Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka miratuar Projekt-rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Ministri Gashi tha se “Objektivat kryesore të kësaj Projekt-rregulloreje janë organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në harmoni të plotë me Ligjin për Administratën Shtetërore të Kosovës.
Po ashtu, ministri Gashi tha se “miratimi i kësaj Rregulloreje do të sjellë qartësi të një niveli më të lartë, dhe do të ndikojë edhe në performancën e stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, pasi që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e strukturës organizative. Dispozitat e kësaj Rregulloreje janë në përputhje me dispozitat e legjislacionit të BE si dhe me prioritetet e Qeverisë së Kosovës”.
Kjo Rregullore ka kosto buxhetore, mirëpo nuk krijon obligime buxhetore shtesë, pasi që mjetet financiare do te ndahen nga linja për paga dhe mëditje e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Po ashtu nuk ka nevojë për krijim të mekanizmave shtesë, sepse mekanizmat për zbatimin e saj tanimë janë funksionale. Duke marrë parasysh këto, ministri Gashi kërkoi nga anëtarët e Qevrisë aprovimin e Rregullores.