Kulturë

Muzetë e krijuesit mbesin pa ligj, kinematografia me rregulla të vjetra

Prishtinë, 11 mars – Tash dy dekada pas luftës, shteti nuk ka ligj për muze. Përderisa në disa komuna janë themeluar institucione që sipas pushteteve lokale janë muze, Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që të hartojë një ligj që do ta rregullonte këtë fushë. Një i tillë nuk do të bëhet as sivjet. Janë bërë më shumë se një dekadë prej se Ministria e Kulturës Ligjin për muzetë e kishte paraqitur si prioritet. Por ky “prioritet” nuk dihet se kur do të marrë epilog.

Në Pakon legjislative të Qeverisë për këtë vit, që është miratuar më 7 shkurt, Ministria e Kulturës nuk ka paraparë as plotësim-ndryshimin e Ligjit për kinematografi e as hartimin e ligjit për krijuesit e performuesit. Sipas Pakos legjislative, deri në fund të qershorit Ministria e Kulturës duhet të dorëzojë në Qeveri draftet e plotësuara të Ligjit për teatro, atij për filarmoninë, operën dhe baletin dhe atij për trashëgimi kulturore.

Prej se ka nisur puna për Projektligjin për muze, para më shumë se një dekade, Ministria e Kulturës është udhëhequr nga pesë ministra, duke filluar me Valton Beqirin, Lutfi Hazirin, Memli Krasniqin, Kujtim Shalën e deri te ministri aktual Kujtim Gashi. Institucionit më të lartë kulturor në vend i duhet që përsëri të marrë “leje” nga Qeveria e Kosovës për të nisur hartimin e këtij projektligji, për një draft të të cilit gazeta ka raportuar se është gati qysh në shkurt të vitit 2014. Në vitin 2010, hartimi i këtij projektligji ishte përfshirë në strategjinë legjislative të Ministrisë së Kulturës. Ndonëse kishte kaluar në parim në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës të mbajtur në gusht të atij viti, ligji nuk kishte kaluar miratimin në Kuvend.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")