Kulturë

Një kronikë tronditëse për princin saudit të kurorës

Në faqen e fundit të “MBS”, një portret i hollësishëm dhe çmeritës i princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman, Ben Hubbard pranon që, duke marrë parasysh atë që mësoi gjatë raportimit mbi sundimtarin de facto të mbretërisë dhe mënyrat se si çakejtë e tij të vegjël i qepeshin armiqve të përfytyruar të bosit, ai “ka pyetur, derisa kthehej vonë natën në shtëpi apo kur shtrihej për të fjetur, nëse ata do të vinin edhe pas meje”.

Mbase kjo tingëllon melodramatike, por kushdo që lexon narrativën e qartë dhe bindëse të Ben Hubbardit në librin “The Rise to Power of Mohammed bin Salman”, do të shohë se ky shqetësim është fare i gjasueshëm. Dhe ku mund ta bësh vendin nëse princi hakërrehet? Sigurisht jo te ndonjë administratë amerikane që besonte se M.B.S urdhëroi vrasjen e kolumnistit të “Washington Postit” Jamal Khashoggi, por i dha princit lejekalim, transmeton KOHA.

“Mund të jetë që princi i kurorës ka pasur njohuri mbi këtë ngjarje tragjike – mbase ai ka pasur, mbase nuk ka pasur”, kishte thënë presidenti Trump që gjithnjë flet në tym për faktet e pakëndshme. “Shtetet e Bashkuara”, vazhdoi ai, “synojnë të mbeten një partner i qëndrueshëm i Arabisë Saudite për të siguruar interesat e vendit”. Dhe jo bash çfarëdo interesash: marrëveshje armësh në vlerë prej më shumë se qindra miliardë dollarë.

Hubbard, kryesuesi i byrosë së “New York Times” në Bejrut, e vë storien e rrugëtimit të Mohammed bin Salmanit në një rrethanshmëri që tejkalon rajonin në fjalë. “Ngritja e M.B.S eci mes dallgëve të trendëve globalë”, shkruan ai. “Derisa pasuria e botës gjithnjë e më shumë po përqendrohej në pak duar, dorëhekurtit populistë përdornin ligjërime nacionaliste për të tërhequr njerëzit e vet përderisa mbyllnin çdo hapësirë për opozitën”. Në një botë të këtillë, princi përshtatej tamam. “M.B.S nuk kishte nevojë për frenim të pushtetit të tij dhe shtypi çdo kërcënim ndaj tij…Ai nuk do të ndalej për asgjë për ta bërë Arabinë Saudite të madhe sërish, sipas termave të tij”.

Derisa nuk ka shpalosje lajmesh të mëdha për “M.B.S”, fuqia e lajmit është thellësia e të raportuarit të tij. Hubbardi intervistoi kontakte brenda mbretërisë derisa sauditët nuk i dhanë më vizë prej vitit 2018. Shumë prej tyre, me të cilët bisedoi, zgjodhën të mbeteshin anonimë, duke iu druajtur hakmarrjeve. Ata që i citon me emra janë ose fort të guximshëm, ose po aq arrogantë e kokënxehtë si vetë M.B.S.

Hubbard përnjeh se shumë prej asaj çfarë M.B.S ka bërë për vendin dhe njerëzit e tij, veçmas për të rinjtë, ka qenë e admirueshme, por në këtë kohë të tiranëve ai e kupton se sundimtarët dorëhekurt mund të jenë papërshkrueshëm popullorë edhe nëse janë tmerrësisht të frikshëm.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.