Prej një tufe flokësh, deri te fustani i kadifenjtë i kaltër të cilin ajo e pati veshur kur interpretoi në operën “La Traviata” të Verdit në “La Scala” të Milanos më 1955, vizitorët mund të magjepsen me trashëgiminë e divës operistike Maria Callas në muzeun e ri dedikuar sopranos legjendare.
I vendosur në objektin trekatësh të stilit neoklasik në zëmër të kryeqytetit të Greqisë, muzeu hap dyert me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj.
Kostume të shumta sikurse edhe fletorja që këngëtarja operistike e përdori për të mbajtur mend pjesë të shfaqjeve të saj, do të gjenden në mesin e eksponateve që i janë dhuruar e huazuar muzeut. Në katin e dytë vizitorët do të mund të dëgjojnë pjesë të shfaqjeve të njohura të saj.
Maria Anna Cecilia Sofia Kalogeropoulos, diva operistike me rrënjë greke e njohur botërisht si Maria Callas, u lind në New York në dhjetorin e vitit 1923, vetëm pak muaj pasi prindërit e saj mbërritën në SHBA nga Greqia. Babai i saj, George Kalogeropoulos, ishte farmacist dhe e ëma Evangelia (Litza) ishte aktiviste shoqërore ambicioze me aspirata të mëdha për familjen e vet. Afër kohës së lindjes së saj, babai i Marias ndryshoi mbiemrin e familjes në Callas. Maria ishte më e vogla e tre fëmijëve – motra më e madhe, Jackie, ishte lindur më 1917 dhe vëllai i saj, Vasilis, lindi më 1920. Maria nuk e njohu kurrë vëllanë e saj, por ishte e destinuar të jetonte në hijen e tij në pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj. Vassilis vdiq më 1922 nga meningjiti. Prindërit e saj, të dëshpëruar për një tjetër djalë, shkuan aq larg sa të këshilloheshin me astrologë. Biografët shkruajnë se Kur Maria lindi, e ëma ishte aq e shqetësuar dhe e zhgënjyer sa refuzoi ta shihte vajzën e vogël për katër ditë. “Motra ime ishte elegante, e bukur dhe miqësore dhe nëna ime preferonte gjithmonë atë. Unë isha rosa e shëmtuar, e shëndoshë dhe e plogët dhe jopopullore. Është mizore të bësh një fëmijë të ndihet i shëmtuar dhe i padëshiruar… Nuk do ta fal kurrë që më largoi tutje fëmijërinë. Gjatë gjithë viteve mund të kisha luajtur dhe të isha rritur, unë isha duke kënduar ose duke bërë para”, do të kujtonte diva operistike. Megjithatë, është diçka për të cilën e ëma e saj ka merita – insistimit të saj, pavarësisht nga mungesa e parave, që Maria duhej të merrte një edukim muzikor. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të hyrë në Konservatorin e Athinës, e ëma e Marias arriti të bindë Maria Trivella të dëgjonte të bijën e saj duke kënduar. Trivella u impresionua shumë nga zëri i Marias dhe ra dakord ta mësonte atë pa u paguar për këtë. “Një studente model. Fanatike, e pakompromis, që u dedikonte studimeve të saj zemrën dhe shpirtin. Progresi i saj ishte fenomenal. Ajo studionte pesë ose gjashtë orë në ditë. Brenda gjashtë muajve, ajo këndonte ariet më të vështira të repertorit të operës ndërkombëtare me muzikalitetin më të madh”, do të kujtonte më vonë ajo. Elvira de Hidalgo, soprano e famshme spanjolle, do të bëhej mësuesja e saj e ardhshme dhe do të luante një “rol thelbësor” në zhvillimin artistik të Callas. Kur ishte akoma studente, Callas siguroi një numër të vogël rolesh, shumicën falë lidhjeve të De Hidalgos. Që atëherë, asaj nuk i munguan kurrë angazhimet, duke punuar në mënyrë të qëndrueshme në produksionet operistike greke, derisa mori vendimin e guximshëm, në fund të luftës, që të kthehej në SHBA për të jetuar me të atin. Vdiq më 1977, pas një sulmi në zemër.
-
Napoli – qyteti ku asnjëherë s’ke parë mjaft
-
Opera po rikthehet falë muzikës moderne
-
Jolie: Gjatë xhirimeve të filmit “Maria” fëmijët e mi e panë dhimbjen brenda meje
-
Për ta luajtur rolin e Maria Callasit, Joliet iu desh të mësonte të frymonte përsëri
-
Marigona Qerkezi në dhjetëshen që synon çmimin prestigjioz