Me 50 mijë euro Ministria e Kulturës, në kuadër të Pakos për ringjallje ekonomike, kishte ideuar “Fondin për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve Sportistëve/Valltarëve/Balerinëve”. Tash buxheti me të cilin ua mbulon shpenzimet aplikuesve është dyfishuar. Përderisa kjo nismë – e para e këtij lloji – u përkrah si ide, aktorët e punonjësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë lënë anash. Reagimet e tentimet për ta sqaruar këtë rast kanë dështuar
Ministria e Kulturës ka dyfishuar buxhetin për mbështetje financiare për sportistë, balerinë e valltarë për mbulimin financiar të rikuperimit të lëndimeve. Por jashtë thirrjes sërish kanë mbetur aktorët. Për këtë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të reagojnë, pasi ankesat e tyre kur qe hapur thirrja – ku nuk përfshiheshin aktorët – janë injoruar.
Sipas thirrjes së hapur në fillim të nëntorit, MKRS-ja planifikonte që me 50 mijë euro nga Pakoja e ringjalljes ekonomike të përkrahte aplikuesit. Por gjërat kanë ndryshuar.
Janë publikuar dy lista, një preliminare e tjetra pas shqyrtimit të ankesave. Lista e parë financiarisht peshon 68 mijë e 601 euro. Kurse e dyta 33 mijë e 198 euro. I bie që 59 veta të përkrahen me gjithsej 101 mijë e 799 euro. Sportistët e profileve të ndryshme janë ata që janë përkrahur më së shumti si numër, por edhe me shumat financiare. Në listë janë edhe 14 balerinë të Baletit Kombëtar të Kosovës. Megjithëse kishin të drejtë aplikimi, nuk figuron asnjë valltar i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”.
Shuma maksimale e dhënë për lëndimet e balerinëve është 379 euro, kurse për sportistët shuma më e lartë është 4 mijë e 270 euro.
Baleti i Kosovës ka 24 balerinë në trupën rezidente dhe dy të tjerë që vazhdimisht angazhohen në shfaqje. I bie që mbi gjysma e balerinëve kanë trajtuar lëndime.
Balerini Kreshnik Musolli, zëvendësues i drejtorit të BKK-së, ka thënë se lëndimet ndodhin në ushtrime, prova e shfaqje pasi që gjatë gjithë kohës ka lëvizje shumë komplekse dhe është shumë lehtë të pësohen lëndime.
“Sidomos në skenë ku komplet dyshemeja është me gropa, në të cilat mund të thyhet edhe këmba në tërësi. Si shërbim të fizioterapisë, respektivisht rikuperimit të lëndimeve, kam bërë kërkesë që nga planifikimi vjetor për vitin 2020 e më pas”, ka thënë ai. Sipas Musollit, si institucion shpresojnë që vitin e ardhshëm kërkesa të trajtohet me shumë seriozitet, pasi që lëndimet nuk mund të jenë të planifikuara në mënyre që të aplikohet për rikuperimin e tyre.
Solisti i BKK-së, Sinan Kajtazi, ka thënë se në balet aspekti fizik luan rol të rëndësishëm për ta ushtruar profesionin dhe shpesh balerinët ekspozohen ndaj lëndimeve. Fatkeqësisht, sipas tij, lëndimet nuk janë të rralla.
“Në kushte normale do të duhej ta kishim mjekun ose fizioterapeutin e trupës, i cili do t’ua përcillte gjendjen fizike të gjithë kërcimtarëve. Për fat të keq, nuk e kemi një të tillë ashtu siç e ka çdo trupë baleti nëpër botë”, ka thënë ai. Ka treguar se gjithmonë janë të detyruar që me mjete personale, në mungesë të sigurimeve shëndetësore, t’i paguajnë seancat, siç ka thënë ai jo të lira, për t'i trajtuar lëndimet.
Valltarët e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” kanë pasur të drejtë që të aplikojnë. Por, sipas solistit Besnik Grajçevci, njëherësh kryetar i Shoqatës Sindikale të “Shotës”, thirrja publike nuk ka qenë shumë e qartë për ata. Ka thënë se edhe periudha e trajtimit të lëndimeve ishte e limituar.
“Nuk ka aplikuar askush shkaku që nuk e kishim shumë të qartë, periudha ishte e shkurtër dhe duheshin shumë dokumente”, ka thënë ai. Sipas Grajçevcit, valltarët e “Shotës” vazhdimisht kanë probleme shëndetësore shkaku i punës që bëjnë.
“Shumica e valltarëve kanë lëndime nga më të lehtat e deri te ato që janë të rënda”, ka thënë ai. Ka treguar se edhe vetë vazhdimisht trajton lëndime. Ka thënë se shpreson që të mos kenë nevojë për trajtime mjekësore në të ardhmen, por kjo nismë e Ministrisë së Kulturës është e mirëpritur.
Qysh në fillim të nëntorit, mospërfshirja e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, teatrove të qyteteve apo kompanive të pavarura teatrore është konsideruar si diskriminim nga ana e MKRS-së. Në këtë thirrje nuk figurojnë as punëtorët teknikë të skenave artistike.
Drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, kishte thënë se nuk i duket i logjikshëm fakti që aktorët janë përjashtuar nga kjo kategori apo nga e drejta për të vënë përfitues nga kjo pako financiare e ndarë nga MKRS-ja.
“Në fakt, po më duket diskriminuese kjo qasje ndaj tyre, sepse shumë herë aktorë të ndryshëm janë lënduar dhe kanë pësuar dëmtime fizike gjatë provave në teatër. Nuk po e kuptoj pse nuk janë të përfshirë edhe ata në këtë kategori”, kishte thënë Zymberi. Kishte treguar se nuk e di se kush ka vlerësuar kështu dhe pse ka menduar që vetëm balerinët, valltarët e sportistët mund të pësojnë lëndime fizike dhe jo edhe aktorët. ”E pakuptimtë për mua”, kishte thënë ai.
Aktori Shkëlzen Veseli, që përfaqëson Shoqatën Sindikale të Aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kishte thënë se mbështetja financiare për sportistët, balerinët dhe valltarët për shërim dhe rikuperim duke injoruar aktorët dhe punëtorët tekniko-artistikë është logjikë selektive.
“Është e papranueshme për mua dhe kolegët e mi të cilët të revoltuar më kanë kontaktuar gjatë gjithë kohës duke kërkuar reagim sindikal. Nëse dikush mendon që aktorët nuk lëndohen, ai thënë më së buti s’ka ‘erë’ nga teatri”, kishte thënë, midis të tjerash, ai. Kishin reaguar edhe publikisht në rrjete sociale e edhe në komunikim privat me menaxhmentin e Ministrisë së Kulturës. Por asnjëra prej ankesave nuk ka çuar peshë.
Të hënën ai ka thënë se nuk është aspak në rregull që aktorët nuk janë përfshirë në këtë thirrje. Sipas Veselit, injorimi dhe diskriminimi që iu bënë aktorëve në mbështetjen financiare për sportistët, balerinët dhe valltarët i ka shtyrë ata që të reagojnë në rrjete sociale e media. Pos kësaj ka treguar edhe për një tjetër tentim.
“Kam edhe një tentim të dështuar për të komunikuar unë personalisht me zëvendësministren e Kulturës, Daulina Osmani, por me kaq përfundoi faza e parë e reagimit dhe nuk mund të bënim më shumë për shkak që nuk e kishim zgjedhur kryesinë e re e cila do të kishte mandat dhe autorizim për t’i përfaqësuar aktorët”, ka thënë Veseli, i cili tash është kryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, tani meqë është kryesia e re e Shoqatës me siguri që ditëve në vijim do të reagojnë rreth kësaj problematike.
“Mendojmë që kemi argumente të mjaftueshme t’i bindim autoritetet që vendimi ka qenë i gabuar dhe rrjedhimisht presim që vitin që po vjen do ta rregullojnë këtë padrejtësi”, ka thënë ai.
Sipas thirrjes që kishte hapur Ministria e Kulturës gati dy muaj më parë, në kuadër të Pakos për ringjallje ekonomike kishte ideuar “Fondin për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve Sportistëve/Valltarëve/Balerinëve”.
“Buxheti i Fondit do të shpenzohet vetëm për qëllim të shërimit dhe rikuperimit të lëndimeve sportive të sportistëve, balerinëve dhe valltarëve. Ky fond do të rimbursohet me buxhet nga Qeveria e Kosovës çdo vit. Ky fond varësisht nga nevoja mbulon shpenzimet e plota apo të pjesshme të trajtimit (intervenimit operativ) apo rikuperimit (seancat fizioterapeutike dhe të terapive sportive) në rast të lëndimeve sportive të sportistëve, balerinëve dhe valltarëve të Republikës së Kosovës”, shkruhej në thirrje. Aplikimet për mbështetje financiare për vitin 2021 pranoheshin deri në ditën e 22-të të nëntorit muaji. Midis kritereve ishte që aplikuesi “të jetë sportist i regjistruar në Republikën e Kosovës, anëtar i reprezentacioneve shtetërore, anëtar i superligave apo ligave të para, të jetë i punësuar në Trupën e Baletit të Kosovës e të jetë i punësuar në ansamblin ‘Shota’”, shkruhej në thirrje.