Kulturë

Një skenar suksesesh për aktoren e re

Rozafa Çelaj si Sofia në filmin me të njëjtin titull

Viti 2022 ka shkruar një skenar suksesesh për të. Rozafa Çelaj i shënoi ato me role në tre filma, mori vëmendje ndërkombëtare me rolet që ka realizuar deri më tash. Kritika e krahasoi edhe me alamet aktoresh. U cilësua edhe si “Juliette Binoche premtuese” e Kosovës

S’ka dilema për rrugën që ka zgjedhur kaherë e viti 2022 ka qenë rikonfirmim i talentit të saj. Ëndrrën e ka ndjekur natyrshëm. Rozafa Çelaj ka nisur shpejt të jetë ndër emrat më të lakuar të aktrimit sa i përket gjeneratës së re. Madje ka marrë edhe vëmendjen e kritikës së huaj. Këtë vit është përfshirë në tri projekte të rëndësishme kinematografike. Nëpërmjet tyre ajo ka zbuluar edhe anë të re të vetes.

Është bërë pjesë e kastës së aktorëve që përfshinë aktorë nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Në filmin “Sofia” të regjisorit Eduart Grishaj ka rolin kryesor. Luan një vajzë të re serbe me emrin Sofia, e cila vjen në Shqipëri për të gjurmuar historinë e stërgjyshit të saj që në vitin 1941 u mbrojt nga të huajt në Shqipëri e u vra nga të tijtë, sepse nga kulla shqiptare doli me bujari e plis në kokë. Gjatë qëndrimit në Tiranë Sofia dashurohet në Arbrin, një djalë shqiptar që luhet nga Antonio Kodrinaj, i cili e shoqëron atë gjatë udhëtimit të saj në Shqipëri. Për këtë film Çelaj (27) është dashur të mësonte edhe disa fjalë në serbisht. Ajo që e veçon gjatë ekranizimit të kësaj historie, është origjinaliteti në aktrim. Ky projekt për Çelajn ka qenë një rikthim i plotë në shesh xhirimi pas pengesave të mëdha që patën gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit. Sipas Çelajt, ka qenë pikërisht ky film që e bëri më të njohur te publiku shqiptar pasi që ai u shfaq në disa vende brenda dhe jashtë Kosovës.

Image
Në rolin e Dorinës, në filmin “Në kërkim të Venerës”

Rikthimi në shesh xhirimi me “hat-trick”

“Pas një pauze të filmave gjatë pandemisë ishte një rikthim i lezetshëm. Filmi që ka bërë më shumë zhurmë këtë vit është ‘Sofia’. Është një film pak më ndryshe se filmat në të cilët kam punuar. Kjo ka qenë një eksperiencë e re. Aq shumë ka udhëtuar ky film, saqë mua më ka bërë më të njohur në shumë vende. Nuk isha mësuar të jem në një projekt që e përfshin gjithë publikun. Ka qenë më gjithëpërfshirës se filmat e tjerë”, thotë aktorja e re për KOHËN.

Sfidat për këtë rol nuk kanë qenë të pakta për të. Loja e saj për më shumë se një orë sa zgjat filmi është në fokus. Luan krah emrave të njohur të aktrimit si Tinka Kurti, Çun Lajçi, Bajrush Mjaku. Është figura kryesore nëpërmjet së cilës realizohet një histori e vështirë dashurie. Sfidat për të kanë qenë në dy rrafshe – të luajë serben që flet serbisht dhe të gjejë kiminë me partnerin që këtë histori ta bëjë lehtë të kapshme për publikun. Kjo e ka bërë këtë rol më sfidues për të në krahasim me rolet e mëhershme.

“S’ka qenë e lehtë ta pranoj atë rol. Ka qenë më sfiduese në krahasim me atë që kam punuar më herët. Kur e takova Edin më tregoi që do ta luaj një serbe dhe më pyeti se a di serbisht? Vetëm kam qenë duke mbajtur kurs të serbishtes, për qejf. Nuk e dija a do të pranoja pa e parë skenarin, pasi e lexova skenarin natyrisht vendosa që ta pranoja rolin dhe nuk mendoj që kam gabuar. Ka qenë një eksperiencë e dashurisë, e cila ishte e vështirë të realizohej pasi që duhej shumë kimi me partnerin që ta japësh atë që kërkohej”, rrëfen ajo.

“Juliette Binoche premtuese” e Kosovës

Në vitin 2007 ka luajtur në filmin “Blodsband” të Marius Holst. Por, në kinematografi hyri fuqishëm me rolin e saj në filmin “Gardhi” të 2018-s dhe një vit më pas te “Shpia e Agës” të regjisores Lendita Zeqiraj.

“Besimi i saj (Lendita Zeqiraj) më dha shumë siguri dhe kjo ishte ajo thyerja e akullit. ‘Gardhi’, i cili është shpërblyer edhe me shumë çmime ndërkombëtare ka qenë një start shumë i mirë dhe më ka ndihmuar shumë të vazhdoj më tutje”, thotë Çelaj.

Këtë vit ajo ka luajtur edhe me një kastë të aktorëve nga Maqedonia e Veriut në “Of an Age” të regjisorit Goran Stolevski, që pret shfaqjen nëpër kinema në shkurtin e vitit 2023 dhe në filmin “Hana e re” të regjisores Jehona Berisha. Sa më shumë eksperiencë thotë se e ka sfiduar më tepër për rolin e ri që ta mbajë nivelin i cili është vlerësuar në projektin paraprak. Ajo mori goxha vëmendje me filmin “Shpia e Agës”, aty ku shtjellohet rrëfimi i pesë grave, që bartin më vete traumat e luftës në Kosovë. Në filmin që ka marrë shumë çmime ndërkombëtare ajo është krahasuar me aktoren e njohur Juliette Binoche. Ka qenë Maja Bogojeviq, teoriciene dhe kritike e filmit që do të gjente tek ajo paralelen me aktoren e shquar franceze. Do ta quante Binoche premtuese kosovare.

“Secili projekt mendoj që më ka ofruar diçka të re. Filmi i parë që e kam xhiruar me Lenditën ka qenë filmi ‘Gardhi’. Ka qenë një eksperiencë e veçantë ku e kam luajtur një rol më kryesor. Pastaj ‘Shpinë e Agës’. Ishte akoma fillimi dhe nuk arrija ta gjykoja veten dhe tash pasi që i kam bërë disa projekte shumë të mira po mendoj që prej secilit kam mësuar dhe është rritur përgjegjësia që të jap më shumë në filmin tjetër”, thotë ajo. Kur flet për kritikat pozitive që ka marrë, Çelaj e ruan modestinë. Thotë se kjo flet goxha për nivelin e aktorëve nga Kosova.

“Kur i lexoja kritikat për mua, mendoj që në përgjithësi niveli i aktorëve tanë është shumë i lartë për t’u krahasuar në atë mënyrë. Kjo po më jep njëfarë shprese se do të mund të arrijmë më shumë”, shprehet ajo.

Një kapitull më vete i suksesit është filmi “Në kërkim të Venerës”, ku Çelaj luan një prej roleve kryesore. Filmi që ka në fokus adoleshentet që thyejnë kufizimet e rendit patriarkal ka korrur goxha sukses me çmime, ani pse nuk arriti ta vazhdonte garën drejt “Oscars”, si kandidat zyrtar i Kosovës për çmimin e madh. Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga xhirimet e këtij filmi me skenar dhe regji të Norika Sefës, për Çelajn kjo ka qenë një përvojë e veçantë.

“Është një film që e kam shumë për zemër pasi që mënyra se si e ka trajtuar Norika temën është shumë e veçantë. Mendoj që ka bërë shumë tejkalime në kinematografi. Prej fazës së audicionit më ka intriguar shumë. Nuk ka qenë audicion i zakonshëm. Me e lexu atë skenar ka qenë si me lexu një libër shumë të mirë”, thekson Çelaj.

Image
Çelaj synon edhe tregun ndërkombëtar dhe vjet pasi sukses kur u bë pjesë e rrjetit të njohur televiziv “HBO”, në degën në Norvegji me serialin “Welcome to Utmark”, ku luan rolin e Dritës

Në pritje për “zhvendosje” edhe prapa kamerave

Çelaj qysh e vogël e dinte se udhët do ta çojnë tek aktrimi. Duke u rritur nuk donte t’i ikte këtij profesioni tërësisht, andaj për studime zgjodhi regjinë. Ajo ka studiuar regji në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Deri tash ka qenë fort e përkushtuar në aktrim, por shpreson që shumë shpejt ta sfidojë veten edhe prapa kamerave.

“Po shpresoj shumë të kthehem te fusha e studimit – te regjia. Prej projekteve që i kam pasur nuk kam pasur edhe shumë kohë. Nuk kam diçka konkrete. Të punoj në atë drejtim është shumë kënaqësi për mua”, thotë ajo. Përvoja para kamerës mendon se do t’ia bëjë punën më të lehtë kur të marrë rolin e regjisores. Në pyetjen se a e bën aktrimi një regjisore më të mirë – ajo është e bindur në pohimin e saj.

“Mendoj që janë shumë profesione të lidhura dhe i ndihmojnë njëra-tjetrës shumë. Kur filloj me regji mendoj që eksperienca në aktrim do të më ndihmojë shumë që ta kem një raport dhe komunikim të mirë me aktorin, gjë që tash e di pak a shumë si është të jesh para kamerës”, thotë Çelaj.

Se sa është distanca e saj për t’iu futur regjisë, Çelaj nuk ka një përgjigje të prerë. Deri tani është e hapur për të gjitha rolet në aktrim. Dhe kjo edhe mund ta ngadalësojë deri te sfida e saj si regjisore. Më 2023 thotë se është e gatshme për t’i hyrë kësaj rruge.

“Këtij profesioni nuk i dihet asnjëherë se ku të dërgon dhe çfarë projektesh të sjell. Me dëshirë do të doja që më 2023 t’i futem regjisë. Por, nuk mund të them asgjë, sepse gjithmonë del ndonjë projekt që e pret më së paku dhe normalisht që i përkushtohem tërësisht. Dhe, kjo besoj do ta ngadalësojë procesin”, thotë aktorja e re. E lindur në një familje ku të dy prindërit ishin aktorë, për Çelajn aktrimi ishte botë shumë e afërt. Tash, kur është dëshmuar në shesh xhirim nga prindërit ka marrë veç një mesazh: ta ruajë modestinë. Kjo edhe po i jep motivim për të dhënë më të mirën në projektet e radhës. Synon edhe tregun ndërkombëtar. Së fundmi është bërë pjesë e rrjetit të njohur televiziv “HBO”, në degën në Norvegji me serialin “Welcome to Utmark”.

“Jam rritur në atë frymën e aktrimit. Si e vogël kam dashur ta studioj aktrimin, por me kohë, duke filluar të mendoj më gjerë – ndonjëherë edhe duke menduar t’i iki këtij profesioni, por edhe nuk pata ku të ikja, andaj shkova në regji”, rrëfen ajo. Në dy projekte filmi ka luajtur me nënën e saj, profesoreshën e aktrimit dhe aktoren e njohur, Ilire Vinca. Kjo thotë se ia lehtëson procesin, por fjala e saj sa i përket punës që bën ka goxha peshë. Ndjenjën se mund ta vazhdojë me siguri rrugën në aktrim e mori pas premierës së filmit “Shpia e Agës” në “Kalovy Vary International Film Festival”.

“Kur dolëm nga premiera mami filloi të qante dhe thashë: “Në rregull, paskësha bërë punë të mirë pasi që ty të bëra të qash dhe nuk ke një kritikë të ma japësh’. Mami është edhe profesoreshë e aktrimit dhe ka eksperiencë shumë të madhe dhe e di që nuk më kishte rrejtur sa i përket kësaj pune. I besoj shumë kritikës së saj”, thotë ajo.

Filmat nëpër botë, aktorët pa viza

Për t’u bërë pjesë e një kaste filmi, për aktoren Rozafa Çelaj mjafton t’i pëlqejë skenari. Me dëshirë do të donte ta provonte edhe komedinë. Me dashuri e përkushtim, sipas saj, s’ka gjë që nuk arrihet. Por, për të rinjtë e aktorët me potencial shpreson më shumë mbështetje dhe në të drejtën për të lëvizur të lirë.

“Filmat tanë po udhëtojnë në gjithë botën e ne s’po mund të udhëtojmë bashkë me filmat për shkak të vizës. Kjo është për keqardhje. Ne jemi duke arritur nivel të lartë jashtë, por jemi të izoluar brenda. Po shpresoj që viti tjetër të na gjejë të lirë dhe po mendoj që atëherë do të arrijmë edhe më shumë. Pasi që kemi mundur në këtë formë të izoluar, po besoj që nëse jemi të lirë do të bëjmë edhe shumë më shumë”, është mesazhi i saj.

Për Rozafa Çelajn deri tash kufijtë janë shembur. Ajo synon majat e aktrimit dhe loja e saj deri tash është dëshmi se është në rrugën e duhur.