Festivali ndërkombëtar i filmit në Cannes shquhet si një prej ngjarjeve më tërheqëse të kinematografisë në botë, ku filmat me buxhet të lartë dhe ata autorialë që synojnë të lënë gjurmë në industri, debutojnë njësoj për turmat magjepsëse të njerëzve të mbledhur përgjatë bulevardit “Croisette” në qytetin bregdetar të Francës.
Këtë vit festivali mirëpret një numër premierash të bujshme duke përfshirë filmin hollywoodian të regjisorit George Miller, “Furiosa: A Mad Max Saga”, projektin e fundit kinematografik të Fransis Ford Coppolas, “Megalopolis” dhe filmin e çuditshëm e të mbushur me aktorë yje të regjisorit grek Yorgos Lanthimos, “Kinds of Kindness”.
Mysafirët e festivalit – në mesin e së cilëve dhe aktorë yje të Hollywoodit - filluan parakalimin mbi tapet të kuq ku shoqëroheshin nga brohoritjet e gazetarëve, publikut si dhe muzika e përzgjedhur nga organizatorët. Madje aty nuk mungoi as hiti i këngëtares me prejardhje kosovare Dua Lipa, “Dance the Night”.
Siç e do tradita, aktorët e regjisorët e famshëm si, Meryl Streep, Juliette Binoche, Greta Gerwig, Lily Gladsonte, Lea Seydoux dhe të tjerë, nuk ngurruan të pozojnë për fotografët e shumtë para se të futeshin brenda në ndërtesë për ceremoninë e hapjes zyrtare të edicionit të 77-të të Festivalit, nën drejtimin e aktores franceze Camille Cottin.
Aktorja e shndërruar në regjisore, Greta Gerwig, është regjisorja e parë amerikane që shërben si Presidente e Jurisë së festivalit të sivjetmë. Jane Campion ishte regjisorja e fundit amerikane që e gëzoi këtë rol para një dekade.
Në maratonën filmike që përfundon më 25 maj, bota e filmit në atë që njihet si festivali i festivaleve do të ketë mundësinë që të shohë edhe rrëfimin e Kosovës me “Rrugës”. Nën regji të Samir Karahodës, filmi do ta ketë premierën më 24 maj në tetarin “Debussy”. Është në garë për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër.