 medalje”, kishte thënë ai, duke shtuar se këtë film ua dedikon të gjithë talenteve në Kosovë.

Në anën tjetër, po atë natë, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, bëri të ditur se sportistëve së shpejti do t’u bëhet një shtëpi. “’Pa vend’ tashmë do të bëhet me vend”, pati thënë ai, duke treguar se projekti për t’ua bërë një sallë adekuate pingpongistëve është në procedura të prokurimit.

Filmi “Pa Vend” është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës e Komuna e Prizrenit, në kooproduksion me televizionin kulturor ARTE dhe mbështetur me logjistikë nga “DokuFesti”.

Ata që nuk kanë mundur ta përcillnin premierën e filmit “Docu-fiction” të shtunën e kaluar, akoma e kanë një mundësi. “Pa Vend” do të shfaqet të premten më 13 gusht, prej orës 22:00, në kinemanë “Lumbardhi”, si pjesë e programit “Special screenings” të “DokuFestit”.