Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” pa fjalë për dashurinë

Kompania e shitjeve me seli në Berlin, “M-Appeal”, ka marrë të drejtat e distribuimit të dramës shqipe të Gentian Koçit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, film i cili këtë muaj do të jepet premierë botërore në Festivalin e Filmit në Tallinn dhe është kandidati zyrtar i Shqipërisë për “Oscar”.

I vendosur në Tiranën urbane, filmi ndjek historinë emocionale dhe lidhjen e ngushtë të dy vëllezërve binjakë që janë rreth të tridhjetave. Ata janë të shurdhër, gjë që nuk e pengon përditshmërinë e tyre, por pasi vizitojnë mjekun zbulojnë se do të humbasin edhe shikimin.

Gjatë përgatitjes së filmit tre aktorët kryesorë dhe producentja Blerina Hankollari kaluan gjashtë muaj me Shoqatën Kombëtare të të Shurdhërve në Shqipëri (ANAD) për të mësuar gjuhën shqipe të shenjave. Përfaqësues nga kjo shoqatë po ashtu ishin për çdo ditë të pranishëm në sheshxhirim, duke stërvitur aktorët dhe duke u siguruar që gjuha e shenjave të interpretohej saktë.

“Në ‘M-Appeal’ ne duam filma që na ftojnë të kuptojmë më mirë botën nga këndvështrime të nënpërfaqësuara. Kjo dramë e drejtuar nga narrativa sjell publikun në universin intim të binjakëve të shurdhër, Agimit dhe Gëzimit. Është një film pothuajse pa dialog të folur, por që shpreh fuqishëm faktin se komunikimi dhe dashuria nuk kanë nevojë për fjalë”, ka thënë Maren Kroymann, drejtoreshë menaxhuese e “M-Appeal”.

Regjisori e skenaristi Gentian Koçi ka thënë se e ka magjepsur ideja për të bërë një film që trajton marrëdhëniet komplekse njerëzore në zhvillim dhe pyetja se: çfarë ndodh me një person kur zhytet plotësisht në errësirë dhe komunikimi me botën bëhet i vështirë?

Dizajni i zërit, i cili luan një rol kyç në film, u realizua nga Leandros Ntounis, i cili punoi me Yorgos Lanthimos në filmat e tij “Dogtooth” (2009) dhe “Alps” (2011). Miksuesi i zërit, Kostas Varybobiotis, ishte një bashkëpunëtor i gjatë i Theo Angelopoulos.

Edhe Drama e thellë te “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” Kulturë Drama e thellë te “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është filmi i dytë artistik i Koçit, pas “Daybreak”, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe ishte kandidati i Shqipërisë për “Oscars” më 2017. Është prodhuar nga “Artalb Film Productions” (Shqipëri), në bashkëprodhim me “Maria & Mayer” (Portugali), “Graal Films” (Greqi) dhe “Added Value Films” (Kosovë).

Marrë nga “Variety”. Përktheu: Mirjetë Sadiku