Kulturë

Ndarja dialektore e shqipes zuri vend në trojet e sotme

Foto: Koha

Plot 165 vjet më parë ishte hedhur ideja që folësit e gegërishtes dhe toskërishtes nuk mund të merreshin vesh me njëri-tjetrin dhe se relacioni mes këtyre dialekteve qëndronte njësoj si ai mes folësve të gjermanishtes, danishtes dhe suedishtes.

E konsideruar nga të gjithë si vepra pioniere e albanologjisë, Johann Georg Hahn në “Albanesische Studien” kishte hedhur i pari idenë që ndarja dialektore e shqipes ishte trashëguar nga gjendja antike në Ballkanin klasik: sipas tij, gegërishtja duhej të përfaqësonte të folmet e ilirëve të jugut, kurse toskërishtja ishte vazhdim i të folmeve jogreke të Epirit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një shpalim pikëpamjesh të studiuesve të ndryshëm ka qenë boshti i ligjëratës mbi një orë e gjysmë të akademik Rexhep Ismajlit, të mbajtur të martën në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në ligjëratën e parë në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studentë, studiues e albanologë të huaj patën rastin të njiheshin me evoluimin e pikëpamjeve mbi ndarjen dialektore të shqipes, por edhe me rezultatet më të reja shkencore që hedhin dritë mbi këtë problem.

Teksa në projektor shfaqej një hartë e arealit të shqipes të ravijëzuar nga dy dialektet kryesore, Ismajli ka thënë se lumi Shkumbin është marrë si “zona e ndërmjetme kufitare”.

“E kam shtruar çështjen e ndarjes dialektore të shqipes duke e vështruar nga një kënd ballkanologjik për disa arsye. Interesimet e mia janë kryesisht historike dhe kjo çon drejtpërdrejt te problematika e gjuhësisë”, ka thënë ai.

Duke shpalosur idenë e Hahnit mbi ndarjen dialektore të shqipes, Ismajli ka vlerësuar se albanologët e huaj me kohë i kanë hedhur poshtë pretendimet e tij.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)