Muzeu Etnografik i Kavajës i është nënshtruar restaurimit dhe rijetësimit me projekt të programit të Bashkimit Evropian, “#EU4Culture”, i cili ka në listë disa monumente anekënd Shqipërisë. Institucioni muzeor në bashkinë rreth 20 kilometra nga Durrësi, i vendosur në një banesë rezidenciale mbi dyqind vjet të vjetër, do të prezantojë koleksionin e vet me “gjuhën” e teknologjisë bashkëkohore.
“Së bashku me zëvendësshefin e Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Jean-Baptiste Le Bras, e përfaqësues të UNOPS-it, inspektuam nga afër punimet që do ta kthejnë këtë objekt në një muze që do t’u flasë brezave jo vetëm me artefakte, por edhe me gjuhën e teknologjisë”, citohet të ketë thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
Muzeu Etnografik i Kavajës ndodhet në një banesë të bukur rezidenciale, ndërtuar në vitin 1800 nga familja Arkaxhi dhe e shndërruar në muze në 1971.
Ka rreth 810 objekte të tipologjive të ndryshme, që përfaqësojnë stilin e jetesës së Kavajës dhe krahinave përreth.
Muzeu Etnografik në Kavajë është planifikuar të ruajë funksionin si muze duke ruajtur rolin e tij si një pikë interesi, si për banorët e Kavajës, ashtu edhe për turistët që kalojnë kohën në zonat e plazhit të kësaj bashkie dhe bashkive fqinje.
Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tri aspekte: stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë; strukturën sistematike të oxhakut, dhomës së gjumit dhe dhomës së miqve dhe fondi i përgjithshëm etnografik. Karakteristika kryesore e fondit të muzeut etnografik përcaktohet nga një varietet të objekteve të tij dhe të origjinave të ndryshme të tyre.
Veprat artizanale të kompozuara në qeramikë, bakër dhe tekstile nga artizanë vendas, që përfaqësojnë qytetin dhe rajonin, janë të ekspozuara aty. Ka edhe një koleksion të gjerë punimesh nga rajonet e veriut, verilindjes dhe jugut të Shqipërisë.