Kulturë

“Rise and fall” për betejën e përhershme dhe barazinë gjinore

Prishtinë, 13 qershor – Fuqizimi i rolit të gruas ka qenë temë e së mërkurës në ditën e tretë të festivalit “FemArt”. Ne aspekte të ndryshme kjo temë u trajtua në Qendrën e Studentëve e artistikisht atë e shpërfaq edhe murali i artistes holandeze Judith De Leeuv e njohur si “JDL street art”. Leeuv (23) e lindur dhe e rritur në Amsterdam solli në murin e konviktit numër 8 një vajzë e cila bie nga skatebordi, mirëpo prapë mban dorën lart, si një shenjë që pas çdo rënieje pason ngritja.

“Murali titullohet ‘Rise and fall’ . Tregon ciklin që asnjëherë nuk përfundon me gratë që mbizotërojnë dhe bien dhe pastaj ngrihen përsëri. Një histori që asnjëherë nuk përfundon”, ka thënë ajo. Me veprën e saj ka thënë se synon që studentet të cilat kalojnë dhe e shohin këtë mural, të besojnë që mund të bëjnë çdo gjë, edhe nëse ajo është një punë që konsiderohet për burra. Madje edhe vetë artistja është përballur me komente negative nga njerëzit të cilët kanë konsideruar se arti i rrugës s’ka vend, mirëpo ajo e dëshmon të kundërtën me punën e saj.

“Edhe unë si artiste e artit në rrugë kam marrë komente negative të tilla, si: ‘duhet të qëndrosh në kuzhinë’, ‘mos u mundo që ta bësh këtë’, ‘përse ju gratë jeni të tilla’, ‘përse përpiqeni’, ‘Kjo është diçka si futbolli, ju asnjëherë nuk do të jeni të njëjta’ dhe gjëra të tilla. Kjo për mua është qesharake pasi që nëse shikoni faktet ne nuk jemi aspak ndryshe. Jemi po aq të fuqishme, të barabarta dhe kemi po aq aftësi”, ka thënë Leeuv.

Realizimi i muralit u bë në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të muraleve, “MuralFest” të Ferizajt.

Drejtoresha e këtij festivali, Lebibe Topalli, ka thënë se e kanë mirëpritur bashkëpunimin me festivalin “FemArt”, i cili këtë vit realizohet nën moton “Me liri kundër marres”. Vitin e kaluar festivali përmes një murali mbuloi mbishkrime ofenduese për gratë të shkruara në një pjesë të murit te Pallati i Rinisë në Prishtinë.

Në ditën e trete të “FemArtit”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” u mbajt edhe konferenca “#Epathyer – Shfuqizimi i marres”, ku u diskutua për abortin. Në panelin e parë u diskutua për abortet në Kosovë: një analizë e aborteve dhe shëndetit riprodhues nga viti 1999 deri më 2019. Pas kësaj u mundësuan pyetje dhe përgjigje me publikun me gazetaren hulumtuese Leonida Molliqaj dhe hulumtuesen Iliriana Banjska. Konferenca u mbyll me panelin e tretë “Pikëpamjet e Mjekëve / Profesionistëve mbi çështjen e Abortit”.

Sot, në ditën e katërt të festivalit FemArt, me datën 13 qershor, 2019, në ora 10:00 – 14:00, në Fakultetin e Arteve, do të organizohet një punëtori “Krijimi i posterave feminist” me trajneret Blerta Hoçia / Shqipëri dhe Silvia Basso / Itali. Në këtë punëtori përmes një forme të veçantë të dizajnit grafik, do të portretizohen gratë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë botërore.

Në Fakultetin e Arteve, në ora 15:00 – 16:00, do të vazhdohet më pas me një prezantim nga po e njëjta artiste nga Italia, Sivia Basso: “Bisedë me Silvia Basso: “Ilustrimi, Gjuha dhe Inovacioni”.

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në ora 17:30 – 19:00, do të mbahet panel diskutimi “Gratë artiste në vendimmarrje”, me panelistet: Burbuqe Berisha/Ks, Vjosa Berisha/Ks, Dijana Milosevic/Srb, Besa Luzha/Ks, Merita Smaja/Ks, Jehona Shyti/Ks, Ema Andrea /Al.

Dita e katërt e festivalit Femart, do të përfundojë në teatrin ODA, me shfaqjen teatrale nga Japonia “La Grand Cahier”, në ora 20:00 – 21:30.

Festivali “FemArt” do të zgjasë deri më 16 qershor. Gjatë kësaj kohe do të sjellë mbi 30 ngjarje.

Të gjitha aktivitetet janë të hapura për të gjithë dhe hyrjet pa pagesë.

{gallery}