Kulturë

Organizatat pararendëse të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”

Viti 1913 shënon një fazë të re në historinë e popullit shqiptar. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) njohën formimin e shtetit shqiptar, por jo në kufijtë e tij etnikë. Prijësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u angazhuan që Shqipëria t’i përfshinte në kufijtë e saj politikë të gjitha viset shqiptare. Rrjedhimisht, formimi i organizatave me karakter politik dhe ushtarak ishte i rëndësishëm për realizimin e këtij qëllimi.

“Shkipnia”, “Besa Shqiptare”, “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës”, “Klubi i Shkupit” e ndonjë tjetër, janë organizata pararendëse, të cilat në programin e tyre politik kishin synime të njëjta me ato të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Po ashtu, anëtarë të këtyre organizatave ishin pjesë aktive në kuadër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, raporton KOHA.

Përmes këtij artikulli, i cili e shtron këtë çështje në mënyrë analitike dhe krahasimtare, synohet t’u jepet përgjigje pyetjeve të mëposhtme, si: Kur dhe pse u formua organizata “Shkipnia”? Kush ishte pjesëtar i saj? Çfarë përmbante programi i saj për të ardhmen e trevave shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë politike? Kur u formua organizata “Besa Shqiptare” dhe çfarë aktivitetesh realizoi ajo? Kur dhe pse u formua organizata “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës? Kush ishte drejtues i saj dhe çfarë aktivitetesh realizoi ai? Në çfarë rrethanash veproi “Klubi i Shkupit” dhe cili ishte programi i tij?

Pse këto organizata politike shqiptare kanë lidhje organike dhe i paraprinë formimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”? Për shqiptarët në Evropën e fillimshekullit XX, organizatat, kryesisht të fshehta, paraqisnin modelin më të mirë të bashkimit politik e revolucionar, në shërbim të realizimit të të drejtave kombëtare dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare. Pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtritë e shteteve fqinje ballkanike dhe ricopëtimit të saj nga Fuqitë e Mëdha me vendime të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që ua mohuan shqiptarëve një Shqipëri politike të shtrirë në kufij etnikë, formimi i organizatave me karakter e program politik ishte domosdoshmëri për të mbrojtur e çliruar nga pushtimi i huaj fizionominë kombëtare të të gjitha trevave etnike shqiptare.

Ndërmjet viteve 1913-1916, organizatat shqiptare si: “Shkipnia”, “Besa Shqiptare”, “Komiteti i Fshehtë” i Kosovës, “Klubi i Shkupit” e ndonjë tjetër, përfaqësojnë një lidhje organike dhe paraprijëse të formimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në vitin e fundit të Luftës së Parë Botërore.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar.