Ndryshe nga interpretimet që e definojnë totalitarizmin, në versionin komunist apo në versionin nazist, kryesisht si regjim i sundimit të egër, Lefort me koncepte subtile e të thella shpalos mekanizmat e ndërmarrjes totalitare për të zotëruar, normalizuar dhe uniformizuar “elementin më sekret, më spontan, më të pakapshëm të jetës sociale, brenda zakoneve, shijeve dhe ideve”.
Shoqëria moderne demokratike, për Lefort, dallon dukshëm nga regjimi totalitar, ndonëse ky, sipas interpretimit të tij, buron nga paradokset dhe kundërthëniet e së parës. Ky dallim ka të bëjë së pari me statusin e pushtetit, me relacionin shteti-shoqëria civile, me kaplimin e shoqërisë civile nga pushteti politik, në saje të ndërmjetësimit të Partisë.
Ndryshe nga shoqëria moderne demokratike, ndonëse e cilësuar me kufizime e kundërthënie, regjimi totalitar, sipas Lefortit, imponon “një çdiferencim (apo heqje e diferencave midis) të instancave që përcaktojnë procesin e konstituimit të një shoqërie politike”. Kjo nënkupton se kriteret e ligjit dhe ato të njohjes do të jenë nën sundimin e pushtetit.
Partia bolshevike sikurse edhe Partia naziste janë figura të organizatës, që janë thelbësisht të ndryshme nga partitë tradicionale politike, që kishin objektiva të kufizuar “për të afirmuar interesat e tyre në organet e vendimmarrjes publike qoftë në aparatin shtetëror, qoftë në nivelin rajonal të udhëheqësve me orientim të njëjtë politik”. Ajo që e cilëson partinë totalitare, ndërkaq, për Lefortin, është se së pari fakti se ajo ndërton një piramidë të komiteteve, qëllimi i të cilëve është “të kontrollojë dhe të rregullojë sjelljet në të gjitha fushat e jetës sociale, në të gjitha profesionet, por po ashtu edhe në të gjitha institucionet ku lidhen marrëdhëniet njerëzore që i shmangen suazës së institucioneve”. Për Lefortin objektivi i Partisë totalitare nuk gjen shprehje vetëm me vullnetin për sundim, por me një synim më themelor që të transformojë efektivisht raportet sociale, duke bërë që “gjithçka të jetë e organizueshme, gjithçka të jetë materie për organizimin e Partisë”./Muhamedin Kullashi
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)