Muzeu Etnografik i Beratit i është nënshkruar restaurimit të plotë, ndërsa deri tani janë bërë punime në suvatimin e fasadave në eksterier, si dhe suvatimet në enterierin e muzeut.
Gjithashtu është realizuar vendosja e tavanit në “Dhomën e Çiftit”, restaurimi i tavanit tek “Dhoma e Miqve”, drenazhime rreth gjithë perimetrit të objektit, instalimet elektrike, restaurimi i trarëve në tavanin e Çardakut e shumë punë të tjera.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat ka njoftuar për ecurinë e projektit. “Restaurimi i gjithë çatisë së Muzeut, si dhe shumë punime të tjera restauruese, si dritaret e dyert, tashmë janë në proces pune”, ka njoftuar ky institucion i cili me projektin restaurues synon të hape një tjetër kapitull për këtë muze.
Kohët e fundit, sipas statistikave, vizitueshmëria në muzetë e Shqipërisë është rritur ndjeshëm.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka shpërndarë në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, ku grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, prej 2020 deri më 2023-shin, gjë që dëshmon se trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe një nga arsyet është kujdesi i shtuar ndaj siteve arkeologjike e muzeve.