Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar shkrimtarit shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, Dekretin nëpërmjet të të cilit i është dhënë edhe shtetësia e Kosovës. Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, presidentja Osmani të martën ka takuar shkrimtarin Kadare.
“Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun”, ka shkruar Osmani në Facebook, pasi ia ka dorëzuar Dekretin Kadaresë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVendimin për t’ia dhënë shtetësinë e Kosovës presidentja Osmani e kishte marrë dy muaj pasi e kishte dekoruar shkrimtarin me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hasan Prishtina”. Në ditën e parë të gushtit të sivjetmë presidentja Osmani kishte nënshkruar Dekretin.
Siç kishte thënë ajo asokohe, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Kadare, është nderim për shtetin e Kosovës, për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, citohej të kishte thënë presidentja Osmani, sipas komunikatës së Presidencës.
Shkrimtari i lindur në Gjirokastër më 1936 për disa ditë ka qenë mysafir i edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Të martën e 6 qershorit si mysafir special kishte marrë pjesë në hapjen e Panairit, përderisa një ditë më vonë ishte mysafir i presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, dhe i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Gjatë qëndrimit në Presidencë për t’u dekoruar me urdhrin më të lartë shtetëror “Hasan Prishtina”, Kadare kishte folur për historinë e popullit shqiptar e qytetërimin që këto anë gëzojnë sot. Qytetërimin evropian e ka promovuar gjithmonë. Më 1990 kishte kërkuar azil politik në Francë në mënyrë që të mos kthehej në shtetin komunist shqiptar, ku kishte jetuar qysh prej lindjes. Edhe në prani të udhëheqësve institucionalë ka folur për qytetërimin evropian. Sipas Kadaresë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë dhe të të bëjë bashkëvajtjes i të drejtave të tij, të lirive të tij, sidomos kur ky popull e ka një histori të vështirë.
“Për fat të keq Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja të jashtme. Por, për fat të mirë gjithashtu, ajo i ka kapërcyer gjatë shekujve në mënyra të ndryshme. I ka kapërcyer vështirësitë e retë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta provojë një popull”, kishte thënë shkrimtari i madh. Nderimin e tij dhe mbledhjen në Presidencë i kishte përshkruar si triumf.
“Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë, nga të gjitha zonat e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli. Me një fjalë, është një triumf për qytetërimin njerëzor e universal për të gjithë popujt ku jetojnë”, kishte thënë ai.
Pas kësaj pritjeje e dekorimit, Kadare bashkë me ekipin e tij përcjellës, i shoqëruar nga bashkëshortja Helena Kadare, ishte zhvendosur në kabinetin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I pari i kryeqytetit ia kishte dhënë Kadaresë “Çelësin e Qytetit”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia kishte bërë me dije se një bibliotekë e qytetit do ta ketë emrin e tij. Një ditë më pas ishte mysafir i Komunës së Fushë-Kosovës, ku u shpall “Qytetar Nderi”.
Çmimi “Letërsia Shqipe” i ishte ndarë më 2017. Në anën tjetër, Kadareja u nderua edhe nga Ferizaj me çmimin “Finesa”, përderisa sheshi afër Teatrit të Qytetit mori emrin e tij. Më 2009, Kadare me “Darka e gabuar” mori në Prishtinë shpërblimin për letërsi “Rexhai Surroi”. E lidhjen me Panairin e Librit e ka qysh prej zanafillës së ngjarjes. Ai kishte qenë i ftuar edhe në nëntorin e vitit 1999, në edicionin e parë bashkë me të ndjerin Dritëro Agolli.