“The Irish Times” ka publikuar një artikull për Tiranën, në të cilin ka përfshirë një përshkrim nga koha e komunizmit deri në ditët e sotme, duke vënë në fokus edhe debatin për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Artikulli fillon me rrëfimin e arkitektit dhe piktorit Maks Velo, i cili për shtatë vjet, tre muaj dhe 10 ditë kishte qenë i mbyllur në një kamp pune në Shqipërinë komuniste.
“Askush nuk donte të më fliste kur dola”, ka kujtuar Velo për gazetën. Siç është shkruar në gazetë, ai ishte burgosur për “agjitacion dhe propagandë” në kohën e Enver Hoxhës, diktator i cili gjatë sundimit 40-vjeçar e ktheu Shqipërinë në një nga vendet më shtypëse në botë. Velo po ashtu ka treguar për miqësinë e tij më Ismail Kadaren, shkruan “The Irish Times”, transmeton “Koha Ditore”.
“Një ditë, pasi që kaloi një kohë qëkur ishte larguar nga kampi i burgut, Velo ishte në qendër të Tiranës kur vuri re Ismail dhe Elena Kadaren duke ecur. Ai kishte qenë një mik i ngushtë i romancierit më të famshëm të Shqipërisë dhe gruas së tij para se të binte padrejtësisht në thellësi të paranojës së regjimit. ‘Unë bëra sikur nuk i shihja. Por atëherë Ismaili bërtiti, ‘Hej, Maks!’ Dhe më ftoi në banesën e tyre atë mbrëmje’. Duhet të ketë qenë një ribashkim i çuditshëm”, ka shkruar gazeta.
Sipas gazetës, Velo kishte projektuar ndërtesën dhe apartamentin ku jetonte çifti, punë që kishte filluar në vitin 1971, vit kur Kadare botoi një roman të njohur nën një titull të sugjeruar nga Velo: Kronikë në gur. Në artikull është përfshirë edhe biseda me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Ne as e përqafojmë dhe as nuk e fshijmë atë, por patjetër që e pranojmë atë”, ka thënë ai për gazetën rreth qëndrimit të administratës së tij ndaj trashëgimisë së epokës komuniste të Tiranës.
“Kundërshtimi më i ashpër ndaj modeleve madhështore të Ramës dhe Veliajt është bërë rreth Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, më pak se 100 metra larg nga zyra e kryetarit. Për më shumë se një vit e gjysmë, një protestë e udhëhequr nga aktorë dhe regjisorë ka kërkuar që qeveria të heqë dorë nga planet për të zëvendësuar teatrin, i cili u ndërtua në 1939 pasi Italia fashiste e Benito Musolinit pushtoi Shqipërinë”, ka shkruar gazeta sa i përket Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Edhe
Teatri – shuarja e kujtesës dhe ndezja e politikës
“Ata mund të ndërtojnë një teatër të ri kudo. Pse këtu?”, janë fjalët e regjisorit Robert Budina të cituara nga gazeta. Aty është shfaqur edhe mendimi i Qeverisë, sipas të cilit ndërtesa është e vjetër dhe e pashpresë. Ka përfshirë edhe mendimet e kritikëve.
“Tirana po bëhet një lavanderi për qindra miliona para të krimit dhe të drogës”, ka thënë për gazetën Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike të opozitës. Ndërsa për “The Irish Times”, Velo e kishte përshkruar planin për teatrin e ri si të tmerrshëm dhe ka treguar se ka nënshkruar një peticion kundër tij me disa arkitektë të tjerë.
“Gjëja më e mahnitshme këtu është fuqia e hajdutëve”, ka thënë ai për gazetën. Në artikull janë përmendur edhe shqetësimet që kanë shtetet që janë pjesë e Bashkimit Evropian për krimin dhe korrupsionin. Po ashtu është shkruar se Veliaj ka këmbëngulur se Teatri dhe projektet e tjera janë të pastra dhe do të kapërcejnë kundërshtimet e ditëve të sotme dhe armiqve politikë.