Sivjet nën temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”, “Java e Bibliotekës” synon të nxisë kulturën e të lexuarit. E drejta e autorit dhe inteligjenca artificiale janë një lloj nënteme e ngjarjes në epokën e teknologjisë, në të cilën edhe promovohet Biblioteka Kombëtare. Digjitalizimi i koleksioneve po vazhdon ndërsa po bëhet rrjeti bibliotekar kombëtar për bibliotekat e vendit. Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 22-të, vetë institucioni i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është vlerësuar si perandori e kujtesës kombëtare
Si platformë për promovimin e leximit zhvillohet çdo vit “Java e Bibliotekës” në Kosovë. Sivjet nën temën “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit” synon të nxisë kulturën e të lexuarit. E drejta e autorit dhe inteligjenca artificiale janë një lloj nënteme e ngjarjes në epokën e teknologjisë, në të cilën edhe promovohet Biblioteka Kombëtare. Digjitalizimi i koleksioneve po vazhdon ndërsa po bëhet rrjeti bibliotekar kombëtar për bibliotekat e vendit. Në ceremoninë e hapjes së edicionit të 22-të, vetë institucioni i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është vlerësuar si perandori e kujtesës kombëtare.
Një pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit ruhet në hapësirat e Bibliotekës. Ajo vlerësohet jo vetëm për vlerat e rolin e rëndësishëm në formimin e gjeneratave, por edhe për vetë objektin ikonik në të cilin zë vend njëri prej atyre me të cilin identifikohet Prishtina.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Gaxha-Rogova, e ka quajtur “Javën...” si traditë të çmuar të institucionit që e drejton.
“Programin e sivjetmë të ‘Javës...’ e kemi konceptuar si platformë strategjike për të promovuar leximin, inovacionin dhe kulturën e dijes. Synimi ynë është ta ofrojmë komunitetin me bibliotekën, të rrisim vetëdijen për trashëgiminë e shkruar, të vlerësojmë punën e librarëve dhe të mësojmë më shumë për shërbimet bibliotekare në epokën digjitale. Në këtë frymë, lidhja midis traditës dhe inovacionit është esenciale. Bibliotekat ruajnë kujtesën kombëtare, por njëkohësisht janë edhe bartëse të risisë për të dëshmuar se bashkëjetesa është e domosdoshme", ka thënë ajo në fjalën e hapjes së “Javës së Bibliotekës”.
Ka thënë se shumë gjëra dukeshin të komplikuara e madje edhe të pamundura kur e mori pozitën e drejtoreshës së BKK-së, në gusht të vitit të kaluar.
“Sot jam e lumtur që tri projekte të mëdha të Bibliotekës tashmë kanë nisur: Rrjeti Bibliotekar Kombëtar, digjitalizimi i koleksioneve dhe fillimi i masterplanit të renovimit të kësaj ndërtese unike”, është shprehur Gaxha-Rogova.
Me 48 biblioteka publike në një sistem të përbashkët e ka konsideruar Rrjetin Bibliotekar si projektin më të madh dhe më vizionar të Bibliotekës. Nëpërmjet tij do të mundësohet katalogim i përbashkët, qasje online dhe shkëmbim burimesh ndërmjet bibliotekave.
“Kështu ndërtohet infrastrukturë e re e dijes", ka shtuar krejt në fund drejtoresha Blerina Gaxha-Rogova.
Zëvendësdrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toçi, e ka quajtur bibliotekën si perandori të kujtesës.
“Bibliotekat, sikurse edhe arkivat, janë institucionet që depozitojnë, klasifikojnë, ruajnë dhe që shërbejnë pasuritë e shkruara dhe ato gojore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo kërkon që puna e bibliotekave tona kombëtare të përqendrohet te lidhja e tyre në një sistem të unifikuar. Pas një shekulli të ndarë nga historia dhe me kufij politikë të imponuar nga Fuqitë e Mëdha, ne sot kemi në dorë t’i kthejmë kufijtë në një lëvozhgë boshe, pa përmbajtje praktike”, ka thënë ajo.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, Jovica Nikchevski, ka uruar që “Java...” të kujtojë që “çdo libër ka fuqinë për të ndryshuar njeriun dhe çdo lexues ka fuqinë të ndryshuar botën”.
“Kjo javë është e kremte për ata që i duan librin, dijen dhe kulturën. Ndryshimet na bashkojnë përtej kufijve dhe gjuhëve. Bibliotekat gjithmonë kanë qenë zemra e edukimit dhe rritjes shpirtërore. Është vendi ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja takohen në faqet e librave. Në një kohë kur teknologjia gjithmonë ndryshon mënyrën e jetesës, bibliotekat mbeten dyer të mençurisë dhe gardianë të trashëgimisë kulturore. Si fqinj, si miq, si dy vende, Kosova dhe Maqedonia kanë të njëjtin vizion: të ndërtojnë shoqëri në të cilat dituria është e qasshme për secilin”, ka thënë Nikchevski.
Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Turqisë, Mehmet Demir, ka thënë se bibliotekat janë institucione që ruajnë kujtesën e një kombi dhe atë ua kalojnë brezave të ardhshëm.
“Duke ruajtur njohuritë e akumuluara të së kaluarës, bibliotekat janë gjithashtu pioniere të inovacionit, duke luajtur një rol jetik jo vetëm në zhvillimin kulturor, por edhe në zhvillimin social dhe intelektual të shoqërive. Prandaj, adresimi i koncepteve si ‘tradita’ dhe ‘inovacioni’ është jashtëzakonisht kuptimplotë në kuptim të nënvizimit se është e mundur dhe e nevojshme të mbahen gjallë këto dy koncepte së bashku”, është shprehur Demir.
Në ceremoninë e hapjes në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, që e organizon "Javën...", ngjarja është vlerësuar festë e kulturës dhe e dijes. Programi i sivjetmë, pos sesioneve që do të zhvillohen, programi përfshin edhe panele diskutimi e punëtori.
Më pas është shfaqur një video prezantuese e Bibliotekës Kombëtare për rëndësinë e institucionit si monument e si hapësirë ku ruhet kujtesa kombëtare. Është vlerësuar si dritare drejt dijes për gjeneratat e tashme dhe ato të ardhme.
Muzika shqipe ka zënë vend në programin e hapjes.
Sopranoja Adelina dhe kuarteti harkor i Filharmonisë së Kosovës kanë sjellë këngët e ritmet e këngës së bukur shqipe. Kanë interpretuar këngën popullore “Asaman moj lule”, “Mallengjimi” nga Rashid Krasniqi, “Agimet shqiptare” të Avni Mulës dhe “E kujtoj atë takim”.
Është hapur edhe ekspozita “Trashëgimia orientale në Kosovë: Dorëshkrimet orientale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”. Për herë të parë janë ekspozuar rreth 30 vepra të rralla dhe me vlerë, prej tyre 25 janë dorëshkrime dhe pesë të shtypura. Prezantohet spektri i dijeve tradicionale islame. Ato datojnë prej kohës së Perandorisë Osmane, ndërsa në ceremoni është bërë e ditur që njëri prej tyre daton që nga viti 1347.
Edicioni i 22-të i “Javës së Bibliotekës” mbahet nga 6 deri më 12 tetor. Në kuadër të “Javës..” planifikohet të bëhet lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, do të ketë sesione shkencore mbi digjitalizimin, ruajtjen e trashëgimisë, teknologjinë dhe identitetin kulturor, promovimin e leximit, përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen ndërkombëtare, të drejtën e autorit dhe rolin e bibliotekave. Po ashtu aktivitete më vete janë edhe diskutimet mbi inteligjencën artificiale dhe bibliotekat, me ekspertë kombëtarë. Do të bëhet promovim i katalogut “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, përkujtim për Martin Camajn në 100-vjetorin e lindjes. Pos këtyre do të ketë edhe program kulturor e letrar me lexime, promovime librash dhe diskutime me shkrimtarë e përkthyes, përfshirë shfaqje filmash nga kinematografia kosovare çdo mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare.