Kulturë

Monumenti më i vjetër i Tiranës, atraksion për turistët

Tiranë, 24 gusht – Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës në Sektorin e Tiranës, ditën e sotme janë marrë me pastrimin nga vegjetacioni dhe mirëmbajtjen e Mozaikut të Tiranës,për ta bërë një atraksion turistik të denjë për këtë sezon turistik.

Punonjësit po kryejnë një punë sistematike e cila kryhet periodikisht për mirëmbajtjen dhe kujdesin e veçantë për objektet të cilat ndodhen aty pasi kanë një vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qëndrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absiden gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llac gëlqere dhe pluhur tjegullash. Mozaiku i Tiranës është restauruar në vitin 1976.

{gallery}