Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mjeshtri shqiptar i violinave

Krijimi i violinave kërkon mjeshtri dhe shumë kohë. Artizanët ende krijojnë me dorë instrumentet me tela. Në Shqipëri, gjenerata e re po mban gjallë traditën. Erli Gurra është njëri prej tyre. Zanatin e mori në shkollën e famshme në botë për prodhimin e violinave, atë që mban vulën e Antonio Stradivarit (1644 - 1737) në Kremona të Italisë

Nga një copë druri deri tek instrumenti i plotë. Kjo është puna e Erli Gurrës, të cilit i duhet së paku një muaj për të bërë gati një violinë apo violë. Ndërkaq, për një violonçel i duhen fiks gjashtë muaj.

Ai është njëri nga dy mjeshtrit që nga Shqipëria po ndreqin violina për tregun ndërkombëtar.

Image
Pasi punoi për disa vjet në Kremona, ku mori zanatin te mjeshtrit më të mëdhenj në botë, Gurra u kthye në vendlindje dhe hapi punëtorinë e tij

“Shkollën për prodhimin e violinave e kreva në Kremona të Italisë. Është shkolla më e famshme në botë për prodhimin e violinave. Quhet ‘Antonio Stradivari’, sipas krijuesit të violinave. Për mua ishte pak e lehtë të ndiqja këtë pasion, sepse babanë e kisha restaurues dhe akordues pianosh, prandaj u rrita midis shumë instrumentesh muzikore. Ishte e lehtë të bija në dashuri me violinën”, thotë Gurra.

Për gati 500 vjet, Kremona – një qytet i vogël në veri të Italisë – ka qenë qendër e botës për instrumentet me tela.

Qëkur Andrea Amati krijoi violinën e parë në mesin e viteve 1500, qyteti kurrë nuk ka lëshuar nga dora bajrakun në këtë fushë.

Edhe Gjenerata e re e frymorëve gjen harmoninë me mjeshtrin italian Kulturë 7 muaj më parë Gjenerata e re e frymorëve gjen harmoninë me mjeshtrin italian

Janë më shumë se 140 punëtori në Kremona, të cilat dizajnojnë dhe krijojnë instrumente.

Image
Violinat e Gurrës kanë vlerën e 8 mijë eurove, ndërkaq violonçelat kushtojnë 16 mijë euro

Gurra ishte me fat që mori mësim me njërin prej emrave më të famshëm të fushës. Pasi punoi për disa vjet në Kremona, ai u kthye në vendlindje dhe hapi punëtorinë e tij në Tiranë.

“Është pak e vështirë për ta sqaruar, sepse procesi i krijimit të një instrumenti ka gjithçka që ndiej në lidhje me tingullin dhe se si e mendoj atë te violina. Mirëpo, në të njëjtën kohë, është punë e vështirë sepse dëgjoj drurin gjatë gjithë kohës. Ndiej dridhjet dhe akustikën. Kjo më ndihmon të vazhdoj punën ose të ndalem dhe se si të krijoj një pjesë të violinës. Mendoj se është një kohezion mes asaj se çfarë ndiej dhe çfarë shpreh druri tek unë”, thotë Gurra.

Krejt lënda e parë e drurit të bredhit që ai përdor vjen nga Bosnja dhe Alpet italiane.

Për t’i shitur instrumentet, Gurra shpesh udhëton në Kinë, tregun më të madh të instrumenteve, por edhe nëpër Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe Mozarti në 300 statuja të arta për një takim me “njeriun e zakonshëm” Kulturë 1 d. më parë Mozarti në 300 statuja të arta për një takim me “njeriun e zakonshëm”

Violinat e tij kanë vlerën e 8 mijë eurove, ndërkaq violonçelat kushtojnë 16 mijë euro.

Gurra u ka shitur instrumentet e tij muzikantëve dhe tregtarëve nga e gjithë bota. Nuk përmend emra. Vetëm thotë se ka shitur instrumente në Itali, Britani, Francë, SHBA, Kinë, Japoni dhe Argjentinë.

Gëzim Bulçari, violinist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, thotë se Gurra përkujdeset për violinën e tij, e cila duhet të mirëmbahet çdo pesë apo gjashtë vjet.

“Erli është një liutaio (mjeshtër violinash në italisht) që kemi ne këtu, jo i vetmi, jo i vetmi, kemi disa. Unë faktikisht violinën time e kam rregulluar të Erli. Bashkëpunimi i fundit me Erlin ka qenë jashtë mase i mirë. Unë jam shumë i kënaqur me tingullin, me instrumentin. Besoj do të bashkëpunoj akoma”, thotë Bulçari.

Edhe Varri unik i zbuluar në Rumani, hap një kapitull pesë mijë vjet të vjetër Kulturë 1 muaj më parë Varri unik i zbuluar në Rumani, hap një kapitull pesë mijë vjet të vjetër

Puna kërkon shumë përkushtim dhe një mjeshtër i përpiktë krijon pak violina në vit.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Gent Mehmeti