Mozaiku i Tiranës shpejtë pritet të inaugurohet si një prej pikave të reja ku vizitorët e kryesytetit shqiptar mund të shohin një copëz lashtësie të kësaj qendre. Për këtë synim është duke u punuar vazhdimisht pasi mozaiku ka dal në pah krejtësisht.
“Ky është Mozaiku i Tiranës që shumë shpejt do të kthehet në një nga destinacionet më të vizituara të kryeqytetit, ku do të zbulohen copëza të historisë, përmes mozaikëve të rrallë të antikitetit”, ka njoftuar kryeministri Edi Rama derisa ka publikuar disa fotografi të projektit se si do të duket në të ardhmen.
Ndryshe, siti arkeologjik – i njohur konvencionalisht si “Mozaiku i Tiranës” – doli në dritë më 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani”, në lagjen nr. 9 të Tiranës.
Gjatë gërmimeve në ato që u identifikuan si mbijetojat e një ndërtese antike, arkeologët e kohës zbuluan se mjediset ishin të shtruara me mozaikë, por edhe u konstatuan gjurmët e një bazilike paleokristiane.
Sipas informacioneve të afishuara në faqen e Institutit të Monumenteve të Kulturës, pjesët e mureve, fragmentet e tullave, copëzat e enëve qeramike dhe mozaiku datojnë nga shekulli i parë i erës sonë, si një banesë e tipit rural (“vila rustica”).
Po sipas arkeologëve, dy shekuj më vonë, vendbanimi në fjalë u “zëvendësua” prej një kompleksi ndërtesash me funksione banimi dhe prodhimi. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u mor nën mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në vitin 1973.
Gjatë viteve 2003-2004, punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.
Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme.
Në ambientet e “Mozaikut të Tiranës” është vendosur edhe administrata e “Sektorit të Tiranës”, në varësi të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare - Durrës, që merret me përkujdesjen dhe monitorimin e monumenteve të kulturës në territorin e Qarkut të Tiranës.
Mozaiku u rihap për publikun në janar 2010. Vendndodhja e tij është pranë “Sheshit Zogu i Zi” dhe vetëm pak minuta larg nga aty përbri rrugës “Sandër Prosi”.