EXPRESS

“Shef Lumturimi” i “Odës” kundër braktisjes së vendit

Si një reflektim e krahasim midis jetës në Kosovë dhe asaj në vendet e Bashkimit Evropian, shfaqja komedi ”Shef Lumturimi” me tekst të Lirak Çelajt, nën regji të Florent Mehmetit, vjen te publiku si apel për të mos e lëshuar vendin. Shfaqja trajton njërën prej çështjeve aktuale në Kosovë: atë të lëvizjes pa viza për në shtetet e Evropës.

Qasja serioze shtrihet nëpërmjet komikes si prodhim teatror që i dedikohet injorancës e koprracisë që synon zgjidhje nëpërmjet ikjes prej vendit. “Shef Lumturimi” e dëshmon të kundërtën.

“Shef Lumturimi” është dhurata që “Oda” ia ka bërë publikut në 21-vjetorin e vet. Vjen në frymën e shfaqjeve me të cilat nisi rrugëtimin si institucion i pavarur, për t’u shndërruar në pikë reference të jetës kulturore jo vetëm në Kosovë.

Të premten mbrëma kur është dhënë premiera, Lirak Çelaj ka thënë se me një shfaqje si kjo kanë synuar të apelojnë për të mos e lëshuar vendin.

“U aktualizua shumë momenti kur u mor vendimi për liberalizimin e vizave. Flitej dhe vazhdon të flitet se të gjithë punëtorët do të shkojnë në Gjermani, në vendet e BE-së. Ne jemi munduar që nëpërmjet komedisë t’i bëjmë apel rinisë që jo gjithçka është shumë më mirë atje se këtu. Jemi munduar t’u sugjerojmë që të mos e lëshojnë vendin”.

Në shfaqje është edhe sarkazma për artin sot. Veçmas për tekstet e këngëve. Reflekton për imponimin e adaptimit në një kulturë të re dhe ironi e atyre që ndërrojnë identitetin për pak kohë që kalojnë në shtete të tjera.

Regjisori i shfaqjes, Florent Mehmeti, ka thënë se “Shef lumturimi” është brengosja e tyre në lidhje me entuziazmin për të ikur nga vendi.

“Është në vazhdën e komedive që i kemi punuar e që kanë për synim trajtimin e temave aktuale, të brengosjes shoqërore, sigurisht përmes një prizmi komik, përmes sarkazmit si mjet i hiperbolës, për të ngritur alarm e pikëpyetje rreth zhvillimeve që ndodhin çdo ditë. Mendoj se komedia e ka një rol hyjnor në këtë mes që e ka lirinë për të përqeshur së pari vetveten, edhe në këtë shfaqje, për të vazhduar më pas me fenomene e koncepte, brenga të njerëzve”.

Gjatë bisedës së personazheve – në shfaqjen që komunikon në harmoni me skenografinë e Enes Sahirit –për një çast akustika e sallës bëhet temë diskutimi në pak minuta, vjen një lloj sarkazmi për skenën që kishte shërbyer si hapësirë për inskenimin e operës “Lo Speziale” më 5, 6 dhe 7 korrik të vitit të kaluar.

Aktori Nëntor Fetiu që në shfaqje luan rolin e Ferizit, një burrë i moshuar thashethemexhi, bisedat e të cilit janë kryesisht trillime.

“Jemi takuar para 1 janarit, më 2023-n dhe na lindi ideja që Liraku të shkruajë diçka për liberalizimin e vizave, sepse është përfolur shumë. Na pëlqeu shumë teksti, më pëlqen stili i tij i të shkruarit. Nuk është shfaqja e parë që e luaj me tekst të Lirakut, ka qenë ‘E kaluara e inspektor Limit’ dhe rezultati është ky, shpresojmë t’i pëlqejë publikut”.

Pas premierës të së premtes është shfaqur edhe të shtunën, ndërsa do të jepet reprizë edhe më datat 5, 21 e 22 mars.

Premiera e shfaqjes komedi “Shef Lumturimi”, përtej një tjetër produkti në repertorin teatror, ka qenë edhe dollia me të cilën teatri “Oda” ka festuar 21 vjet nga themelimi.

Më 1 mars të 2003-s, Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti do të themelonin teatrin “Oda” e do ta shfrytëzonin njërën prej hapësirave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Për këto vite ka pasuruar repertorin teatror në vend me mbi 50 produksione dhe mbi njëqind aktivitete çdo vit.

Bashkëthemeluesi i teatrit “Oda”, dramaturgu e aktori Lirak Çelaj, ka thënë se sfidat ishin të shumta në fillet e institucionit kur mungonte përkrahja financiare. Sipas tij, tani “Oda” është bërë pikë reference kulturore në vend e në skenën ndërkombëtare.

“Mendoj se jeni bërë një pikë reference kulturore në Kosovë dhe jo vetëm. Jemi bërë pikë reference edhe në skenën rajonale, evropiane, madje edhe me Shtetet e Bashkuara kemi pasur bashkëpunime shumë të afërta dhe të suksesshme dhe kjo më bën të ndihem krenar për krejt këto arritje të teatrit ‘Oda’, të cilat nuk do të arriheshin pa mbështetjen e komunitetit artistik”, deklaroi Çelaj.

Regjisori Florent Mehmeti, drejtuesi e bashkëthemeluesi i teatrit “Oda”, e ka konsideruar mision të shenjtë aktivitetin për skenën kulturore, me theks në atë teatrore, krahas kushteve në të cilat vepron.

“Përmirësimi i kushteve për punën tonë është përmirësim i kushteve për publikun e që në Prishtinë nuk e kemi në kuptimin e teatrit. Jemi në gishta. Kjo do të duhej të ishte super-prioritet për vetë qeverisjen komunale të Prishtinës. Na ka mbajtur gjithmonë entuziazmi dhe pasioni ynë në komunikim me publikun për të sjellë vepra që shtjellojnë brengat që i kemi, aktualitetet që ndodhin në Kosovë”.

Në këtë institucion tash e tre vjet aktivitetin e zhvillon edhe qendra “Multimedia” e udhëhequr prej dramaturgut Jeton Neziraj. Ai ka thënë se përvjetori i “Odës” e tregon domosdoshmërinë e ekzistencës dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në skenën teatrore.

“Ka plotësuar dhe hapësirë të jashtëzakonshme të fushës së teatrit të pavarur, pra në kontekstin e hapësirave kulturore realisht është teatri i vetëm i pavarur në Kosovë. Në këtë drejtim, ngelet institucion i rëndësishëm kulturor, i pakrahasueshëm dhe besoj se ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në emancipimin, edhe në animimin e publikut në Kosovë”, tha Neziraj.

Pamja e hapësirës, të cilën teatri “Oda” e shfrytëzon nuk ka ndryshuar thuaja fare. Sot është një nga pikat kryesore të skenës së pavarur kulturore. Dollia për ngjarjen ka qenë shfaqja e re në repertorin e teatrit, me të cilën paralajmëron se nuk e ka ndërmend të ndalet.