E lindur në një familje që e donte muzikën, Miranda Hashani qysh si fëmijë e nuhati pasionin për muzikën. Këngëtarja e njohur iu është kthyer kujtimeve në emisionin “Pro X” të KTV-së.
Ajo deri në vitin 1992 ka qenë pjesë e shoqërisë kulturore artistike “Emin Duraku”, ku arriti ta shpalosë talentin e saj për këndimin, ku prej aty vazhdoi për në Tiranë, ku ka incizuar dy këngët e saj të para.
Historia e saj drejt këngës për të ka qenë një histori e refuzimit për t’u bërë pjesë e shkollës së muzikës në Maqedoninë e Veriut. Hashani në emisonin “Pro X”, përveç rrugëtimi të saj artistik, ka treguar edhe shumë momente nga jeta e saj personale mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës dhe Gjermanisë.
Ajo ka rrëfyer për martesën e saj dhe për emocionin që ia fali lindja e djalit pas 12 vjetësh martesë.
Këngëtarja e njohur Miranda Hashani shkollimin e mesëm e kishte përfunduar për mjekësi, kur edhe filloi angazhimet për muzikë. Edhe pse një jetë me muzikën, Hashani studimet i ka përfunduar për Dizajn Grafik në Fakultetin e Arteve Figurative në Tetovë. Kënga të cilën e ka përqafuar më së shumti publiku është kënga “Mos më lini vetë”. Miranda Hashani e sjell interpretimin e saj në “PRO X” dhe tregon historinë prapa kësaj këngë.
“Nuk ka vend ku jam dhe ku nuk e këndoj mbi dy-tri herë. Për këtë këngë u falënderohem shumë Gilit dhe Ilirit, sepse Iliri ma ka kompozuar këtë këngë dhe faktikisht ma ka dhuruar mua pas një shoqërie shumë të gjatë. Kënga u bë një hit i vërtetë dhe sot akoma jeton në skenë”, ka thënë Hashani.