“Kulturat e përbashkëta, trashëgimia e përbashkët, përgjegjësia e përbashkët” është tema e sivjetshme e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Pikërisht duke iu përmbajtur kësaj teme, Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës të hënën e kanë shënuar këtë ditë. Kanë ndarë përgjegjësi institucionale e kanë prezantuar histori të organizimit të jetës muzeore në vend. Dita Ndërkombëtare e Muzeve ka rastisur edhe më datën kur Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të hapen për vizitorë muzetë e galeritë që ishin të mbyllur qysh prej 13 marsit shkaku i masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, një dokumentar i shkurtër për muzetë në vend e një ekspozitë virtuale ishin pjesë e “menysë” së institucioneve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës është nënshkruar Memorandumi i bashkëpunimi midis ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi, e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema. Dy institucionet janë marrë vesh edhe me letra sa i përket punës për rithemelimin e Muzeut të Historisë së Natyrës. Ky institucion ka funksionuar nga 1951 deri më 2001. Në maj të vitit të kaluar është vënë guri themeltar i ndërtimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në Sllatinë të Fushë-Kosovës. Por gazeta ka raportuar se është punuar shumë pak shkaku i mungesës së buxhetit. Janë shpenzuar 121 mijë euro përderisa kostoja totale e konkretizimit të projektit është 2.4 milionë euro. Prej fillimit të këtij viti nuk janë zhvilluar punime.
Sipas memorandumit, MKRS-ja ka për obligim të ndërtojë infrastrukturën adekuate për Muzeun me gjithë hapësirat përcjellëse, financimin dhe ndihmesën e mbledhjes së fondeve për eksponatet dhe koleksionin e Muzeut. E Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore ka marrë për obligim ndihmën në aspektin shkencor dhe teknik të hulumtimeve dhe ekspozitave, pasurimin e koleksionit, konservimin, kërkimin, mbledhjen dhe përhapjen e diturisë mbi natyrën në Kosovë dhe vënien në dispozicion të kuadrit profesional për Muzeun.
Ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, ka thënë se muzetë janë një thesar më vete. Është zotuar se si ministre do të mbështesë gjithmonë punën e profesionistëve të kësaj fushe.
“Ruajtja dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore të vendit tonë është qëllimi ynë parësor dhe i përbashkët. Ne sot do të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës me qëllim të rithemelimit të Muzeut të Historisë së Natyrës, në funksion primar si muze dhe si qendër edukimi mbi historinë e natyrës”, ka thënë Dumoshi.
Në gusht bëhen tre vjet prej kur njëri objekt i Muzeut Etnologjik është mbyllur për restaurim e konservim. E prej dhjetorit të vitit 2018 aty nuk është punuar, përderisa objekti është veç në skele e në gjendje të mjerueshme.