Shtojca për Kulturë

Ismail Kadare: Kryqëzime letrare e kulturore

Si shkrimtar i madh, Ismail Kadare është bërë rojtar i së bukurës e i lirisë njerëzore, por edhe flamurtar i identitetit europian të shqiptarëve dhe krijues i mirëfilltë i vlerave të amshueshme artistike

Si shkrimtar i madh, Ismail Kadare është bërë rojtar i së bukurës e i lirisë njerëzore, por edhe flamurtar i identitetit europian të shqiptarëve dhe krijues i mirëfilltë i vlerave të amshueshme artistike

Vepra e Kadaresë ka vlera shumëdimensionale e ushqyese, por një aspekt i rëndësishëm që e shquan atë dhe njëkohësisht e bën shkrimtar unik në historinë tonë kulturore, është përmasa dhe thellësia europiane e artit të tij, si vetëdije e palëkundur e gjakim që e përshkon në tërësi veprën e tij, duke e bërë kështu shkrimtarin më perëndimor shqiptar, dhe përveçse rojtar e krijues i së bukurës, po ashtu edhe rojtari më i madh i këtyre vlerave ndër shqiptarë

“Ju nuk mund ta kuptoni dot se ç'do të thotë qytet i lirë, sepse ju rriteni në robëri", shkruan Ismail Kadare në romanin e njohur “Kronikë në gur”, libër ky i botuar në vitin 1971, ku flet për Luftën e Dytë Botërore, të parë nga sytë e një të riu, në Gjirokastër, qytetin me të çuditshmin në tokë, ku kryqëzoheshin histori e kultura e ku qyteti përherë ishte “nën sundimin e ri.”

Kadareja lindi më 28 janar 1936, pranë oxhakut, i kishte thënë i ati, në një shtëpi të madhe dhe ndanë Sokakut të Marrëve, në një kohë kur botën e kishin kapluar shtrëngata e ideologji. Si djalë i ri, vëzhgonte çështjet e marrëzisë në familjet gjirokastrite, në një qytetit të çuditshëm, ku “ishte vështirë të ishe fëmijë”, për të cilat dukuri do të shkruante shumë më vonë, me një humor mahnitës e qesëndi rrëqethëse. Ishte fëmijë kur u magjeps nga bota e letërsisë dhe që atëherë ëndërronte të bëhej shkrimtar i madh, por nuk i pëlqente emri Ismail, ndërkaq mbiemrin Kadare e quante klas, sepse i shkonte një shkrimtari të madh, prandaj donte ta ndërronte e ta bënte Ismail Hello Kadare, për t’u ngjarë të mëdhenjve, si Honore de Balzak. Dhe djaloshi që rritej nën hijen e kështjellës së vjetër, në një qytet plot thashetheme, gjyqe, shtëpi me burgje brenda, gra që ngujoheshin e nuk dilnin kurrë jashtë, në një qytet që ngjante në një teatër, në moshë të re e ndien një thirrje të brendshme, për t’iu përkushtuar letërsisë, një thirrje që ishte krejt e pazakontë, tunduese, e mistershme, diçka që dukej sikur u përkiste forcave të epërme.

“Unë i besova kësaj magjepsje, ashtu siç i besohet një feje”, thotë Kadare. Me ketë besim, ai hyri në portat e letërsisë, i magjepsur nga “Makbethi” i Shekspirit, të cilën e lexoi në moshën 11-12 vjeçare. Dhe letërsia u kthye në dashurinë më të madhe të jetës së tij, që nisi me veprën “Frymëzime djaloshare” (1954) e nuk u shua derisa ishte gjallë mbi tokë, për ta lënë si trashëgimi e testament të amshueshëm për breznitë që vijnë pas tij, dhe duke e vulosur kështu emrin e tij, me shkronja të arta në historinë tonë kulturore, por njëkohësisht edhe duke zënë vend ballor në hartën e letërsisë botërore, si një prej shkrimtarëve më të mirë të saj.

Kadareja kur hyri në botën e artit, e keqja komuniste kishte pllakosur mbi jetën shqiptare dhe përballë kësaj gjendjeje, përmes gjuhës, thelbit të ekzistencës njerëzore, ai iu kundërvu së keqes, duke krijuar një univers letrar e estetik mahnitës, plot dhimbje njerëzore, mistere, ku kryqëzohen udhë e kultura, kohë e epoka, ku duken plasaritje të thella të tokës e çarje të lartësive qiellore, një botë përplot çudira, moskuptime, kuptime të shumëfishta e mistere të përhershme, siç është vërtet bota njerëzore. Dhe në një Shqipëri të izoluar e nën thundrën e një regjimi despotik, Kadareja përmes gjenialitetit krijues e afirmoi të bukurën e mirëfilltë, duke u kthyer në njëlloj rojtari të saj, i kujdesshëm e sqimatar. Shqipëria komuniste i luftonte vlerat perëndimore, traditën, lirinë  e personit e dashurinë njerëzore, kurse Kadareja këto tema i kthehu në art, duke hapur alternativa të reja të kuptimit të ekzistencës njerëzore, jashtë kornizave ideologjike, përmes humorit, alegorisë, simboleve e gjuhës artistike.  

Sundimi komunist, me kërbaç  e çizme, donte që njerëzit t’i bindte në shenjtërinë politike të udhëheqësit e të regjimit të tij, kurse Kadareja refuzoi të shkruante për lavdinë e kërbaçit e për “lumturinë komuniste”, por lexuesit i orientoi tjetërkah, duke shpërfaqë forcën e pushteteve despotike, përmes evokimit të ngjarjeve historike e ligjërimit alegorik. Duke shkruar letërsi të mirë, jashtë kornizave ideologjike, ai u jepte shqiptarëve një shujtë të munguar shpirtërore: një letërsi të lirë e një mundësi që të shihnin realitetin përreth tyre me sytë e artit, gjë që iu ndihmonte atyre të ngjiten në lartësi për t’i parë skëterrat ose të bien në to, për t’i kuptuar vlerat e lartësive.

Regjimi i Hoxhës, kulturën perëndimore e kishte shpallë armiqësore, kurse Kadareja pikërisht këtë kulturë, me inteligjencë të jashtëzakonshme, e ktheu në epiqendër të veprës së tij, përmes kujtimit të Shqipërisë historike, mesjetare, kohës së Gjergj Kastriotit, mitologjisë, Biblës.

Vepra e Kadaresë ka vlera shumëdimensionale e ushqyese, por, një aspekt i rëndësishëm që e shquan atë dhe njëkohësisht e bën shkrimtar unik në historinë tonë kulturore, është përmasa dhe thellësia europiane e artit të tij, si vetëdije e palëkundur e gjakim që e përshkon në tërësi veprën e tij, duke e bërë kështu shkrimtarin më perëndimor shqiptar, dhe përveçse rojtar e krijues i së bukurës, po ashtu edhe rojtari më i madh i këtyre vlerave ndër shqiptarë. Eseja e Kadaresë “Identiteti europian i shqiptarëve” është një nga trajtesat më të bukura që i është bërë identitetit shqiptar dhe shërben si manual për secilën kohë; identitet të cilin ai e ka mishëruar e manifestuar në shumë vepra artistike, duke dhënë përmasën e përhershme perëndimore të shqiptarëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse në veprën e tij, figura e Gjergj Kastriotit zë vend esencial, ngaqë amshueshmëria e tij ka vulosë diçka të shenjtë në historinë shqiptare. Skënderbeu e përshkon veprën e Kadaresë si frymë, ide e shpirt, në funksion të ndarjes mes lirisë dhe robërisë. Në këtë aspekt, identiteti i letërsisë së Kadaresë, si tematikë dhe filozofi, është rrjedhim i idesë që përfaqëson Skënderbeu. Te romani “Kamarja e turpit”, Kadareja thotë se “Shqipëria nuk bëhet me pasha, por me princ”, duke shtuar se: “Skënderbeu vërtet kishte pak topa e ushtri, por ai kishte ide të mëdha, dhe për këtë Shqipëria i shkoi pas atij dhe jo atyre që përfaqësonin konceptin e truallit dhe të topave.” Kjo përmasë e veprës së tij ka bërë që ta “konsakrojë Kadarenë në rolin e intepretit të thellë të qytetërimit letrar shqiptar”, shkruan Matteo Mandalà. Vërtet, Kadareja figurën e Kastriotit e trajton me devocion edhe te libri monumental “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, ku përveç se i shtjellon me erudicion mosmarrëveshjet historike shqiptare, la një si testament të përhershëm, duke thënë se “Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Pra, në veprën e Kadaresë, Skënderbeu nuk është personazh sporadik, por esencë. Në novelën “Raporti i fshehtë”, Kadareja e rikthen Kastriotin e vdekur si frymë e si shpirt dhe krejt novela lidhet me përmasën e shtrirjen e figurës së tij në jetën shqiptare, nëpër fusha, kështjella, te zbrazëtia e varrit, te ëndrrat e prishura të perandorisë osmane. Kastrioti është gjithkund e askund, ngaqë ai ka trajtë metafizike, disi hyjnore. Për shqiptarët, është i shenjtë, siç është Krishti për të krishterët, të cilët besojnë te mungesa e varrit të tij, kurse për turqit është makth dhe u sjell lemeri dhe turpërim.  Në këtë novelë, Kadare flet për një ekspeditë turke të udhëhequr nga Tuz efendiu, që kërkon varrin e Kastriotit dhe në gjendje turbullimi shpirtërore, pa shpresë e pa vetëbesim, ai mbërrin në Lezhë, te varri i zbrazët i Kastriotit. Për ta shpjeguar brendinë e varrit të Kastriotit, mungesën e trupit të tij, Kadareja përballë ia vë një prift. Për turkun, zbrazëtia  e varrit është e tmerrshme, kurse për priftin, diçka e natyrshme, ngaqë kjo mungesë vihet në një paralele me atë të Krishtit.

Në romanin “Rrethimi”, Kadare flet për rrethimin e Shkodrës pas vdekjes së Skënderbeut dhe bosht i qëndresës heroike të arbërve është heroi i vdekur. Edhe në këtë roman, Skënderbeu është frymë, ide, shpirt.  Janë turqit ata që ngazëllehen nga gryka e topit që kur bie në muret e kështjellës u duket sikur gjëmon ‘Allah!”, kurse arbnit, nga kumtet shpresëdhënëse që u jep Gjergji. Për ta, ai është Ora e Mirë e Shqipërisë, e për turqit, djalli dyemërsh ndaj edhe lufta e tyre kishte kuptim vetëm pse lidhej me emrin e tij: “Gjithë kryeqyteti vetëm një gjë ka në gojë, luftën. E patë Skënderbeun? Pyesin, porsa marrin vesh që je kthyer nga Shqipëria. Nuk e dinë ata se, po e pe një herë Skënderbeun, nuk e sheh më këtë botë.”

Pra, turqit e dinin që beteja e tyre për ta mposhtë Shqipërinë ishte e pazakontë, sepse duhej ta zhduknin atë që nuk zhdukej, heroin e tyre: “Shqipëria duhet të ndahet prej Skënderbeut, kjo është e vetmja zgjidhje,-tha kryeveqilharxhi. Mirëpo ai po bën çmos për të kundërtën”...dhe, “Shqipëria s’i shqitet.”

Te libri “Viti i mbrapshtë” Kadare flet për çmësimin e shqiptarëve me shtetin dhe figura e Kastriotit nuk paraqitet shpesh, por përbën një pikë të rëndësishme në funksion të shtjellimit të ngjarjes, të ballafaqimit të dy ideve për Shqipërinë e këtij viti, e që, për më tepër lidhet me Shqipërinë e përhershme dhe historike. Në roman, Gjergji është kufiri që ndanë palët, si nata ditën, çetën e Shestan Verdhës dhe të Kus Babait. Gjergj Kastrioti është prijës dhe Shestan Verdha, me devocion e besim, kryqëzohet si Krishti në kryq për idealet e lirisë dhe duke u kryqëzuar i dëgjon kambanat e një kishe, që i dukej se “vinin nga manastiri i Ardenicës, atje ku katërqind vjet më parë Gjergj Kastrioti kishte vënë kurorën me princeshë Donikë Komnenin...” Ky libër u shkrua në një klimë të zymtë dhe në një kohë kur religjioni në Shqipëri ishte i ndaluar, por aty vërehet ndikimi i  Biblës, me çka, Kadareja godet frymën ateiste në Shqipëri dhe njëkohësisht tregon shtratin kulturor të përkatësisë së veprës së tij dhe lidhjeve me Biblën, si vepër me ndikim të pafundmë në qytetërimin perëndimor. Shestan Verdha bie në altarin e lirisë si Krishti i kryqëzua, në një atmosferë që t’i kujton imazhet e  kryqëzimit të Krishtit: “Kishte rënë nata dhe nën dritën e pishtarëve flokët e verdhë të Shestanit, ndonëse të llangosura vende-vende me gjak, përndritnin zbehtë. Ishte ndoshta ajo përndritje që shkaktonte hije frike në sytë e esadistëve, ngaqë u dukej si i kryqëzuara...”

Romani “Nata me hënë” është një libër tjetër i botuar në vitin 1985 dhe menjëherë u ndalua nga regjimi, ngaqë aty Kadareja nuk flet për lumturinë komuniste, por flet për Marianën, një vajzë që desh e marrin në qafë për një thashetheme, ku përzihet shteti e partia, por ajo triumfon, i mund të gjithë dhe sjell një djalë në jetë, duke u shfaqë si “një Shën Mëri e re, që ishte shfaqur në kohën kur pritej më pak.” Kjo ishte ajo mesha e lirisë që paralajmëronte Kadare.

Pra, vepra e Kadaresë është e pasur dhe me ndikim të madh, për përmasën kulturore, gjuhësore, identitare dhe estetike. Si shkrimtari i madh, ai është bërë rojtar i së bukurës e i lirisë njerëzore, por edhe flamurtar i identitetit europian të shqiptarëve dhe krijues i mirëfilltë i vlerave të amshueshme artistike. Duke u përcjellë nga kjo botë, në një skenë madhështore, nën duart e bashkuara në lutje të Shën Nënë Terezës, ai sikur e përmbyllte në mënyrën më sublime një mision të shenjtë: vuloste diçka të pashlyeshme në historinë shqiptare.