Përvjetori i 77-të i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është shënuar me nënshkrimin e memorandumit për krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë, ndarjen e çmimit “Pjetër Bogdani”, shënimin e Ditës kombëtare për vetëdijesimin për biblioteka dhe me hapjen e ekspozitës “Kosova My home” me librat e punuar gjatë projektit “Biblioteka në shërbim të komunitetit”
Kur nisi punën në Prizren, kishte vetëm një koleksion të vogël librash, tani biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” posedon mbi 2 milionë njësi bibliotekare në fondin e saj. Këta 77 vjet punë ishin plot me sfida të ndryshme me mision të njëjtë: ruajtjen dhe mbledhjen e dorëshkrimeve dhe materialeve të shtypura e me rëndësi për kulturën dhe trashëgiminë e vendit, si dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për vizitorët. Prandaj të enjten, shënimi i përvjetorit ishte si festë për arritjet dhe zotim për realizim të projekteve me rëndësi në të ardhmen.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ishte ai që shpalosi aktivitetet për këtë përvjetor e që nisi me nënshkrimin e memorandumit për krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë, vazhdoi me ndarjen e Çmimit “Pjetër Bogdani” për profesorin amerikan Robert Montoya, u ndal edhe te shënimi i Ditës kombëtare për vetëdijesimin për biblioteka dhe u përmbyll me hapjen e ekspozitës “Kosova My home” me librat e punuar gjatë projektit: “Biblioteka në shërbim të komunitetit”.
“Realizimi i projekteve është bërë me përkushtimin e punëtorëve të Bibliotekës, të secilit prej tyre, të drejtuesve të projekteve të cilët dua t’i falënderoj për përkushtimin dhe mundin që kanë dhënë në këtë kohë pasigurie shëndetësore”, ka thënë ai.
Akti i nënshkrimit zyrtar të memorandumit për bashkëpunim në lidhje me krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë u bë ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se misioni i Bibliotekës si institucion është sigurimi i qasjes së lirë dhe të hapur në burime të shkruara dhe të shtypura për njerëzit e të gjitha moshave dhe të gjitha përkatësive. Ka shtuar se synimi i kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit është të sigurojë futjen e bibliotekave të Kosovës në një platformë të përbashkët të shërbimeve bibliotekare, ku studiuesit dhe shkollarët do të mund të njihen me materialet që ato ofrojnë.
“Si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim përkushtimin dhe gatishmërinë tonë për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimin ndërinstitucional si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, që të sigurohet dhe zbatohet ky projekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fushës së bibliotekarisë në Kosovë”, ka thënë ajo.
E ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se do të sigurohet që të implementohet çdo gjë e shkruar në këtë marrëveshje bashkëpunimi.
“Dua të garantoj se si ministre e Arsimit, natyrisht në kuadër të misionit, por edhe përtej kësaj, në kudër të pasionit tonë, do të punojmë shumë për të motivuar kulturën e leximit dhe për të shfrytëzuar këtë bibliotekë dhe bibliotekat e tjera në vend”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, ministri i Administrimit të Pushteti lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se do të punojnë që bibliotekat të jenë një hapësirë ku të gjithë janë të mirëseardhur.
Në anën tjetër, profesoresha Sharon Yang, e cila mori titullin doktore për shkenca bibliotekare nga Universiteti i Kolumbisë, ka thënë se përmes këtij rrjeti, bibliotekat do të punojnë së bashku për të qenë më afër atyre që kanë nevojë për shërbimet e tyre, por gjithashtu do ta kenë më të lehtë ruajtjen e trashëgimisë së Kosovës.
“Bibliotekat do të arrijnë të krijojnë një katalog të përbashkët dhe për mua është nder i madh që kam marrë përsipër që të punoj me ekipet e bibliotekave duke shikuar sistemin e çdo biblioteke dhe duke biseduar me udhëheqësit e tyre”, ka thënë ajo. Ka shtuar se bibliotekat në Kosovë janë duke bërë një hap gjigant drejt vlerave evropiane dhe mënyrave moderne sesi bibliotekat funksionojnë në vendet e zhvilluara.
Në anën tjetër, ishte Feim Hoxha, anëtar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, që bëri të ditur fituesin e Çmimit “Pjetër Bogdani”.
Robert Montoya, është profesor i Shkencës së Bibliotekarisë dhe Informacionit në Universitetin Indiana Bloomington. Në vitin 2018, ai ishte mysafir special i Javës së Bibliotekës në Kosovë dhe promovoi programin për arsimim bibliotekar, duke prezantuar kurset e detajuara të programeve të aftësimit në fushën e bibliotekarisë dhe si ato paraqiten në kurrikula. Ky program, i pari i këtij lloji, u bë një burim mësimi për studentët dhe bibliotekarët e Kosovës.
Ai ka thënë se cilado që të jetë e ardhmja e Bibliotekës Kombëtare, ai është i sigurt se ajo do të vazhdojë të ketë një rol me rëndësi për vendin dhe arsimin.
“Libraritë në shumë mënyra janë përbërësit kryesorë të prodhimit të dijes intelektuale të vendit. Ato mbështesin edukimin në atë mënyrë që po të mos kishin ekzistuar universitetet dhe shkollat do të kishin dështuar për të bartur të dhënat te njerëzit. Pra, është e rëndësishme që të theksohet se sistemi ynë edukues do të ishte shkallmuar pa libraritë. Prandaj, është e rëndësishme për ne që të reflektojmë mbi këtë”, ka thënë ai, duke shtuar se bashkëpunimi me BKK-në ka qenë një ndër më të dashurat për të.
Ka shtuar se gjatë pesë vjetëve punë në Kosovë ka vizituar biblioteka të ndryshme në vend, dhe se ai beson që bibliotekat janë një nga institucionet më të rëndësishme që njerëzit kanë arritur të themelojnë.
Për prorektorin e Universitetit të Prishtinës, Eltor Beqiri, përvjetori i 77-të i Bibliotekës Kombëtare dhe shënimi i 5-vjetorit të Ditës kombëtare për vetëdijesimin për biblioteka, janë ftesë për kujdes ndaj dijes, ngritje të cilësisë së bibliotekave, si dhe modernizim të tyre.
“Duhet t’ua kujtojmë vetes dhe të tjerëve se të ruash traditën e shkruar dhe me kujdes ta përcjellësh gjeneratë pas gjenerate, është sfidë dhe kënaqësi në të njëjtën kohë. Çdo njësi bibliotekare bart më vete vlerën dhe vulën e dëshmisë të një jetese, të një njohjeje, të një koncepti të shqyrtuar me hollësi, të një vlere të respektuar nga shoqëria. Andaj, me shumë respekt për bibliotekën si institucion, por edhe për vetë konceptin e Bibliotekës në tërësi ju bëj thirrje për lexim, respekt dhe dashuri të librit dhe ndaj librit”, ka thënë ai.
Në ceremoninë e 77-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, siç është traditë, u dha çmimi për punëtorin e dalluar, i cili çmim, këtë vit, iu dha Albana Morinës. E me mirënjohje për mbulimin e aktiviteteve të BKK-së, u nderua gazetari i Televizionit Publik, Gjergj Filipaj.