Për shtatë ditë, ajo është duke lëvizur poshtë e lartë brenda hapësirës 20-metërshe për t’i dhënë formë një murali.
Artistja nga Holanda, Judith De Leeuw, ka ardhur për herë të parë në Kosovë, në kuadër të aktivitetit që po organizohet nga festivali "FemArt" dhe “MuralFest”.
Duke u mbështetur në moton e festivalit "Me liri kundër Marres", artistja, përmes këtij murali, ka simbolizuar fuqizimin e gruas, duke e shpërfaqur atë në një pozicion të natyrshëm.
Ky mural do të jetë një ndër pamjet e para në hyrjen e Qendrës së Studentëve, ndërsa studentët, me interesim, kanë përcjellë procesin e punës së artistes.
Kuratori Ardian Ajdini nga “Mural Fest”, thotë se është nxitur veçmas nga lokacioni ku ka zënë vend ky mural. Ai thotë se është shumë e rëndësishme që arti të nxirret nga hapësira e brendshme dhe të shpërfaqet në rrugë ku mund të shihet nga një numër më i madh i njerëzve.
“Mural Fest” do të sjellë edhe gjashtë artistë të njohur në kuadër të edicionit të radhës, ndërsa festivali “FemArt” do të vazhdojë deri në fund të javës.