“E ardhmja e muzeve: Rijetësimi dhe Riimagjinimi”, ka qenë temë e sivjetme për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. E, Muzeu Kombëtar i Kosovës i është përgjigjur me aktivitetin “Muzeu në kuti”, ku një grup të rinjsh ka rijetësuar disa artefakte nga koleksioni i Muzeut. Aktiviteti është organizuar bashkë me aktivistët e “Mural Fest Kosova” e për qëllim parësor ka ngritjen e vetëdijes për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore
Një shëtitje në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe vështrimi i detajuar i koleksionit që ai posedon u kanë shërbyer disa studentëve e nxënësve të Kosovës si motiv për të nxjerrë në pah kreativitetin e tyre. Kanë pikturuar e dizajnuar disa kuti, duke rijetësuar përmes artit disa artefakte nga koleksioni i Muzeut.
“Muzeu në kuti”, ka marrë emrin ky projekt që u shpalos si aktiviteti kryesor për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, e që në Kosovë pasohet edhe me ngjarje të tjera.
Këtë vit, në të gjithë botën, Dita Ndërkombëtare e Muzeve po shënohet nën temën “E ardhmja e muzeve: Rijetësimi dhe Riimagjinimi”.
“Duke propozuar tek muzetë, profesionistët muzeorë dhe komuniteti që të krijojnë, imagjinojnë dhe të ndajnë përvoja të reja të (bashkë-) krijimit të vlerave, modele të reja të punës për institucionet kulturore dhe zgjidhje inovative për sfidat e tashme sociale, ekonomike dhe mjedisore”, është sqaruar tutje në komunikatën e lëshuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve.
Aty bëhet e ditur se objektiva e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të ngrejë vetëdijen e faktit që muzetë kanë domethënien e shkëmbimit kulturor, pasurimin e kulturës dhe zhvillimit të mirëkuptimit të dyanshëm, bashkëpunimit dhe paqes mes njerëzve.
Për aktivitetin “Muzeu në kuti”, Muzeu Kombëtar i Kosovës punoi së bashku me aktivistët e “Mural Fest Kosova”. Qëllimi i Muzeut dhe Festivalit ishte që të ndihmonin ngritjen e vetëdijes për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Me aktivitetin “Muzeu në kuti” disa prej eksponateve më të rëndësishme të Muzeut Kombëtar të Kosovës vijnë rimodeluara duke hapur një tjetër koncept në njohjen e trashëgimisë kulturore
Debora Hetemi (18), nxënëse në shkollën e artit “Çesk Zadeja” në Ferizaj, ka qenë njëra nga pjesëmarrëset.
“Kemi dashur që të paraqesim në arka gjërat si arkeologjike ashtu edhe etnologjike dhe në këtë mënyrë kemi mësuar edhe ne më shumë për këto pasuri që i kemi të kulturës sonë, por do t’u mundësojmë edhe të tjerëve që të mësojnë për to”, ka thënë Hetemi, e cila është pjesë e stafit të “Mural Festit” tash e dy vjet.
Në dy kutia ajo ka rijetësuar monumentin votiv të gjetur në Viti, në vitin 1988, që daton nga viti 211 e që i kushtohet hyjneshës dardane, Dea. Monumenti, sipas përshkrimit, ka reliev në të katër faqet. Në dy prej tyre është i skalitur mbishkrimi i njëjtë, kurse në dy faqet e tjera janë të skalitura dy fusha simbolike-ornamentale, të cilat përbëjnë labirintin rrethor dhe labirintin katërkëndor.
“Veçori e labirintit të cilin unë e kam punuar është se ata e kanë një dalje, por në këtë rast ajo është e mbyllur me një rrush apo degë të rrushit dhe kjo pasqyron rëndësinë që ka pasur rrushi në atë kohë”, ka treguar Hetemi.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se kjo ditë e veçantë për muzetë përfaqëson një moment unik për komunitetin ndërkombëtar muzeor.
“Muzeu Kombëtar i Kosovës, përveç këtij aktiviteti, ka paraparë edhe aktivitete të tjera, mirëpo për shkak të gjendjes me pandeminë kemi ndryshuar edhe natyrën e aktiviteteve. Këto arka apo kuti prezantojnë vlerën tonë të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
Leci ka treguar se për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu Kombëtar i Kosovës ka krijuar arka lëvizëse, që rrjedhin si produkt i Arkës Arkeologjike dhe Etnologjike në “Programin Mobil” të realizuar në vitin 2011.
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, edhe në Kosovë është theksuar evoluimi dhe roli i muzeve si institucione demokratike që i shërbejnë komunitetit dhe zhvillimit të tij, duke u ndërlidhur edhe në rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka theksuar evoluimin e rolit dhe rëndësisë së muzeve si institucione demokratike që u shërbejnë komunitetit dhe zhvillimit të tij, duke u ndërlidhur edhe në rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë.
“Këta të rinj në njëfarë forme e kanë gjetur një medium për ta rikomunikuar pasurinë tonë kulturore përmes formave kreative, me një përpjekje për ta çuar përpara angazhimin tonë të përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin edhe kombëtar e ndërkombëtar të vlerave kulturore”, ka thënë ai.
Ministri Çeku, gjithashtu, ka potencuar se do të punojnë për ngritjen e kapaciteteve të muzeve në Kosovë.
“Do të punojmë që muzetë aktualë t’i fuqizojmë më tutje edhe në kuptim përmbajtjesor-programor, por edhe në krijim e kushteve me të mira për punë, veprimtari dhe ekspozim, dhe në të njëjtën kohë do të nisim edhe projekte të reja muzeale shumë të rëndësishme për vendin tonë gjithnjë me mision të dokumentimit të kaluarës, por edhe ekspozimit e komunikimit më të mirë të vlerave tona në raport me të gjithë në botë”, ka thënë ai. Ka theksuar se do të punojnë që Kosova të ketë regjistrin e vet të eksponateve, një dokument e databazë zyrtare, ku do të jenë të gjitha të dokumentuara, duke punuar pastaj për shtimin e fondit muzeor.
Për nder të kësaj dite, që shënohet që nga viti 1977, të mërkurën, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 12:00, do të hapet ekspozita e veçantë e koleksionit të instrumentistit të ndjerë Shaqir Hoti.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve me rastin e shënimit të kësaj dite nxit muzetë pjesëmarrës që të planifikojnë ngjarje kreative që lidhen me temën e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, të angazhojnë publikun dhe të nxjerrin në pah rëndësinë e rolit të muzeve si institucione që i shërbejnë shoqërisë, zhvillimit të saj, si dhe ndërtimit të paqes. Ngjarjet dhe aktivitetet që shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Muzeve mund të zgjasin një ditë, një vikend ose gjatë krejt javës. Këtë ditë sot e shënojnë më shumë se 37 mijë muze në 158 shtete, duke përfshirë këtu edhe Muzeun Kombëtar të Kosovës.