Kulturë

“Negotiating Peace” me “prapaskenat” e negociatave në turne evropian

Pa u bërë një muaj prej kur u dha premierë, “Negotiating Peace” me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt do të nisë rrugëtimin në skenat teatrore në Gjermani e Çeki. Publiku evropian veçse është i njohur me artin e guximshëm skenik të dyshes. Shfaqja që sjell “prapaskenat” e atyre që përkufizohen si negociata për paqe në kohën e luftërave në botë, synon të nxisë audiencat “të mendojnë përtej asaj që përtypet e ofrohet e filtruar nga mediat e nga komunikatat qeveritare”, sipas autorit Neziraj. Negociatat e paqes do të zbarkojnë edhe në Serbi e do të ndalen edhe në teatrot ndërkombëtare, deri në Amerikë.

Pas rrugëtimit të shfaqjes në disa qytete në vend e në Teatrin Shqiptar në Shkup, “Negotiating Peace” do ta eksplorojë temën në Leipzig të Gjermanisë në festivalin e performancës dhe teatrit “Euro-scene: Leipzig” që mbahet nga 7 deri më 12 nëntor. Shfaqja, produksion i Qendrës “Multimedia”, do të luhet në dy terminë, më 8 dhe 9 nëntor. Dy ditë më pas do të luhet në “Theater im Pumpenhaus” në qytetin Munster derisa më 13 dhe 14 nëntor janë datat e rezervuara të turneut për në Çeki në teatrot e kryeqytetit, Pragës, ku për herë të parë do të vihet në skenë një shfaqje e “Multimedias”.

Në dhjetor shfaqja do të luhet në Teatrin Kombëtar të Tiranës më datë 9 e katër ditë më pas edhe në Novi Sad të Serbisë në teatrin hungarez “Ujvideki Szinhaz”.

“Negotiating Peace” që u dha premierë më 16 tetor, vjen si shfaqje në momentin kur Kosova dhe Serbia gjenden në një moment kritik të negocimit të paqes. Dramaturgu Jeton Neziraj, ka thënë se nuk sheh arsye që shfaqja do të nxiste reagime në Serbi.

“Deri më tani, komentet e reagimet për shfaqjen kanë qenë superlative. Shkrimet pozitive nga media prestigjioze ndërkombëtare vërtet na kanë befasuar për të mirë. Dhe unë shpresoj që ky trend do të vazhdojë. Nuk shoh arsye përse një shfaqje si kjo, e cila analizon procesin e arritjes së një 'paqeje të qëndrueshme' do të mund të nxiste reagime në Serbi, ose ndokund tjetër”, ka thënë Neziraj.

Shfaqjet, produksione të qendrës “Multimedia” janë luajtur në mbi 100 teatro dhe festivale teatrosh në Evropë dhe më gjerë. Neziraj ka thënë se tashmë publiku i huaj është i njohur me shfaqjet e tyre.

“Qendra ‘Multimedia’ ka krijuar një mini reputacion ndërkombëtar dhe kudo që shkojmë në Evropë, gjejmë publik kurioz dhe të interesuar. Në festivalin ‘Euro-scene Leipzig’ kemi luajtur edhe më përpara, ndërkohë që do të luajmë për herë të parë në ‘Theater im Pumpenhaus’ - Münster dhe në ‘Prague City Theatres’ (Městská divadla pražská)”, ka thënë Neziraj nëpërmjet një përgjigje me shkrim.

E frymëzuar nga libri “To End a War” i Richard Holbrooke dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, shfaqja vjen si ironi për marrëveshjet e paqes që nuk kanë funksionuar si ajo midis Izraelit e Palestinës më 1993, ajo e Daytonit dhe e Rambouillet. Vjen edhe si paramendim për atë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Shfaqja është e punuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.

Në 110 minuta shfaqje, trupa do të sjellë haptazi “prapaskenat” e negociatave të paqes që bëhen me ndërmjetësues perëndimorë. Dramaturgu Neziraj nga shfaqjet e “Negotiating Peace” në këto vende pret që publiku të perceptojë idenë e negocimit të paqes përtej asaj që i servohet si informacion.

“Natyrisht, është vështirë të pritet që impakti i një shfaqjeje teatri të jetë shumë i madh, megjithatë, shfaqja mund t'i nxisë njerëzit të mendojnë përtej asaj që përtypet e ofrohet, e filtruar nga mediat e nga komunikatat qeveritare. Pra, që procesi i arritjes së paqes është i rëndësishëm dhe se implementimi kërkon kurajë, mbështetje e përfshirje të të gjithëve”, ka thënë ai.

Neziraj e quan “paqe të kompromisit” rezultatin e negociatave.

“Negociatat e paqes janë natyrisht të lidhura me kontekstet e ndryshme, të vendeve që janë ose kanë qenë në konflikt. Dhe shpesh, paqja e arritur, si fryt i negociatave, është njëlloj ‘paqe e kompromisit’, pra, një lloj paqe që nuk është luftë, por as paqe e plotë. E shpesh, ndalja e luftës dhe mbërritja e 'paqes' mes grupeve në konflikt është me e kollajshme, sesa implementimi dhe jetësimi i asaj paqeje në terren, në realitetin pas-luftë. Dhe unë mendoj që ky është edhe rasti me ne në Kosovë”, ka thënë Neziraj, derisa i është referuar gjendjes politike mes Kosovës e Serbisë.

“Pra, ne nuk jemi në luftë, por a kemi paqe të plotë, nuk mund të themi. Prandaj, negociatat politike kanë vazhduar e po vazhdojnë për një kohë kaq të gjatë, mes Kosovës e Serbisë. Një përfundim është i domosdoshëm, por, në anën tjetër, a mund të arrihet paqe e qëndrueshme, kur negociatat për paqen i udhëheqin ata që e kanë prodhuar luftën? A është realiste të pritet që kryeministri aktual serb, një ish-ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit, vërtet mund të shndërrohet tani në një engjëll të paqes?”, ka vazhduar ai më tej.

Ndonëse “Negotiating Peace” ishte shfaqur premierë me skenografi të thjeshtë, kushtet në teatrin “Oda” nuk janë adekuate. Hapësira e saj nuk ka ndryshuar pothuajse fare tash e dy dekada. Nëpër ngjarjet si “Polip” e “Theater Showcase” që “Multimedia” i organizon shpesh përmenden sfidat të cilat hasen për të funksionuar si komunitet artistik. “Jemi këtu në këtë teatër ku madje është e vështirë të instalosh një mikrofon ajror. Jemi duke pritur gati tash e tre vjet për rinovim”, kishte thënë Aurela Kadriu në mbyllje të edicionit të sivjetmë, të 13-tin me radhë.

Megjithatë, produktet prej aty rezultojnë të suksesshme. “Ne përpiqemi të realizojmë shfaqje brenda kushteve teknike që kemi. Fokusi ynë është kryesisht te materia, te përmbajtja, te potenciali aktoresk e te fuqia regjisoriale. E më pak tek aspekte teknike. Prandaj, shfaqjet tona funksionojnë mirë, edhe kur ato jepen në teatro me infrastrukturë të varfër, e edhe në ato ku kushtet janë të mira”, ka thënë Neziraj.

Në shfaqjen “Negotiating Peace” diplomatët perëndimorë janë ata që mbajnë ritmin edhe me “dhunë” nëse është nevoja. E rëndësishme është që të ketë marrëveshje.

“Ata që kanë bërë luftën e kanë të vështirë që të arrijnë paqen. Kanë edhe drojë për egon e tyre. Nuk preferojnë të humbin rëndësinë që kanë. Janë faktorë. Në një rast, prijësit e negociatave përdorin edhe karrem si premtimet që një yll i Hollywoodit do të paraqesë në film lavdinë e atij që ka udhëhequr një luftë. Është ironizim e parodi me thashethemnajën e një rasti të vërtetë të këtyre anëve. Ballkani është territor negociatash e humorit brenda tyre. Tekefundit edhe në luftë ka humor. Por pak më shumë në konferenca paqeje”, kishte shkruar KOHA me rastin e premierës së shfaqjes.

“Negotiating Peace” do të ballafaqojë me prapavijat, sfidat, frikërat dhe shpresën që përcjellin në arritjen e një marrëveshjeje të paqes edhe publikun e vendeve të tjera.

“Shfaqjet e radhës janë planifikuar në Itali, Estoni, Finlandë, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e në Norvegji. Por, jam i sigurt që do të kemi edhe shumë ftesa të tjera nga festivale në Evropë e Amerikë”, ka bërë të ditur dramaturgu Jeton Neziraj.

Pas rrugëtimit të shfaqjes në disa qytete në vend e në Teatrin Shqiptar në Shkup, “Negotiating Peace” do ta eksplorojë temën në Leipzig të Gjermanisë në festivalin e peformancës dhe teatrit “Euro-scene: Leipzig” që mbahet nga 7 deri më 12 nëntor. Shfaqja produksion i Qendrës “Multimedia” do të luhet në dy termine, më 8 dhe 9 nëntor. Dy ditë më pas do të luhet në “Theater im Pumpenhaus” në qytetin Munster e cila organizohet me mbështetjen e shoqatës kulturore shqiptare “URACult e.V.”. derisa më 13 dhe 14 nëntor janë datat e rezervuara të turneut për në Çeki në teatrot e kryeqytetit, Pragës, ku për herë të parë do të vihet në skenë një shfaqje e “Multimedias”