Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“NY Gypsy All Stars” me muzikë për mesazhe paqeje e diversiteti

Prishtinë, 16 gusht − Reflektorët e dominuar nga nuancat e së kaltrës i japin ngjyrë hapësirës përreth amfiteatrit të përmasave të vogla në kryeqytet dhe kalimtarët ndalojnë para skenës. Një orë më vonë sesa paralajmërimi, anëtarët e një bendi mysafir ngjiten në skenën e ngritur për ta në sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Kjo është hera e dytë që vijmë në Prishtinë”, është prezantimi që klarenisti Ismail Lumanovski ia bën bendit. Të parën herë, “NY Gipsy All Stars” kanë performuar para audiencës kosovare në prillin e vitit 2016, në kuadër të “Turkish Jazz Week”. E marta mbrëma shënoi kthimin e tyre. Në koncertin e mbajtur në kuadër të “Ethnical Sound Project”, që ka për qëllim bashkëpunimin e artistëve kosovarë me ata ndërkombëtarë, bendi që dallohet me atë se përbëhet nga anëtarë të pesë nacionaliteteve të ndryshme, nëpërmjet muzikës dha mesazhe për paqe e diversitet.

“NY Gipsy…” gërsheton muzikën ballkanike me gipsy, jazz, funk, elektronikë. Të tilla melodi u interpretuan në një koncert të formatit jo fort të madh, që tuboi një audiencë jo shumë të gjerë.

Nën qiell të hapur, tingujt e muzikës diverse u jetësuan nga instrumentistët që nuk u kursyen në skenë. Në disa prej pikave, në ndihmë u dolën edhe artistë vendas: Visar Kuçi, Dukagjin Muhaxheri e Ertan Yliyaz. Pesë instrumentistët e “NY Gypsy….” Jetojnë në SHBA dhe u përkasin nacionaliteteve të ndryshme, përfshirë grek, turk, maqedonas e holandez. Veç Lumanovskit në klarinetë, bendi përbëhet edhe nga Panagiotis Andreou në bas, Jason Linder, tastierë, Engin Gunaydin në bateri e Tamer Pinarbasi në kanun. “NY Gypsy…” gjatë rrugëtimit kanë luajtur edhe orkestrën simfonike të “Deutsche Kammerphilharmonie Bremen”, një nga orkestrat kryesore të Evropës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).