Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Pa Vend” përzgjidhet në “Sundance”

Tjetër sukses i madh e ka përcjellë filmin “Pa Vend” nën regji të Samir Karahodës. Pas shumë triumfeve e vlerësimeve në arenën ndërkombëtare, filmi është pranuar në programin garues të filmave dokumentarë të shkurtër të festivalit më të madh të filmit në SHBA, “Sundance”.

Tani filmi ka arritur të përzgjidhet në tri nga pesë festivalet më të rëndësishme në botë dhe ka arritur të fitojë shtatë çmime në festivale brenda vetëm pesë muajve.

Suksesi i madh ishin edhe garimi në Festivalin e Filmit në Cannes, të Torontos, sikurse edhe nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, që njihet si “Oscar” evropian.

Gjithçka filloi nga një përpjekje për të treguar rrëfimin e një grupi entuziastësh që me çdo kusht donin ta mbanin gjallë sportin e pingpongut në Kosovë. Ky rrëfim i tyre e inspiroi regjisorin Samir Karahoda që ta trajtojë këtë temë nëpërmjet filmit duke i angazhuar protagonistët e njëjtë të rikrijojnë skenat ashtu siç kanë ndodhur në vitet e pasluftës.

Të shtunën, në Berlin, në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve filmi “Pa Vend” do ta përfaqësojë Kosovën në EFA.

Pas premierës botërore filmi e filloi një rrugëtim shumë intensiv nëpër festivale prestigjioze të filmit, duke kulmuar me çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë “Toronto International Film Festival”. Me këtë çmim, “Pa Vend” zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”.

https://www.koha.net/kulture/294157/pa-vend-me-sfidat-e-talenteve-te-rinj-nominohet-per-oscarin-evropian/

Artikuj të ngjashëm