Kulturë

“Ndërmjetësuesi” i shërbimeve për institucionet kulturore – 600 mijë euro

Asnjë institucion kulturor në varësi të Ministrisë së Kulturës nuk mund të blejë produkt e të paguajë ndonjë shërbim, pa kaluar nëpërmjet kompanisë që e ka kontraktuar MKRS-ja. Janë 150 produkte e shërbime që për 36 muaj do të blihen nëpërmjet kësaj kompanie derisa të arrihet shuma e kontraktuar. Për udhëheqës institucionesh, pos që një gjë e tillë ua vështirëson punën dhe monopolizion mënyrën e furnizimit, rrit edhe shpenzimet, pasi produkti i njëjtë kur kalon edhe nëpërmjet “ndërmjetësuesit”, ka rritje çmimi

Ministria e Kulturës ka punuar në dy drejtime sa i përket menaxhimit financiar të institucioneve të saja vartëse. Në njërën anë i ka bërë me kode buxhetore në Ligjin për buxhetin e këtij viti duke proklamuar pavarësim financiar, e në anën tjetër, ka vulosur monopolizim sa u përket nevojave për disa nga produktet e shërbimet që u duhen institucioneve. Përtej kësaj, paqartësia që ka krijuar është problem më vete.

Në vjeshtën e vitit të kaluar, u prezantua si alamet arritjeje përfshirja e kodeve buxhetore në Ligjin për buxhet për institucionet qendrore të kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Pritej që t’i jepej fund lëmshit të lëndëve që grumbulloheshin në Divizionin e financave në MKRS për secilin shërbim që duhej paguar institucionet. Proklamohej se pagesat tash do të bëheshin nga vetë institucioni vartës.

Por paralelisht, MKRS-ja kishte çuar përpara një tjetër proces: atë për kontratën kornizë me një kompani private. Pesha financiare e kësaj kontrate është 600 mijë euro. Do të jetë në fuqi për 36 muaj.

“Të bashkëngjitur mund ta gjeni kontratën kornizë pjesë e së cilës është edhe lista e produkteve të cilat mund të porositen nga kontraktori i përzgjedhur”, shkruhet në njoftimin që MKRS-ja ua ka përcjellë institucioneve vartëse të kulturës dhe trashëgimisë kulturore në fillim të marsit. Janë fiks 150 artikuj që institucionet bashkë me MKRS-në duhet t’i marrin nga kompania që ka fituar tenderin. Është “Blendi” me seli në Prishtinë. Çmimet janë muhabet më vete.

Përderisa një mysafir akomodohej me 40 e 50 euro në hotelet rreth qendrës e me 80 euro në ato më luksoze në qendër, sipas kontratës, tash akomodimi kushton 150 euro për person. Mjetet merren nga buxheti i institucioneve të kulturës, pasi MKRS-ja ka vendosur kësisoj.

“Tash jam punëtor i ‘Blendit’”, ka thënë me ironi një prej punonjësve institucionalë që merret me furnizim. Ai blen në dyqane produktet që janë të përfshira në kontratë, kurse në vend të institucionit ku punon, faturat i dorëzon te “Blendi”, në mënyrë që të bëhet pagesa.

Kontrata me titull “Shërbimet e prodhimit të spoteve televizive dhe dokumentareve për nevojat e MKRS-së”, është nënshkruar nga ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi më 22 shkurt të këtij viti. Po atë ditë është nënshkruar edhe nga Shaip Rama, drejtor i kompanisë “Blendi”. Sipas kontratës, kompania do të mbulojë, prej koktejeve, dizajnit të skenave të ngjarjeve a katalogëve e deri te përkthimi e transporti vendor e ndërkombëtar i veprave të artit.

KOHA i ka adresuar pyetje MKRS-së në ditën e 18-të të marsit kur ky institucion udhëhiqej nga ministrja Vlora Dumoshi. Nuk janë përgjigjur.

Në ditën e 22-të të këtij muaji të njëjtat pyetje i janë drejtuar edhe kabinetit të ministrit aktual, Hajrulla Çeku. As pas pesë ditësh, nuk kanë kthyer përgjigje. Në pyetjet e parashtruara, KOHA ka kërkuar sqarime se përse në njërën anë MKRS-ja synon pavarësim financiar të institucioneve me anë të kodeve buxhetore e në tjetrën monopolizon furnizimet me anë të një kontrate. Më pas është kërkuar përgjigje se përse disa shërbime duhet paguar më shtrenjtë kur ekzistojnë mundësi më të lira dhe si do të veprohet me produkte të cilat nuk janë në listën e kontraktorit.

Për institucionet, rrethanat e reja janë një rrëmujë më vete. Burimi i problemit daton qysh në vitin 2018. Në qershor të atij viti, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte ardhur në përfundim se institucionet e kulturës kanë llogari në bankat komerciale. Ato nuk ishin të autorizuara nga Thesari i Shtetit. MKRS-ja asokohe vendosi që të mos derdhë më mjete në ato llogari. Kësisoj, gjithçka u centralizua. Të gjitha pagesat duheshin bërë nëpërmjet Divizionit të Financave në MKRS.

Për të blerë një bukë që mund të jetë pjesë e rekuizitave në një shfaqje, duhet certifikata fiskale e furrës, kuponi fiskal, certifikata e regjistrimit të biznesit dhe kopja e letërnjoftimit të pronarit apo drejtorit. Si pasojë e lëndëve me dënga të dokumenteve, pagesat vonohen për muaj të tërë.

“Zgjidhja” që ka bërë MKRS-ja me kontratën 600 mijë euroshe nuk e lehtëson gjendjen.

Balerini Kreshnik Musolli, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë se kontrata e MKRS-së me kontraktorin ekonomik përveç në aspektin e printimit të materialit promocional siç janë posterët, pllakatet, ftesat e katalogët e shfaqjeve, nuk u përshtatet kërkesave, sepse nuk përmban gjërat esenciale që i duhen BKK-së.

“Ato janë materialet e kostumeve, materialet e skenografisë, rekuizita të ndryshme e të tjerë. Po ashtu në këtë kontratë ka çmime tejet të larta për gjëra e shërbime të ndryshme të cilat kur i organizojmë vetë si institucion, janë shumë më të lira”, ka thënë ai.

Shefqet Gjocaj, që është në mandatin e dytë si drejtor i përgjithshëm i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ka thënë se MKRS-ja ka kurthuar institucionet vartëse si asnjëherë më parë.

“Jemi të lidhur këmbë e duar. Kontraktori mund t’i dërgojë mysafirët që të akomodohen në një hotel ku kushton 30 euro, kurse paguhet me 150 euro nga buxheti i projekteve të institucioneve”, ka thënë Gjocaj. Sipas tij, veprimet për pavarësim të institucioneve dalin të jenë të pavërteta.

“Veprimi për pavarësim po del të ishte hap fals”, ka thënë ai. Ka treguar se janë në hall me produktet që nuk i ofron kompania që ka fituar tenderin. “Tash ne, për çdo gjë që blejmë duhet të hapet tender nga MKRS-ja. Kjo shkakton probleme të mëdha pasi tenderët kërkojnë kohë”, ka thënë ai.

Kompania “Blendi” nëpërmjet postës elektronike ka konfirmuar se ofrojnë artikujt që janë në kontratë me çmimet që po ashtu janë në kontratë.

“Ne si kompani fituese e këtij projekti, do të paguhemi vetëm sipas kërkesave të artikujve që gjenden në këtë kontratë”, shkruhet në përgjigje.

Në ditët në vazhdim KOHA do të raportojë se si ka ndodhur që në fatura të shkruhet një produkt e realisht është blerë një tjetër duke iu përshtatur kontratës së MKRS-së që një kompani private të ketë monopolin për ofrimin e 150 artikujve.

Kodet buxhetore të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore janë jofunksionale. Për secilin institucion duhet të shtohen edhe tre zyrtarë, zotues, certifikues e zbatues, në mënyrë që të mund të përdoret buxheti.