Një vend të merituar në historinë e muzikës popullore shqipe, ajo ia siguroi vetes qoftë veç me këngën “Po t’përbej pash Perëndinë”. Por Xhejlane Gutaj përgjatë karrierës prej katër dekadash u dha zë rreth një mijë këngëve nga repertori i muzikës popullore, theu akullin kur doli në skenë, u tërhoq e bëri një jetë krejt të thjeshtë e për dikë u la në harresë ani pse vetë ajo s’e pranonte këtë. “Nuk besoj që më kanë harru, sepse ma merr mendja që nuk kam qenë një këngëtare e thjeshtë për me më harru”, do të thoshte vetë ajo. Dhe kishte të drejtë, ajo nuk ka qenë “një këngëtare e thjeshtë” për t’u harruar
Ka jo pak raste në botë, kur mjafton vetëm një këngë që zëri të bëhet i përjetshëm e të shënojë një kapitull muzikor. Qoftë veç me këngën “Po t’përbej pash Perëndinë”, i tillë është fati i Xhejlane Gutajt. Këngëtarja e njohur pejane, pjesëtare e një gjenerate që shkroi historinë e muzikës shqipe vdiq të premten kur iu dha lamtumira e fundit në Pejë. Ishte 72-vjeçare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAni pse emri i saj është i paharrueshëm e i pashmangshëm dhe lidhet nyjë veçmas me hitin e vitit 1970, regjistruar me orkestrën profesionale të Radio Prishtinës, me insistimin e dirigjentit Isak Muçolli, e që përfaqëson kulmin e karrierës së saj, për dikë ajo u la në harresë nga institucionet e vendit përkundër karrierës 40-vjeçare.
Gutaj ishte ajo që iu bashkua një gjenerate që theu akullin kur zor imagjinohej që femra të këndonte e të dilte në skenë. Pas luftës u rikthye në aktivitetin artistik duke u angazhuar në shoqatën kulturo-artistike “Përparimi”, ku kishte kontribuar edhe në vitet e hershme të karrierës së saj. Viti 1968, si 15-vjeçare, qe pikënisja e karrierës së saj.
“Kam filluar më 1968-n, i ndjeri Qamili i Vogël. Kemi pasë një banket në shtëpi, baba jem i ndjerë e ftoi”, do të kujtonte Gutaj në një intervistë televizive më 2022. I ati do t’i kërkonte së bijës që në atë ndejë ta këndonte një këngë. Pas dy muajsh, Qamili i Vogël do ta ftonte që ajo t’i bashkohej për të regjistruar nja dy këngë. Në pllaka gramafoni do të regjistronte “Mora testin” dhe “Shoqe mori shoqe”. Rritja në karrierë qe e vrullshme. Pas koncerteve të vogla, do të ngjitej edhe në skenën e festivalit të njohur të asaj kohe “Kosovarja këndon” ku më 1974 mori çmim të dyfishtë dhe pasuan edhe pesë trofe të tjerë. Zëri i saj jehoi edhe në Novi Sad, tok Sabahate Bërjalollin. Triumfoi në mesin e 120 këngëtarëve nga krejt hapësirat e Jugosllavisë së asaj kohe me “O djali i gemit”. Viti 1972 do të shënonte daljen jashtë vendit. Bashkë me Shyqyrije Spahiun do të mbanin turne shtatëmujor në Gjermani. Më pas, për më shumë se një dekadë punoi në Radio Prishtinë. Më 1981 pasoi turneu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ajo u rikthye edhe më 1988.
Detaje si këto, do t’i shpaloste vetë ajo në njërën prej intervistave të rralla në “TV Dukagjini”. Shënime zyrtare për Xhejlane Gutajn nuk ka. Përgjatë karrierës ka rreth një mijë këngë popullore që i ka kënduar. Pas luftës u tërhoq krejtësisht nga skena.
“Nuk besoj që më kanë harru...”, do të thoshte ajo në fillim të përgjigjes në pyetjen nëse beson se e kanë harruar. Por e kishte fjalën për publikun dhe përgjigja ka edhe një pjesë.

Për etnomuzikologun Behar Arllati, këngëtarja Xhejlane Gutaj përfaqëson gjeneratat e arta të femrave shqiptare në Kosovë, të cilat e kanë thyer akullin dhe kanë kënduar në mikrofon në një kohë kur dalja në skenë ka qenë një tabu për të gjitha femrat.
“E di nga përvoja ime që dalja në skenë ka qenë e vështirë dhe tabu në atë kohë. I tillë ka qenë mentaliteti dhe Xhejlane Gutaj ka qenë një prej atyre që e ka thyer këtë mentalitet. I takon së njëjtës gjeneratë të këngëtareve pejane me Shahindere Bërlajollin e Sabahate Bërlajollin”, ka thënë Arllati në një deklaratë për “KOHËN”, të premten pas lajmit për vdekjen e saj. Numerikisht, Gutaj sipas Arllatit nuk është se ka lënë ndonjë trashëgimi të madhe.
“Mirëpo në kohën kur i ka regjistruar, në fillim të viteve ’70, kanë qenë të arritura të mëdha, aspak të vogla. Bie në sy edhe përzgjedhja këngëve, për shembull, ‘Mora testin’, një këngë që e ka kënduar edhe Nexhmije Pagarusha. Ta këndosh një këngë pas saj, ka qenë jo e lehtë, sepse praktikisht i ke bërë konkurrencë. Pastaj kënga ‘Vaj si kenka ba dynjaja’ e ‘Po t’përbej pashë Perëndinë’”, ka thënë Arllati.
Këngëtari Ramadan Krasniqi-Dani, ka qenë një prej emrave të cilin e çmonte vetë Gutaj. Me rastin e vdekjes së saj, ai ka shkruar se ajo do të kujtohet “çdoherë për zërin dhe dashurinë që ia fali këngës”.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka shkruar se zëri i saj i veçantë dhe interpretimi plot shpirt “do të mbeten përherë në kujtesën e artdashësve”. “Ajo la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë, duke e bërë këngën të jetojë përtej kohës. ’Po t’përbej pashë Perëndinë’ – një dëshmi e artit që nuk shuhet kurrë. Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin artistik. Kujtimi yt do të jetojë gjithmonë në mes këngës që u bë përjetësi”, ka shkruar DKRS-ja e Pejës.
Vazhdimi i përgjigjes së vetë Xhejlane Gutaj nëse ndihej e harruar, ia nxjerr modestinë e saj.
“Nuk besoj që më kanë harru sepse ma merr mendja që nuk kam qenë një këngëtare e thjeshtë për më me harru. Por të gjithë më respektojnë e me nderojnë edhe kur jam në rrugë më përshëndesin. Nuk besoj... por bën vaki që edhe më kanë harru sepse moti nuk këndoj”, do të thoshte ajo.
Për sa të jehojë kënga e saj, ajo mbetet e paharruar.
“Këto këngë kanë lënë gjurmën e saj”, ka thënë etnomuzikologu Behar Arllati.
Por përkundër kontributit, jeta e saj pas gjithë kësaj karriere ka kontraste.
“Nëse e krahasojmë kontributin e saj me fundin e jetës së saj, aspak të denjë, pasi dihet që për vite ka jetuar në harresë, një jetë modeste, mendoj se i është bërë padrejtësi nga shteti që nuk është marrë me figurat që kanë dhënë kontribut të veçantë. Ajo vdiq e lënë në harresë. Sot jo vetëm Peja, por gjithë Kosova ka humbur një nga këngëtaret perlë të këngës shqipe”, ka thënë Arllati. E, kjo duhet të jetë kambanë.
“Apeloj që institucionet të trajtojë ndryshe këngëtarët që kanë dhënë kontribut, të mos lihen në harresë, të mos lihen të vdesin si këngëtarë që nuk kanë dalë kurrë në skenë. Xhejlaneja ka pasur merita në kohë të keqe, një kohë jashtëzakonisht të rëndë me mentalitetin tonë patriarkal, por edhe në atë të ish-Jugosllavisë. T’u jepet ndonjë mirënjohje, le ta dinë që puna e tyre e dikurshme, dhe e disa dekadave më përpara, po shpërblehen. Edhe pse e bënë në vonesë, por ta dinë se po shpërblehen”, ka thënë ai.
Ka rikujtuar se ka edhe këngëtarë të tjerë që ende jetojnë dhe duhet të ketë trajtim më të denjë nga institucionet.
“Sepse në një kohë kur ato kanë dhënë kontribut, mbase nuk ka guxuar as mashkulli të dalë në skenë, sepse ka qenë vështirë për disa arsye. E gratë kanë pasur shtesë edhe tabunë e të qenit e tillë. Më vjen keq që Xhejlane Gutaj vdiq e harruar. Kjo është fatkeqësi”, ka thënë ai.
Xhejlane Gutajn e merrte malli fort për këngë. “Sepse 40 vjet nuk janë pak”, thoshte ajo.