Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Një shfaqje teatri...” e Prishtinës do të shfaqet në Shkup

Shfaqja e Qendrës Multimedia “një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” do të jepet të shtunën (8 prill), në Dramski Teatar në Shkup, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Faces Without Masks” që mbahet atje nga data 8 – 12 prill.

Kjo shfaqje ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, kudo që është shfaqur, në Kosovë, Kroaci e Zvicër. Në Festivalin e Teatrit në Ferizaj ajo ka fituar çmimet për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë dhe për aktorët në rolet kryesore.

{gallery}

Pas Shkupit, shfaqja do të jepet edhe në Serbi, Gjermani dhe në vende të tjera.

Shfaqja “një shfaqje teatri me 4 aktorë...” është shkruar nga një cinik kosovar, siç shkruan në komunikatë, kurse regjinë e ka bërë Blerta Rrustemi – Neziraj. Në të luajnë aktorët e njohur nga Kosova, Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani. Muzikant të shfaqjes jan Art Lokaj dhe Drin Tashi.

Edhe “Të negociosh paqen” e Kosovës në Zagreb Kulturë “Të negociosh paqen” e Kosovës në Zagreb

Rreth shfaqjes së shkruar nga Jeton Neziraj

Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.

Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia.

Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.

Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij.

Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme.

E shkruar nga një Jeton Neziraj, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.

Edhe “Negotiating Peace” me “prapaskenat” e negociatave në turne evropian Kulturë “Negotiating Peace” me “prapaskenat” e negociatave në turne evropian

Muzikën e shfaqjes e ka komponuar Gabriele Marangoni, koreografinë Adrienne Hart, skenografinë Petra Veber, klostumet Vesa Kraja, dizajnin e dritave Radomir Stamenkovic, ass. Regjisore Enkeleda Simitxhiu Arifi, menaxhere skene Lendita Idrizi, ass. e produksionit Sophia Sinani, udhëheqës teknik Denis Berisha, dritat Mursel Bekteshi e Denis Berisha, fjalët Jeton Neziraj.

Shfaqja është financuar nga Olof Palme International Center, Culture for All – faza III, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, kurse mbështetet nga Zyra në Kosovë e Bashkimit Evropian.