Teatri “Oda” ka shënuar 20-vjetorin e themelimit si institucion i pavarur. Festa nisi nën tingujt e këngëve shqipe të interpretuara nga Nezafete Shala. Të pranishëm ishin shumë figura të komunitetit artistik në Kosovë. Kjo mbrëmje feste nuk kaloi pa e kujtuar 1 marsin e 2003-s, kur me premierë u shënua themelimi i teatrit “Oda”.
Themeluesit e “Odës”, Florent Mehmeti dhe Lirak Çelaj, kanë përshkruar rrugëtimin për 20 vjet të institucionit të cilin e themeluan.
Mehmeti ka treguar se pas luftës u pa si e domosdoshme krijimi i një hapësire, që për këta 20 vjet u kthye në një pikë reference për skenën alternative jo vetëm teatrore, por edhe të muzikës e të letërsisë.
ta kemi parasysh që po flasim për vitin 2003 ku jeta kulturore në Kosovë ka qenë në vitet e para të rilindjes ose të rigjallërimit pas përfundimit të luftës. Natyrshëm ka lindë nevoja për me krijuar alternativa kulturore, për me krijuar institucione të pavarura, për me e mbushë një boshllëk ose për me pasur pasurim të jetës kulturore dhe kjo ka qenë një pikënisje. Edhe unë edhe Liraku kemi qenë të angazhuar në Teatrin Kombëtar paraprakisht, kështu që kemi qenë me dy duart dhe dy këmbët në njëfarë mënyre në formësimin e teatrit”.
“Ka ndodh një rastësi që atë kohë menaxhmenti i Pallatit të Rinisë na ka ofruar këtë hapësirë e cila ka qenë e lirë. Për ironi të fatit ne këtu e kemi luajtur shfaqjen tonë të parë. Pikërisht sonte 20 vjet më parë është dhënë premiera e shfaqjes ‘Monologët e Vaginës’, e cila ka qenë premiera jonë e parë dhe prandaj ne e shënojmë 1 marsin si ditëlindjen e ‘Odës’, si ditën e themelimit në vitin 2003”.
Aktori Lirak Çelaj ka thënë se para 20 vjetëve e kishte menduar se do të jetë një rrugëtim përplot me sfida, por jo se do të zgjasnin kaq gjatë.
“Është një rrugë e gjatë për të cilën kur e kemi themeluar nuk është se nuk e kemi besuar që do ta bëjmë, por e kemi ditë që do të ketë sfida dhe për fat të mirë i kemi ballafaquar. Ka pasur kohë gjatë këtyre 20 vjetëve që shpesh kemi menduar edhe ta mbyllim por megjithatë e kemi gjetur kurajën dhe forcën për të vazhduar. Ne e kemi ditur se me e shty përpara një institucion të pavarur teatror është sfidë goxha e madhe, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Trajtimi që u bëhet institucioneve të pavarura është ndryshe, por ne ia kemi dalë”.
Dy vjetët e fundit, sipas tij, përkrahja institucionale është më e madhe, gjë që i jep shpresë për jetë edhe më të gjatë teatrit “Oda”.
“Kur e kemi hapë kam pasur shumë entuziazëm edhe koha që do të na përcjellë me kriza unë kam menduar se do të jetë më e shkurtër, unë kam menduar që dy-tre vjetët e parë do të jenë krizë dhe institucionet do ta pranojnë si realitet dhe do të ketë përkrahje edhe nga ministria edhe nga komuna por edhe nga sponsorët. Për fat të keq kjo kriza ose mospërkrahja ka zgjatë shumë më shumë se që e kemi menduar. Më vjen mirë që aktualisht që tash është viti i dytë dhe po e them hapur që ministri aktual i kulturës ka një qasje shumë pozitive ndaj sektorit të pavarur të kulturës dhe kjo e prek edhe teatrin ‘Oda’ dhe ka një kthim dhe kjo mua më jep shpresë”.
Janë bërë dy vjet prej kur hapësirën e teatrit “Oda” e shfrytëzon edhe Qendra Multimedia. Udhëheqësi, Jeton Neziraj, ka thënë se përveç nevojave urgjente për rregullimin e hapësirës, puna bashkë me stafin e “Odës” është kënaqësi.
“Oda' ka shënuar historinë kulturore të qytetit për këta 20 vjet. Ka qenë një pikë reference për skenën alternative, pra jo veç teatrore, por edhe skenën muzikore e letrare dhe konsideroj që si hapësirë ka qenë e domosdoshme për kryeqytetin. Tash së voni, sidomos këta dy vjetët e fundit kjo hapësirë është bërë shtëpi e dytë e Qendrës Multimedia dhe ne këtu e ndajmë aktivitetin e përbashkët me teatrin ‘Oda’, e kurojmë programin bashkërisht, realizojmë programin teatror bashkërisht. Është në gjendjen në të cilën është, me nevoja emergjente për renovim, por fatkeqësisht këto investime dhe këto premtime për renovim të ‘Odës’ ka vite që janë premtuar dhe nuk kanë ardhur. Kjo nuk ka penguar dhe nuk na pengon të vazhdojmë aktivitetin tonë”.
Në mesin e atyre që festuan për “Odën” ka qenë edhe aktori Kushtrim Sheremeti, drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. 20-vjetorin e teatrit “Oda” ka thënë se e ka pritur me shumë emocione.. Vullnetin e Mehmetit e të Çelajt ka thënë se e konsideron si arsyen kryesore që “Oda” vazhdon t’i ketë dyert e hapura për publikun.
“Emocion i veçantë, po më kujtohet si sot kur kam ardhur ta shoh shfaqjen e parë këtu, dhe pastaj ju kam bashku ekipit të teatrit "Oda" kam filluar të punoj e një kohë edhe e kam menaxhuar. Duhet të njehet kënaqësi shumë e madhe për mbijetesën e "Odës, fatkeqësisht në mënyra të ndryshme ka mbijetuar. Në të shumtën e herëve të vështirë. Por, vullneti i Florentit dhe i Lirakut dhe gjithë të tjerëve që kanë qenë pjesë e teatrit "Oda" po mos me u dorëzua e kanë pru në këtë pikë që sot t'i festojë 20 vjet. Po shpresoj që "Oda" bashkë me neve të plaket edhe shumë vjet dhe me shumë suksese të mëdha dhe po ju dëshiroj shumë punë të mbarë me shume shfaqje, premiera dhe publik”, deklaroi Sheremeti
Mbrëmja e 1 marsit vazhdoi me muzikë nga “Melodia e Vjetër”, derisa të hënën si vazhdim i shënimit të 20-vjetorit do të jepet premiera e shfaqjes “Arbri” me tekst dhe regji të Lirak Çelajt.