Dy vjet më parë, i punësuari i dikurshëm i një uzine dezinformatash ruse, do të mundohej që përmes një vepre letrare ta përshkruante punën e tij të pistë. Nuk është zor të qëllohet se cilën do ta përzgjidhte.
“U ndjeva menjëherë personazh i librit ‘1984’ të George Orwellit – një vend ku të bardhën duhet ta quash të zezë dhe të zezën të bardhë”, kishte thënë ai për gazetën amerikane “The Washington Post”, i bindur se secili lexues do ta kuptonte. Rishfaqja e autoritarizmit dhe dezinformimit kanë bërë që vepra e Orwellit të ketë rëndësi edhe tani, pikërisht në kohën kur asaj pritet t’i skadojnë të drejtat autoriale, në shtatëdhjetëvjetorin e vdekjes së autorit, transmeton Koha Ditore.
E nëse e shikojmë më thellë, a ka pasur ndonjë kohë kur “1984” nuk ka pasur rëndësi? Asnjë vepër e fiksionit letrar nuk ka pasur metafora më të kuptueshme dhe më të shumta për të ligët e botës bashkëkohore. Siç kishte shkruar Anthony Brugess më 1978: “Studentët amerikanë thoshin ‘si njeriu i 1984’, kur u kërkohej që të mos tymosnin në klasë apo këshilloheshin të lexonin më shumë”. Kjo bën që Richard Bradfordi, profesor anglez në Universitetin e Ulsterit dhe autor i librit “A Man of Our Time”, të mos jetë i sigurt për qëndrimin që e mban.
“Orwell është autor për epokën tonë, pasi që çështjet që i ka trajtuar në veprën e tij janë të përjetshme”, thotë ai. Pra, a është Orwelli autor për kohën tonë, apo për të gjitha kohët? A njëmend ai, siç pretendon shpesh Bradford, “parashikoi” shekullin 21, apo thjesht vetëm i përshkroi, në mënyrë briliante, problemet gjithnjë të pranishme?
Pretendimi i botuesit se kjo është biografia e parë “e madhe” që nga njëqindvjetori i lindjes së Orwellit më 2003, është pak a shumë orwelliane. Tani që bashkëkohanikët e Orwellit nuk janë më për t’i ndarë kujtimet e tyre, secili biograf duhet të përshkojë një shteg të rrahur shpesh, gjurmëve të studiuesve të mëhershëm, por libri nuk përmban asgjë të re, derisa edhe citatet më pak të njohura dhe anekdotat duket se janë marrë prej burimeve sekondare.
Librit i mungon konteksti. Interesi i vakët i Bradfordit për autorët e tjerë të periudhës ta jep përshtypjen e rreme se Orwelli ishte, për shembull, i vetmi që e kishte vënë në pah se Stalini dhe Hitleri kishin shumë të përbashkëta. Bibliografia është si e paktë, ashtu edhe e parashikueshme.
Edhe
Claude Lefort, një lexim tjetër i romanit të Orwellit, “1984”
Bradford, subjekte të mëparshme të të cilit kishin qenë Larkin dhe Hemingway, duket më pak i mbërthyer me të kaluarën dhe më shumë me të tashmen. Po ashtu, libri përmban më shumë mendime të tij sesa të Orwellit.
Sa herë që Orwelli rrezikon të kalojë në fokus, ndonjë digresion i shpërfaqur në formë të Brexitit apo Jeremy Corbynit e shtrembëron krejt pamjen. Lexuesi kalon prej Birmanisë tek partia Ukip dhe prej Parisit dhe Londrës tek “Benefits Street” e “Channel 4” teksa Bradfordi e vë Georgen e mjerë përballë një ushtrie të tërë, që përfshin Boris Johnsonin, Nigel Faragen, Xi Jinpingun, Nicolas Maduron, Islamin, “Twitterin”, Etonin, Jacques Derridan dhe të tjerë.
Është ky një libër i vakët dhe i pakompletuar. Qëllimi është që jeta dhe vepra e Orwellit të përdoren për të hedhur dritë mbi të tashmen....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)