Zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, ka sqaruar se përfshirja vetëm e sportistëve, balerinëve dhe valltarëve për këtë vit, në “Fondin për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve” nga Qeveria e Kosovës, është bërë për shkak të kërkesave të shumta të grumbulluara ndër vite nga këto kategori sportive dhe artistike, për ndihmë financiare për shërim apo rikuperim, si pasojë e lëndimit në punë.
Në “60 Minuta” të KTV-së, Osmani ka thënë se deri më tani, në Ministri asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë të tillë nga komuniteti i aktorëve, të cilët janë ankuar për mospërfshirje në Fond.
“Koncepti ka qenë fillimisht i bërë vetëm për sportistët. Duke konsideruar se në Departamentin e Kulturës janë mbledhur numër i madh i kërkesave nga departamentet e tjera në këtë aspekt, si nga baleti dhe vallëzimi, i kemi përfshirë edhe ato. Për këtë vit i kemi përfshirë ato kërkesa që i kemi pasur në Ministri. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë, shkresë specifike nga komuniteti i aktorëve për një gjë të tillë. Dua të potencojë, që ky fond ka të bëjë me pjesën, komunitetin e sportit dhe kulturës të cilët janë performues direkt të një koncepti në balet ose në vallëzim”, ka theksuar Osmani.
Sipas saj, buxheti parasheh përveç shërimit të lëndimit- që nënkupton ndërhyrjet operative, edhe rikuperimin e lëndimeve, ku përfshihen seancat fizioterapeutike.
Osmani ka shtuar se buxheti i ndarë për këtë fond për këtë vit është 50 mijë euro, derisa në vitin 2022, sipas saj, ky buxhet do të rritet.
“Thirrja do të jetë e hapur deri më 22 nëntor. Të drejtë aplikimi kanë ata që lëndohen gjatë kësaj periudhe, po flasim edhe për lëndime paraprake që nuk kanë arritur të trajtohen pa operim. Ata të cilët lëndohen pas datës 22 nëntor, në janar të vitit të ardhshëm do të mbushet fondi, dhe do të kenë mundësi të aplikojnë prapë”, është shprehur Osmani.
Edhe
Mbi 100 mijë euro për balerinë e sportistë të lënduar, injorohen aktorët
Ajo po ashtu ka sqaruar se për aplikim do të kërkohen dokumentacionet si: raportet e mjekut me diagnozë - me nevojën e operimit apo trajtimit, të cilat duhet të jenë me vulë të protokolluara, çmimet e tregut të spitaleve që janë në Kosovë, vërtetimet që janë sportistë të regjistruar në klubin përkatës dhe se klubi përkatës është anëtar i Federatës përkatëse sportive si dhe kontratat me klubet përkatëse.
Ministria e Kulturës ka ndarë fond prej 50 mijë euro për mbështetje për balerinët, valltarët e sportistët sa i përket rikuperimit të lëndimeve.
Në këtë fond nuk janë përmendur aktorët të cilët po ashtu zhvillojnë aktivitet fizik në skenë e as punonjësit teknikë të skenave të institucioneve kulturore. Përcaktimi i MKRS-së vetëm për sportistë, valltarë e balerinë është parë si diskriminues dhe janë paralajmëruar reagime.
-
Fond për valltarë e balerinë të lënduar, aktorët ankohen për diskriminim
-
Ministria planifikon blerje të veprave të artit pa kushte për mirëmbajtjen e atyre që posedon
-
MKRS-ja ndan 5 milionë euro për kulturë, rini e sport, bëhet thirrje për aplikim
-
Skena e pavarur kulturore lëkundet në pritje të buxhetit të Ministrisë