Hapësira nuk ka ndryshuar pothuajse fare, përderisa teatri “Oda” sot është një prej pikave kryesore të asaj që është jeta e pavarur kulturore. Përkundër sfidave, ka festuar 20-vjetorin dhe nuk e ka ndërmend të ndalet. Dollia për këtë jubile është ngritur me muzikë e shpalosje kujtimesh prej kohës së themelimit
Para dy dekadash, pakkujt i ka shkuar mendja për institucione të pavarura kulturore. Madje edhe shteti i dalë nga lufta, përpëlitej për rithemelim e themelim të institucioneve kulturore. Por aktori Lirak Çelaj e regjisori Florent Mehmetaj, kishin nisur ta filtronin idenë e një teatri të pavarur. Vendosën ta quanin “Oda” e ta shfrytëzonin hapësirën e një diskoteke në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. Do të bëhej edhe shtëpia e “Odës”, aty ku është edhe sot.
Hapësira nuk ka ndryshuar pothuajse fare, përderisa teatri sot është një prej pikave kryesore të asaj që është jeta e pavarur kulturore. Prej dy vjetësh në atë hapësirë funksionon edhe qendra “Multimedia”, duke bërë që në atë ambient të këtë repertor të rregullt teatror, krahas ngjarjeve të tjera që mbahen aty.
Me këngët që interpretohen në mënyrë unike nga Nezafet Shala, shoqëruar nga “Melodia e vjetër”, bashkëthemeluesit e një pjesë e madhe e jetës teatrore në vend, të mërkurën mbrëma kanë festuar jubileun e “Odës”. Në vend të aktorëve, në skenë kanë interpretuar muzikantë që ku bëhet fjalë për këngët e vjetra qytetare, prijnë në ngjarje të tilla. Të pranishmit kanë evokuar shumë kujtime e batuta të historisë 20-vjeçare të “Odës”. Pikërisht më 1 mars të vitit 2003, aty ishte dhënë edhe premiera e shfaqjes “Monologët e vaginës” nën regji të Ilir Bokshit e Florent Mehmetit.
Lirak Çelaj e Florent Mehmeti u janë drejtuar shkurt të pranishmëve. I kanë falënderuar ata, për bashkëpunimet e përkrahjen si publik për dy dekada.
“Duhet ta kemi parasysh që po flasim për vitin 2003, ku jeta kulturore në Kosovë ka qenë në vitet e para të rilindjes ose të rigjallërimit pas përfundimit të luftës. Natyrshëm ka lindur nevoja për të krijuar alternativa kulturore, për të krijuar institucione të pavarura”, ka thënë Mehmeti ai për KOHË-n. Sipas Mehmetit, ishte nevoja për të mbushur një boshllëk ose për të pasur pasurim të jetës kulturore dhe kjo ka qenë një pikënisje.
“Edhe unë edhe Liraku kemi qenë të angazhuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës paraprakisht, kështu që kemi qenë me dy duart dhe dy këmbët në njëfarë mënyre në formësimin e teatrit”, ka rrëfyer ai.
Menjëherë pas luftës Çelaj ka qenë drejtor i TKK-së, kurse Mehmeti menaxher i këtij institucioni.
Ditën e themelimit e konsiderojnë atë kur është dhënë premiera e parë. Asokohe kishin negociuar me menaxhmentin e Pallatit të Rinisë dhe ia kishin dalë që të marrin atë hapësirë në shfrytëzim. Komuna e Prishtinës ndër vite u ka premtuar se do të ndërhyhet për të rregulluar hapësirën. Ngrohja është telashe më vete. Ngrohja e një skene teatrore me metoda primitive – duke përdorur ngrohëse klasike me rrymë – për “Odën” është përditshmëri gjatë dimrave.
Aktori Lirak Çelaj, kohëve të fundit përgjegjësinë ia ka lënë menaxherit të “Odës”, Florent Mehmetit. Ka treguar se bëhet fjalë për një rrugë të gjatë për të cilën kur e kanë themeluar Teatrin nuk është se nuk e kanë besuar që do ta bëjnë.
“Por e kemi ditur që do të ketë sfida dhe për fat të mirë i kemi ballafaquar. Ka pasur kohë gjatë këtyre 20 vjetëve që shpesh kemi menduar edhe ta mbyllim, por megjithatë, e kemi gjetur kurajën dhe forcën për të vazhduar”, ka thënë ai derisa ka folur për sfidat. Ka thënë se e kanë ditur qartë që për ta çuar përpara një institucion të pavarur teatror,. është sfidë goxha e madhe, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
“Trajtimi që u bëhet institucioneve të pavarura është ndryshe, por ne ia kemi dalë. Kur e kemi hapur, kam pasur shumë entuziazëm edhe koha që do të na përcjellë me kriza unë kam menduar se do të jetë më e shkurtër...”, ka thënë ai. Ia kishte marrë mendja që dy-tre vjetët e parë do të jenë në krizë dhe institucionet do ta pranojnë si realitet dhe do të ketë përkrahje edhe nga Ministria e Kulturës e po ashtu nga Komuna e Prishtinës.
“Për fat të keq, kjo krizë ose mospërkrahja ka zgjatur shumë më shumë se sa që e kemi menduar. Më vjen mirë që aktualisht tash është viti i dytë dhe po e them haptas që ministri aktual i Kulturës ka një qasje shumë pozitive ndaj sektorit të pavarur të kulturës dhe kjo e prek edhe teatrin ‘Oda’ dhe ka një kthim dhe kjo mua më jep shpresë”, ka thënë ai. Ministria e Kulturës vitin e kaluar, ka hequr dorë nga financimi i shumë ngjarjeve e aktiviteteve kulturore. Mbështetjen e ka konceptuar mbi bazën e granteve institucionale në mënyrë që bartësit kryesor të jetës kulturore në skenën e pavarur të kenë qëndrueshmëri financiare.
Qendra “Multimedia” para dy vjetësh do të mbetej pa shtëpi. Hapësira që kanë shfrytëzuar në “Dardani” ka ndërruar destinim. Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me këtë institucion të pavarur, ishte marrë vesh me menaxhmentin e “Odës” që ta shfrytëzojnë bashkë hapësirën.
Sipas tij, “Oda” ka shënuar historinë kulturore të qytetit për këta 20 vjet.
“Ka qenë një pikë reference për skenën alternative, pra jo veç teatrore, por edhe skenën muzikore e letrare dhe konsideroj që si hapësirë ka qenë e domosdoshme për kryeqytetin. Tash së voni, sidomos këta dy vjetët e fundit kjo hapësirë është bërë shtëpi e dytë e qendrës ‘Multimedia’ dhe ne këtu e ndajmë aktivitetin e përbashkët me teatrin ‘Oda’, e kurojmë programin bashkërisht, realizojmë programin teatror bashkërisht”, ka treguar ai.
Midis melodive të vjetra muzikore, Neziraj ka bërë të ditur se aktualisht nevoja më e madhe është për rinovim.
“Por fatkeqësisht këto investime dhe këto premtime për rinovim të ‘Odës’ ka vjet që janë premtuar dhe nuk kanë ardhur. Kjo nuk e ka penguar dhe nuk na pengon ta vazhdojmë aktivitetin tonë”, ka thënë ai.
“Oda” vazhdimisht ka mbledhur rreth vetës aktorë e profesionistë tjerë të talentuar që sot janë edhe udhëheqës të institucioneve kulturore.
Në mesin e atyre që festuan për “Odën” qe edhe aktori Kushtrim Sheremeti, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Këtë jubile ka thënë se e ka pritur me shumë emocione.
“Emocion i veçantë, po më kujtohet si sot kur kam ardhur ta shoh shfaqjen e parë këtu, dhe pastaj i jam bashkuar ekipit të teatrit ‘Oda’ kam filluar të punoj e një kohë edhe e kam menaxhuar”, ka kujtuar Sheremeti. Sipas tij, fakti që “Oda” ka mbijetuar për krejt këto vjet ofron një kënaqësi të madhe.
“Në të shumtën e herëve ka pasur vështirësi. Por, vullneti i Florentit dhe i Lirakut dhe gjithë të tjerëve që kanë qenë pjesë e teatrit ‘Oda’ që të mos dorëzohen i ka sjellë në këtë ditë që sot t’i festojnë 20 vjet”, ka thënë ai. Ka uruar që “Oda” bashkë me bashkëpunëtorët e vet të festojnë edhe shumë jubile me shumë shfaqje.
Në këtë jubile, Lirak Çelaj i është kthyer institucionit. Aty zakonisht janë inskenuar tekstet e tij, rëndom komedi. Njihet për një satirë që nuk kursen asgjë prej politikës vendore tek ajo ndërkombëtare.
Në kuadër të 20-vjetorit të hënën do të jepet premiera e shfaqjes “Arbri” me tekst dhe regji të tij. E njëjta shfaqje do të vijë si reprizë edhe për tri herë gjatë këtij muaji.