Prishtinë, 6 shkurt – Vetëm Bashkia e Lushnjës dhe atë me një postim në Facebook ka kujtuar këngëtaren Vaçe Zela në 8-vjetorin e vdekjes, të dielën më 6 shkurt. Institucionet e tjera të vendit nuk e kanë kujtuar në asnjë formë një prej këngëtareve më të njohura në Shqipëri.
“Vaçe Zela, ‘Artistja e Popullit’, ‘Nderi i Kombit’, e lindur në një familje të thjeshtë lushnjare, u nda nga jeta më 6 shkurt 2014 në Basel të Zvicrës. Por, me zërin e saj të magjishëm vazhdon të ligjërojë në dhjetëra këngë të muzikës së lehtë, popullore e të repertorit të huaj”, shkruhet midis të tjerash në profilin e Bashkisë së Lushnjës në Facebook.
E lindur më 7 prill 1939 në Lushnjë, Vaçe Zela vdiq më 7 shkurt në Basel të Zvicrës.
Si e re ajo vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do ta përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit. Nga ky formacion nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio Televizionin Shqiptar. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.
Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Gjithashtu, ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”. Disa nga këngët më të njohura të saj janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Zela e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës së RTSH-së, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen” e “Një zambak i bardhë në gur”.
-
Vidhet shtëpia e Vaçe Zelës, hajdutët marrin edhe dekoratën “Nderi i Kombit”
-
Kujtim periferik në 37-vjetorin e dënimit me vdekje të poetit Nela
-
Xhejlane Gutaj – një zë i përjetshëm i këngës popullore
-
Margarita Xhepa – ylli që shndriti qiellin e artit shqiptar
-
Viti i humbjes së ikonave, shndritjes së artistëve e skandaleve kapitale