Kulturë

“Neo_School” – mundësi për vizualizimin e rrëfimeve kreative

“Kino Armata” vazhdon serinë e projekteve edukative. Moduli për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë mbetet një mundësi e hapur për këdo që dëshiron ta sfidojë veten në filmbërje, duke nxitur zhvillimin e mendimit kritik. Pjesëmarrëset mund t’i hyjnë rrugës së filmit duke mësuar prej mentorëve të dëshmuar në fushat përkatëse

Insektet në Prishtinë dhe një harmonist i cili shumë shpesh luan në sheshin “Skënderbeu” janë dy gjëra që i kanë mbetur në kujtesë Era Qenës. Ajo ka dëshirë që për to të mësojë më shumë. 21-vjeçarja është duke vrarë mendjen se si këto dy rrëfime – që në shikim të parë të përbashkët e kanë vetëm kryeqytetin – t’i bëjë tok në një projekt filmik. Është duke provuar mënyra të ndryshme strukturore për t’i dhënë formë një dokumentari 3-4-minutësh. Asnjëherë më parë nuk ka realizuar film. Epitetin e regjisores do ta marrë pas mbarimit të shkollës joformale “Neo_School”. Organizuar nga “Kino Armata”, ky është moduli i dytë për prodhimin e filmave të shkurtër dokumentarë.

Që nga 31 maji e deri më 4 korrik, gjashtë pjesëmarrëseve e zgjedhura po u ofrohet mundësia të dëgjojnë ligjërata nga liderë në fushën e filmit dhe hulumtimit, mbi aspektet e ndryshme të procesit të filmbërjes së dokumentarëve, prej produksionit, hulumtimit, zhvillimit të skenarit, regjisë, montazhit, audios e të tjera. Të njëjtat, pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, do të prodhojnë nga një film të shkurtër dokumentar. Do të sfidohen personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspekte të tjera të procesit të filmbërjes.

Qena, e cila studion psikologji dhe antropologji kulturore, është njëra nga pjesëmarrëset. Ajo ka thënë se gjithmonë ka dashur të merret me art. Ka shtuar se prindërit e saj ia kanë “cenuar anën artistike”, duke mos e lejuar të shkojë në shkollë të muzikës, të merret me balet, apo t’i vazhdojë studimet për pikturë a regji filmi.

Ka treguar se pjesëmarrja në këtë ngjarje është vazhdimësi e dëshirës që e ka pasur si fëmijë, e që tek tani i është dhënë mundësia ta zhvillojë.

“Kuptohet, është akoma herët dhe ideja mund të ndryshojë ose të vijnë ide të reja, por për momentin jam fiksuar në këto të dyja dhe po dua që ta gjej një mënyrë se si t’i vizualizoj këto dy ide”, ka thënë Qena.

Njëlloj si ajo, as pjesëmarrësja tjetër, Blerta Haziraj, më parë nuk e ka realizuar e vetme një projekt artistik.

“Që në fillim kam parë gjithçka si shumë sfiduese, si një mundësi të mirë për ta mësuar aspektin teknik të realizimit të një filmi, nga gjetja e një storieje e deri te dokumentimi i saj. Pra, i gjithë procesi i filmbërjes, përfshirë edhe editimin, edhe audion”, ka thënë Haziraj. 26-vjeçarja e cila ka përfunduar studimet për psikologji në Universitetin e Prishtinës ka treguar se ka disa ide, por ende i duhet kohë t’i strukturojë ato.

“Po mendoj ta realizoj një dokumentar që është edhe pak fiksion artistik. Pra, më shumë jam e interesuar të dokumentoj se çka njerëzit bëjnë, si sillen ata. Dua që dokumentari të jetë një lloj pasqyre, por jo një pasqyrë pasive”, ka thënë ajo.

Haziraj ka lavdëruar punën e ligjëruesve, pasi po ua bëjnë më të lehtë gjithë këtë proces atyre, me këshillat, bisedat e reagimet e menjëhershme që po i shprehim. Për të, i gjithë procesi po u ndihmon që t’i kthjellojnë idetë e tyre, duke i dhënë një drejtim të caktuar rrëfimit në aspektin dokumentaresk.

Regjisori Ilir Hasanaj, njëkohësisht mentor në “Neo_School”, si dhe pjesë e “Kino Armatës”, ka thënë se shkolla joformale vazhdon ta ketë si bazë edukimin.

“Nuk është se pjesëmarrësit vetëm vijnë dhe dëgjojë një ligjërues që flet për procesin e filmit ose dokumentarit dhe në fund merr një certifikatë. Personat që i marrim në këtë shkollë janë edhe vetë krijuesit e një produkti. Mendoj se është mënyra më e mirë, pasi mësojnë përmes praktikës, marrin kamerën dhe marrin vendime që merr një regjisor, vënë kontakt me karaktere, bëjnë montazhin, titrat – pra të gjitha, prej A-së deri në Zh”, ka thënë ai.

E përvoja ka thënë se mund t’u shërbejë ose për t’i hyrë rrugës së filmbërjes, ose për ta inkuadruar atë në hulumtimet e tyre, apo procese të tjera të ngjashme. Po ashtu është edhe një nxitje e mendimit kritik.

Ai ka theksuar se “Kino Armata” për module të tilla nuk kërkon njerëz që kanë realizuar filma më herët. Ka potencuar se ata janë në kërkim atyre që janë punëtorë dhe kanë njëfarë talenti dhe interesi shumë të theksuar për të krijuar një film, por që përpara nuk e kanë pasur këtë mundësi. Hasanaj ka thënë që fakti se moduli i realizuar vitin e kaluar kishte dalë i suksesshëm i kishte shtyrë të vazhdonin tutje.

“I kemi shfaqur filmat e vitit të kaluar dhe kemi marrë reagime pozitive nga njerëzit dhe është vlerësuar pikërisht kjo qasja që nuk është e bazuar në teori, por që është më shumë e fokusuar në praktikë dhe te vetë personat, pasi që te secila fazë mundohen të bëhen më shumë pyetje sesa të jepen përgjigje të gatshme”, ka thënë ai.

Një dokumentar i vitit të kaluar i kishte lënë përshtypje edhe gazetares dhe hulumtueses Dafina Halili. Kishte shikuar projektin “I Have Never Been on an Airplane” të Redon Kikës, që sjell rrëfimet e tre të rinjve prishtinas që nuk kanë udhëtuar asnjëherë me aeroplan. Nëpërmjet tij ishte njoftuar më shumë edhe me punën që bëhet në “Neo_School”.

“Kam qenë e impresionuar me punën e regjisorit të ri dhe e kam parë rëndësinë që ka pasur shkolla joformale e ‘Armatës’ për të krijuar filma të rinj, pasi që nëse dikush ka ndonjë ide për të krijuar një film, atëherë shumë me të lehta janë edhe kontaktet, edhe ekspozimi në kamerë, teknikë, e çdo gjë kur je pjesë e një rrjeti si këtu”, ka thënë ajo. Kjo e kishte shtyrë të pranonte të bëhej pjesë e ekipit të mentorëve.

Në mesin e kësaj jave ajo ligjëroi për rolin e gazetarisë dhe hulumtimit në procesin e bërjes së filmit dokumentar, që sipas saj është një lloj i gazetarisë, por kryesisht asaj audio-vizuele.

“Jam duke u munduar përmes përvojës sime në gazetari, njohjes e punës në gazetari, ta shpjegoj rëndësinë dhe rolin që kanë në realizimin e filmit dokumentar mbledhja e fakteve e hulumtimi në terren, si gjenden idetë, si zhvillohen ato, pastaj si intervistohen personazhet, si të krijohet besimi dhe si të veprohet me tema më delikate”, ka thënë ajo.

Përveç Ilir Hasanajt dhe Dafina Halili, gjashtë pjesëmarrëset do të kenë për mentor edhe redaktoren e producenten Besa Luci, audio-inxhinierin Pëllumb Ballata, kinematografin Petrit Ukëhajdaraj, montazherin Enis Saraçi, producentin Bujar Kabashi, fotografin e regjisorin Samir Karahoda dhe regjisoren Blerta Basholli. Po ashtu, do të dëgjojnë edhe nga përvojat e studentëve të vitit të kaluar.

E përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës, “Kino Armata” ishte pajisur me kamera, mjete audio, njësi montazhi e të tjera, gjëra që ua mundësuan pjesëmarrësve të platformës “Neo_School” ta bënin falas realizimin teknik të filmave.

Në kuadër të “Neo_School”, në janar të këtij viti ishte mbajtur edhe moduli i parë për prodhim elektronik të muzikës dhe zërit.