Prishtinë, 27 maj – “Nga Austria me dashuri” si titull i koncertit ishte një paralajmërim se veprat pianistike të kompozitorëve austriakë do të jenë në qendër të vëmendjes. Paralajmërimi se koncerti do të nisë me nja 10 minuta vonesë është arsyetuar kur pianistja ka nisur interpretimin në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë të shtunën mbrëma.
Mariam Vardzelashvil qysh në fillim ka treguar se ka kombinuar veprat bashkëkohore me ato klasike. Koncertin e ka hapur me “Panorama” të kompozitores gjeorgjiane Eki Chabashvili. E shkurtër, por me një lojë precize, “Panorama” zbërthen mozaik tingujsh të frymës bashkëkohore. Pas saj qe radha e “Wandererfantasie” të Franz Schubertit e kompozuar më 1822. Vardzelashvil nëpërmjet lojës së saj pos që ka shfaqur shkathtësitë teknike, ka bërë që vepra nga periudha bashkëkohore ta kthejë publikun në shekullin XIX. Koncertin e saj solistik e ka vazhduar me kompozitorin gjerman Reinhard Keiser dhe veprën e tij “Red Queen”. Para secilit interpretim, ajo ka njoftuar publikun se çfarë do të luajë. Dhe kjo formë e të bërit koncert ka krijuar një interaktivitet me publikun. Koncertin e ka përmbyllur me Robert Schumann e versionin e dytë të veprës së tij “Symphonic Etudes” që sjell imazhin e Vjenës. Kësisoj, kompozitorët më me nam të Austrisë kanë gjetur vend në “menynë” artistike të saj.
Pas koncertit Vardzelashvili ka thënë se Prishtina i ka dhënë ngrohtësi.
Pianistja Besa Luzha, e cila vetë drejton festivalin “Chopin Pianon Fest” ka thënë se Vardzelashvilli ka demonstruar një mjeshtri të veçantë. E ka përshkruar atë si një artiste të zonjën e cila di të bëjë për vete publikun.
“Re Musica” sapo ka nisur rrugëtimin e 18-të. Janë edhe 8 koncerte që sjellin magjinë e muzikës klasike.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")