Tentimi i fundit për restaurimin e monumentit midis Prishtinës që njihej si “Shtëpia e Llaziqit”, e më pas “Kafja e Mile Qorrit”, assesi të marrin epilog, ani pse projektet për ta restauruar kanë hyrë në dekadën e dytë, e funksionalizimi është larg. Edhe një tentativë e fundit ka ardhur me telashe, pasi nisi të punohej pa plan detaj. Punimet po bëheshin në bazë të projektit ideor që ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve
Është në prag të rrumbullakimit të një shekulli, por monumenti në pjesën qendrore të Prishtinës nuk ka kurrfarë funksioni. Ngjitur me ndërtesën e Komunës së Prishtinës, i ndërtuar më 1925, objekti që njihet si “Shtëpia e Llaziqit”, më pas “Kafja e Mile Qorrit” – përderisa tash shteti e mbron si shtëpi banimi me pronar Gazmend Abrashin, biznesmeni që e bleu atë vite më parë – mbetet i mbyllur. Disa tentime për ta restauruar e ridestinuar kanë dështuar. E fundit tash së voni, përderisa projekti mbetet në rivlerësim.
Tentimi i radhës për restaurim është ndalur nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Në fundmars, janë ndaluar punimet pasi kishin nisur bazuar në miratimin e një projekti ideor. Sipas vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, në mars të këtij viti zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kishin konstatuar se “ka filluar demolimi dhe thyerja e mureve”. Të njëjtët kishin lajmëruar Inspektoratin se punimet po bëheshin në bazë të projektit ideor që ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Inspektorët do të konstatonin se “ishin duke vazhduar punimet rinovuese brenda hapësirave të shtëpisë, përkundër se nuk kishin projekt kryesor të miratuar nga ana e IKMM-së”. Po atë ditë më 14 mars nëpërmjet një procesverbali ishin ndaluar punimet. Ishte vënë shenjë për ndalimin e punimeve, e cila vazhdon të jetë në ballë të ndërtesës. Por puna nuk ishte ndalur edhe në praktikë. Në ditën e 19-të të marsit inspektorët do të dilnin prapë në vend të ngjarjes.
“Po atë ditë kemi dalë në inspektim ku janë konstatuar prezenca e punëtorëve, zhvillimet e punimeve brenda shtëpisë, konkretisht punimi i shkallëve, ishin lënë të gatshme materialet e tjera ndërtimore për të vazhduar me punime të tjera”, shkruhet në pjesën e arsyetimit të vendimit. Ishte lëshuar edhe një procesverbal ku ndaloheshin punimet.
KOHA ka komunikuar me zyrtarët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, të cilët kanë konfirmuar se projekti është dorëzuar për shqyrtim me disa ndryshime dhe pritet që këto ditë të shqyrtohet. Ndërsa, Gazmend Abrashi, që figuron si pronar i monumentit në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, nuk është prononcuar. Historia e kësaj ndërtese është e vjetër.
Në vitin 2015, Ministria e Kulturës kishte lëshuar vendim nëpërmjet të cilit i jepej pëlqim pronarit që të rrënojë ndërtesën për ta ndërtuar atë në formën e njëjtë siç është. Por pak muaj më pas, MKRS-ja i kishte rënë pishman. Asokohe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, me rekomandim të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, ishte tërhequr nga vendimi që kishte nënshkruar vetë në gushtin e 2015-s. E kishte revokuar atë në qershor të 2016-s. Sipas QRTK-së, rindërtimi nuk bëhej me material të njëjtë.
Pronari i shtëpisë, biznesmeni Gazmend Abrashi, asokohe kishte shpjeguar gjithë procedurën deri te miratimi i projektit, por nuk e kishte komentuar shfuqizimin e vendimit. Ka thënë se përderisa ishte në përfundim të procedurave administrative në Komunën e Prishtinës për marrjen e lejes ndërtimore, ishte njoftuar se ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Shala, e ka shpallur të pavlefshëm vendimin për rikonstruktimin e objektit.
Abrashi kishte sqaruar se duke qenë i vetëdijshëm që “Shtëpia e Llaziqit” është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme është munduar ta ruajë prej kohës qëkur është pronar i saj.
“Për këto arsye e kam blerë shtëpinë, si ithtar dhe fanatik i trashëgimisë kulturore. Për më shumë, në vitin 2008 kam paraqitur projektin për rinovim të saj, i cili projekt ka kaluar dhe është miratuar nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës së Prishtinës me vendimin nr. 05-350-3284, për rinovim të shtëpisë, dhe vendimit të datës 01.09.2008, të Institutit të Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, ku është lejuar rinovimi i kësaj shtëpie”, kishte thënë Abrashi.
Sipas tij, të gjitha punimet janë realizuar me kujdesin maksimal sipas udhëzimeve dhe mbikëqyrjes nga Instituti, duke investuar mjete të konsiderueshme financiare për ta kthyer shtëpinë në formë më të mirë dhe më stabile.
“Por këto investime kanë rezultuar të kota dhe jo të qëndrueshme për arsye të vjetërsisë dhe stabilitetit të dobët të shtëpisë. Meqenëse shtëpia ishte në gjendje jo të mirë dhe të rrezikshme për shfrytëzim, si dhe bazuar në raportin e QRTK-së në Prishtinë, ku konstatohet se gjendja fizike e ndërtesës është në shkallë të lartë të dëmtimit nga faktorët e jashtëm natyrorë, për t’iu shmangur vlerësimeve ad-hoc dhe joprofesionale, kam angazhuar një kompani profesionale për ta vlerësuar stabilitetin e objektit”, kishte thënë Abrashi. Sipas tij, raporti fatkeqësisht konkludon se ndërtesa si e tillë nuk i plotëson kushtet e stabilitetit për shfrytëzim dhe se paraqet rrezik potencial për jetën e njeriut dhe të mirat ekonomike. Ka thënë se me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe ruajtjes së memories së qendrës së Prishtinës, ka parashtruar kërkesën për rikonstruktimin e objektit.
“Që do të thotë ndërtimin e ri të objektit në bazë të gjendjes ekzistuese, duke ruajtur të gjitha elementet e objektit që paraqesin vlera. Meqenëse sipas ekspertëve, vlerat e këtij monumenti gjenden vetëm në pjesën ballore, dhe bazuar në rastet e trajtuara më herët ku është përdorur metoda e rekonstruktimit dhe mundësia e interpolimit, ne kemi përpiluar projektin me të cilin këto vlera do të ruhen në përpikëri, ndërsa në anën veriperëndimore kemi paraparë të kemi interpolim, në pjesën ku edhe kemi bodrumin ekzistues. Ky projekt është miratuar nga Komisioni për shqyrtimin e projekteve konservuese dhe restauruese”, kishte thënë Abrashi. Kishte thënë: “si ithtar i trashëgimisë kulturore, me përgjegjësi të plotë garanton që do të respektojë me përpikëri çfarëdo vendimi që do të vijë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”.
Objekti në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme figuron si “Shtëpi banimi (Gazmend Abrashi) dhe mban numër rendor 608, përderisa ka numër unik në databazë 3512. Objektin prishtinasit e njohin si “Kafja e Mile Qorrit”. Përgjatë viteve ‘90, ky objekt është njohur si strehë e nacionalistëve serbë. Pas luftës objekti kishte funksionuar si restorant e çajtore. Gjurmët e “Caffe grill Prishtina” shihen ende në katin përdhes të objektit, që në këtë pjesë ka ngjyrë të kuqe të ndezur që i është vënë në këtë kohë. E në katin e dytë objekti ruan ende detaje të kohës kur është ndërtuar. Dy figura në formë të skulpturave i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës në kulm të objektit.
Në shkurt të vitit 2012 gazeta kishte raportuar se Komuna e Prishtinës e kishte lënë pezull statusin e këtij objekti, duke mos i dhënë përgjigje pronarit për kërkesën e tij për restaurim. Asokohe, objekti nuk ishte në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, por ishte në një listë të vitit 1994.