Prishtinë, 14 shkurt – Hapësira para hyrjes së Galerisë Kombëtare të Kosovës është shndërruar në “varreza”.
Janë varre që notojnë mbi ujë. Sidomos kur fryn era, gurët e varreve të improvizuara nga artisi Ergys Krisiko lëvizin goxha shumë. Janë të vendosur mbi ujin e një pishine që është ndërtuar kastile për instalacionin. “Poolside Party” mban titullin vepra që “uron” mirëseardhje në ekspozitën “Onufri Rimade”, që është hapur të mërkurën mbrëma. Realisht kjo ekspozitë ishte “varrosur” në Tiranë, në dhjetor të vitit 2018. Asokohe me vendim të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozita tradicionale “Onufri” ishte mbyllur pas edicionit të 23-të. Një gjë e tillë kishte përplasur artistë me Galerinë si institucioni që organizonte e menaxhonte ekspozitën ndërkombëtare. Sipas autoriteteve në kryeqytetin shqiptar, ekspozita e kishte humbur vlerën.
Por dyert për këtë ngjarje i ka hapur Galeria Kombëtare e Kosovës. Madje me goxha pompozitet.
“Jemi të kënaqur kur kemi mysafirë e artistë nga Shqipëria. Këtij bashkëpunimi nuk kemi nevojë t’i vëmë emër dhe dyert tona gjithmonë janë të hapura për ta”, ka thënë drejtoresha e GKK-së, Arta Agani, në ceremoninë hapëse derisa ndodhej përballë “varreve”. Një provokim i fortë nis qysh në fillim të ekspozitës për të vazhduar më tej me pyetjet që ngrenë veprat e tjera. Albes Fusha, Edmond Gjokopulli, Eliza Hoxha, Elvis Dako, Olsi Qazimi, Fatos Lubonja e Vladimir Myrtezai janë disa prej pjesëmarrësve në këtë ekspozitë që është arratisur në Prishtinë pas “përzënies” nga Tirana. Piktura, përfshirë edhe aso të realizmit socialist të Shqipërisë, instalacione me materiale të ndryshme, fotografi e video, ngrenë çështje e pyetje të ndryshme në dy katet e institucionit më të lartë të artit pamor në Kosovë.
Arkitekti Elton Koritari dhe dekani i Fakultetit të Artit në Universitetin e Tiranës, Ardian Isufi, janë kuratorë të ekspozitës.
Arti bashkëkohor më vete është një revoltë. Por ekspozita “Onufri Remade” është dyfish e tillë. E kësisoj e bën fakti se një grup artistësh që kanë vendosur ta mbajnë gjallë traditën e ekspozitës duke e organizuar atë në një tjetër shtet.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}