Kulturë

“Shef Lumturimi” në festën e “Odës” kundër braktisjes së vendit

Me premierën e komedisë “Shef Lumturimi” me tekst të Lirak Çelajt dhe regji të Florent Mehmetit, teatri “Oda” ka shënuar 21-vjetorin si institucion i pavarur në skenën teatrore. Komedia në autorësi të dyshes themeluese të këtij teatri të pavarur, trajton çështjen e liberalizimit të vizave dhe vjen si apel për të mos e lëshuar vendin. Vjen në frymën e shfaqjeve me të cilat “Oda” nisi rrugëtimin si institucion i pavarur, për t’u shndërruar në pikë reference të jetës kulturore jo vetëm në Kosovë

Si një reflektim e krahasim midis jetës në Kosovë dhe asaj në vendet e Bashkimit Evropian, shfaqja komedi ”Shef Lumturimi” me tekst të Lirak Çelajt nën regji të Florent Mehmetit vjen te publiku si apel për të mos e lëshuar vendin. Shfaqja trajton njërën prej çështjeve aktuale në Kosovë: atë të lëvizjes pa viza për në shtetet e Evropës. Sjell zhvillime, tendenca e fenomene teksa godet me sarkazëm.

Qasja serioze shtrihet nëpërmjet komikes si prodhim teatror që i dedikohet injorancës e koprracisë që synon zgjidhje nëpërmjet ikjes prej vendit. “Shef Lumturimi” e dëshmon të kundërtën.

Skena e parë e komedisë hapet me kryepersonazhin që vonohet për në vendin e tij të punës. Rolin e luan Arbit Zymeri. Ngjarja zhvillohet në një biznes autolarjeje ku ai nis të shpalosë neglizhencën në punë si një lloj lirie që i hap atij rrugë me liberalizimin e vizave. Vjen ideja për një mundësi të re për të. Vetoni, rol të cilin e luan aktori Besart Sllamniku, është shefi i tij.

Kur ngjarja nis të zhvillohet, një tjetër karakter, ai i Ferizit, një plak i moshuar thashethemexhi nis rrëfimin e tij të trilluar për jetesën jashtë vendit. Paragjykimet e shoqërisë janë në bisedat e tij me plakun tjetër që e luan Lirak Çelaj. “Shef Lumturimi” është dhurata që “Oda” ia ka bërë publikut në 21-vjetorin e vet. Vjen në frymën e shfaqjeve me të cilat nisi rrugëtimin si institucion i pavarur, për t’u shndërruar në pikë reference të jetës kulturore jo vetëm në Kosovë.

Image
Autolarja kthehet në kafehane, ku flitet për gjithçka që ata “dinë” për vendet e Evropës. Janë si lloj muhabetesh pa argumente që vështirë kontestohen kur merret për bazë vetëbesimi i protagonistëve në ato që flasin (Foto: Agon Mehmeti)

Alarm e pikëpyetje për ato që ndodhin çdo ditë

Të premten mbrëma kur është dhënë premiera, Lirak Çelaj, ka thënë se me një shfaqje si kjo kanë synuar të apelojnë për të mos e lëshuar vendin.

“U aktualizua shumë momenti kur u mor vendimi për liberalizimin e vizave. Flitej dhe vazhdon të flitet se të gjithë punëtorët do të shkojnë në Gjermani, në vendet e BE-së. Ne jemi munduar që nëpërmjet komedisë t’i bëjmë apel rinisë që jo gjithçka është shumë më mirë atje se këtu. Jemi munduar t’u sugjerojmë që të mos e lëshojnë vendin”, ka thënë Çelaj pas shfaqjes ku luan Beratin.

Autolarja kthehet në kafehane ku flitet për gjithçka që ata “dinë” për vendet e Evropës. Janë si lloj muhabetesh pa argumente që vështirë kontestohen kur merret për bazë vetëbesimi i protagonistëve në ato që flasin. Në anën tjetër është Lumturimi naiv që i beson çdo fjale dhe nis t’i praktikojë udhëzimet e tyre kur shkon për të punuar në Gjermani. Ai është karakteri i një koprraci. Ironia për punën e politikanëve vjen kur përmendet shfaqja e punëve të tyre nëpërmjet postimit të fotografive në rrjete sociale. Në shfaqje është edhe sarkazma për artin sot. Veçmas për tekstet e këngëve. Reflekton për imponimin e adaptimit në një kulturë të re dhe ironi e atyre që ndërrojnë identitetin për pak kohë që kalojnë në shtete të tjera.

Kur nis të shpaloset dita e parë e punës së Lumturimit në vendin e huaj, ai që besonte gjithçka lehtësisht, nis të kuptojë të kundërtën e të thënave. Vendos të kthehet me idenë se krahëhapur do të pozicionohet ngjashëm e do të vlerësohet shumë më shumë. Del e kundërta. Pritet nga ish-punëdhënësi e ish-kolegët me shtirje se janë të punësuar si robotë. Një prej tyre është Magi, rol që e luan aktorja Florieta Bajraktari.

Regjisori i shfaqjes, Florent Mehmeti, ka thënë se “Shef lumturimi” është brengosja e tyre në lidhje me entuziazmin për të ikur nga vendi.

“Është në vazhdën e komedive që i kemi punuar e që kanë për synim trajtimin e temave aktuale, të brengosjes shoqërore, sigurisht përmes një prizmi komik, përmes sarkazmit si mjet i hiperbolës, për të ngritur alarm e pikëpyetje rreth zhvillimeve që ndodhin çdo ditë. Mendoj se komedia e ka një rol hyjnor në këtë mes që e ka lirinë për të përqeshur së pari vetveten, edhe në këtë shfaqje, për të vazhduar më pas me fenomene e koncepte, brenga të njerëzve”, ka thënë regjisori Mehmeti.

Gjatë bisedës së personazheve – në shfaqjen që komunikon në harmoni me skenografinë e Enes Sahirit –për një çast akustika e sallës bëhet temë diskutimi në pak minuta, vjen një lloj sarkazmi për skenën që kishte shërbyer si hapësirë për inskenimin e operës “Lo Speziale” që ishte shfaqur më 5, 6 dhe 7 korrik të vitit të kaluar. Opera komike në tri akte e Joseph Haydn ishte punuar në bashkëpunim me Degën e Artit Muzikor të Universitetit të Prishtinës.

“Bile edhe Opera pati ardhë na patën thënë a mundemi me ba një koncert këtu se akustika shumë e mirë”, thotë në shfaqje karakteri i Ferizit, të cilin e luan aktori Nëntor Fetiu.

“Jemi takuar para 1 janarit, më 2023-n dhe na lindi ideja që Liraku të shkruajë diçka për liberalizimin e vizave, sepse është përfolur shumë. Na pëlqeu shumë teksti, më pëlqen stili i tij i të shkruarit. Nuk është shfaqja e parë që e luaj me tekst të Lirakut, ka qenë ‘E kaluara e inspektor Limit’ dhe rezultati është ky, shpresojmë t’i pëlqejë publikut”, ka thënë ai pas shfaqjes.

Pas premierës të së premtes është shfaqur edhe të shtunën, ndërsa do të jepet reprizë edhe më datat 5, 21 e 22 mars.

Image
Gjatë bisedës së personazheve, ku për një çast akustika e sallës bëhet temë diskutimi në pak minuta, vjen një lloj sarkazmi për skenën që kishte shërbyer si hapësirë për inskenimin e operës “Lo Speziale” (Foto: Agon Mehmeti)

Misioni i “Odës” si institucion i pakrahasueshëm

Premiera e shfaqjes komedi “Shef Lumturimi”, përtej një tjetër produkti në repertorin teatror, ka qenë edhe dollia me të cilën teatri “Oda” ka festuar 21 vjet nga themelimi.

Më 1 mars të 2003-s, Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti do të themelonin teatrin “Oda” e do ta shfrytëzonin njërën prej hapësirave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Jo të pakta ishin sfidat e një institucioni të pavarur kulturor të sapoformuar, duke pasur parasysh edhe kushtet në të cilat do të vepronin. Për këto vite ka pasuruar repertorin teatror në vend me mbi 50 produksione dhe mbi njëqind aktivitete çdo vit.

Bashkëthemeluesi i teatrit “Oda”, dramaturgu e aktori Lirak Çelaj ka thënë se sfidat ishin të shumta në fillet e institucionit kur mungonte përkrahja financiare. Sipas tij, janë tejkaluar me përkushtim e entuziazëm dhe se tani “Oda” është bërë pikë reference kulturore në vend e në skenën ndërkombëtare.

“Mendoj se jeni bërë një pikë reference kulturore në Kosovë dhe jo vetëm. Jemi bërë pikë reference edhe në skenën rajonale, evropiane, madje edhe me Shtetet e Bashkuara kemi pasur bashkëpunime shumë të afërta dhe të suksesshme dhe kjo më bën të ndihem krenar për krejt këto arritje të teatrit ‘Oda’, të cilat nuk do të arriheshin pa mbështetjen e komunitetit artistik”, ka thënë Çelaj.

Rrugëtimin me “Odën” e ka vlerësuar të gjatë, të vështirë e me shumë peripeci. Ka përmendur edhe problemet infrastrukturore.

“Politika kulturore ka ndryshuar rrënjësisht sa u përket institucioneve të pavarura të kulturës. Këto e prekin edhe teatrin ‘Oda’. Ballafaqohemi edhe me problem të infrastrukturës. Besojmë se do të mund të futemi në rinovim të sallës që do të ishte një gjë shumë pozitive që do t’i plotësonte standardet”, ka thënë Çelaj.

Regjisori Florent Mehmeti, drejtuesi e bashkëthemeluesi i teatrit “Oda”, e ka konsideruar mision të shenjtë aktivitetin për skenën kulturore, me theks në atë teatrore, krahas kushteve në të cilat vepron.

“Përmirësimi i kushteve për punën tonë është përmirësim i kushteve për publikun e që në Prishtinë nuk e kemi në kuptimin e teatrit. Jemi në gishta. Kjo do të duhej të ishte super-prioritet për vetë qeverisjen komunale të Prishtinës. Na ka mbajtur gjithmonë entuziazmi dhe pasioni ynë në komunikim me publikun për të sjellë vepra që shtjellojnë brengat që i kemi, aktualitetet që ndodhin në Kosovë”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, ajo çfarë sjell “Oda” është një ofertë kulturore e artistike për Prishtinën dhe jo vetëm. Për të zhvilluar aktivitetin, ka thënë se nevoja për të ndërhyrë në objekt është e menjëhershme.

“Ne vazhdojmë pasi e konsiderojmë mision të shenjtë. Kjo na ka mbajtur për këto 21 vjet. Është kontakti i përhershëm me publikun që na mban. Teatri ‘Oda’ është i lokalizuar në Pallatin e Rinisë që është ndërmarrje lokale publike. Ne jemi tash e tre vjet në procedura për ta shtyrë rinovimin, meqenëse nevoja për renovim çdo ditë e më shumë po bëhet imediate. Në këtë aspekt janë procedurat që ecin ngadalë, të zakonshme në Kosovë”, ka Mehmeti.

Image
Ironia për punën e politikanëve vjen kur përmendet shfaqja e punëve të tyre nëpërmjet postimit të fotografive në rrjete sociale. Në shfaqje është edhe sarkazmi për artin sot. Veçmas për tekstet e këngëve (Foto: Agon Mehmeti)

Në këtë institucion tash e tre vjet aktivitetin e zhvillon edhe qendra “Multimedia” e udhëhequr prej dramaturgut Jeton Neziraj. Ai ka thënë se përvjetori i “Odës” e tregon domosdoshmërinë e ekzistencës dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur në skenën teatrore.

“Ka plotësuar dhe hapësirë të jashtëzakonshme të fushës së teatrit të pavarur, pra në kontekstin e hapësirave kulturore realisht është teatri i vetëm i pavarur në Kosovë. Në këtë drejtim, ngelet institucion i rëndësishëm kulturor, i pakrahasueshëm dhe besoj se ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në emancipimin, edhe në animimin e publikut në Kosovë”, ka thënë Neziraj.

Pamja e hapësirës të cilën teatri “Oda” e shfrytëzon nuk ka ndryshuar thuaja fare. Sot është një nga pikat kryesore të skenës së pavarur kulturore. Dollia për ngjarjen ka qenë shfaqja e re në repertorin e teatrit, me të cilën paralajmëron se nuk e ka ndërmend të ndalet.

“Teatri ka funksionuar edhe në këto rrethana. Janë të pafavorshme dhe përpjekje maksimale të artistëve për të mbijetuar dhe krijuar art. Po rrethanat nuk janë të dinjitetshme, sepse kushtet janë këto që janë. Infrastruktura është e vjetruar dhe nevoja për investime është e madhe. Shpresoj se Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës do ta kuptojnë më në fund se ekzistenca e teatrit është, para së gjithash, nevojë, domosdoshmëri e kryeqytetit, publikut”, ka thënë Jeton Neziraj, autor i shumë shfaqjeve që janë punuar në hapësirën e teatrit “Oda” dhe kanë rezultuar me suksese në skenën ndërkombëtare.

“Oda” ka hyrë në vitin e parë të dekadës së tretë. Krahas kushteve, kontrasti janë aktivitetet. Për këto vite ka pasuruar repertorin teatror në vend me mbi 50 produksione dhe mbi njëqind aktivitete çdo vit.