Vepra e Michel Foucaultit, “Hermeneutika e subjektit“ (Paris, 2001) është një shembull i veçantë se në ç’mënyrë filozofia bashkëkohore mund të dëshmojë frytshmërinë e të menduarit të vet duke rimenduar e rishqyrtuar disa tema të filozofisë nga e kaluara, në këtë rast të asaj klasike greke dhe asaj helenistike e romake.
Në këtë shkrim do të veçojmë relacionet që ndërthuren midis temës së njohjes së vetes, si kërkesë sokratike “njihe vetveten” (gr. gnothi seaton, fr. la connaissance de soi) dhe brengës për veten (gr. epimeletia heautou, lat. cura sui, fr. le souci de soi) në këtë vepër e përpiluar në saje të ligjëratave të tij në “Collège de France” (1981-1982).
Pikënisjen për këtë temë ai e gjen te dialogu i Platonit “Alkibiadi”. Aty Sokrati, përmes një bisede të dendur, e bind hap pas hapi Alkibiadin se nuk mund të merret seriozisht me çështje politike pa e kultivuar brengën për vete. Sokrati, përkatësisht Platoni, si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të politikës, e vë Alkibiadin përballë këtyre alternativave: a do ai të merret me politikë për t’i kënaqur ambiciet që të përvetësojë pasuri nga fondet shtetërore apo që të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe pasurimin e shtetit; të merret me politikë për ta ushqyer dëshirën që të sundojë mbi të tjerët, duke ua shkelur të drejtat që ua garanton ligji, që të fusë grindje të vazhdueshme midis individëve dhe grupeve apo të kultivojë marrëdhënie që rrisin dituritë dhe fuqinë e tyre; ta përdorë pushtetin për t’i prishur e këputur një nga një marrëdhëniet me vendet fqinje dhe ato tejdetare, duke ua cunguar qytetarëve të vendit gjasat për zhvillim e begatim; apo do që të ndërtojë raporte të frytshme me ato vende, raporte që ia bëjnë të mundur Athinës t’i çojë edhe me tutje fuqinë e saj ekonomike, si dhe lulëzimin e dijeve dhe arteve të saj. Sokrati mendon se Alkibiadi për t’i realizuar opsionet e dyta ka nevojë të kultivojë në radhë të parë brengën për vete, e cila ia hap mundësitë e të menduarit dhe veprimet lidhur me këto çështje. (401-402).
Kësisoj, kuptojmë se nocioni i brengës për veten nuk emërton thjesht një kujdes për veten e aq më pak ndonjë qasje egoiste, por ka të bëjë me një preokupim të thellë me mendimet, pasionet dhe synimet tona në raport me të tjerët dhe shoqërinë ku jetojmë.