“Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë”, ka thënë të mërkurën në konferencë për media, teksa për debatin që pezulloi restaurimin e monumentit ka thënë se “e ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”. Por shteti nuk ka ndonjë afat se kur do të nisë puna
Qeveria është e vendosur për restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Nuk do të heqë dorë nga investimi në një prej monumenteve më reprezentative, jo veç në Mitrovicë. Por shteti nuk ka ndonjë afat se kur do të nisë puna.
Në një konferencë për media të mërkurën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është munduar t’i japë përgjigje krejt “mjegullës” së ngritur shkaku i ish-pronarit të monumentit që gjendet në qendër të Mitrovicës. Ai ka thënë se shteti i Kosovës ka për synim që të ruajë vlerat e arkitekturës së Shtëpisë së ndërtuar më 1930. Ka bërë të ditur se nëpërmjet këtij projekti assesi nuk synohet rehabilitimi i figurës së Xhafer Devës. UNDP-ja dhe BE-ja si partnerë në këtë projekt kanë pezulluar punën, siç kanë bërë të ditur, për të konsultuar të gjitha palët. E sipas Qeverisë së Kosovës krejt diskutimi e ka burimin në Serbi.
“Debati i ditëve të fundit ka origjinën në Serbi dhe është shumë e qartë”, ka thënë Çeku. Me këtë i është referuar thirrjeve të ministres së Kulturës dhe Informacionit në Serbi, Maja Gojkoviq. Ajo në fillim të javës ka bërë thirrje që të ndalet projekti shkaku i figurës së Xhafer Devës.
“Paradoksalisht një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Është narracion i gënjeshtërt që vjen nga Serbia sepse faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht s’janë në anën e Serbisë”, ka thënë Çeku. Këtë e ka përsëritur disa herë. Sipas tij, edhe faktet aktuale jo vetëm ato historike e përgënjeshtrojnë këtë narracion absurd dhe të rrezikshëm të Serbisë. Ka thënë se monumenti i mbrojtur, që në listën e trashëgimisë kulturore, formalisht figuron me emrin Shtëpia e Xhafer Devës, është monument me pronësi publike. Ka shpjeguar se përgjatë historisë së saj, ka pasur funksione të shumta publike, përfshirë shtëpinë e shëndetit apo funksione të tjera.
“Ka vlera të mëdha estetike, arkitektonike, shoqërore, edukative e të tjera. Ka tipologji të veçantë të ndërtimit kur arkitektura nisi të marrë tiparet e arkitekturës moderne evropiane”, ka thënë ai. Shtëpia është ndërtuar më 1930 dhe Xhafer Deva nuk ka jetuar asnjëherë në të. Prej pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa është pronë e shtetit.
Ministri Çeku ka thënë se ndërtesa është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe është në gjendje të keqe. Ka përmendur edhe dëmet që i janë shkaktuar nga zjarri.
Ish-pronari i Shtëpisë, Xhafer Deva, qe ministër i Brendshëm i Shqipërisë prej vitit 1943 deri më 1944 në kuadër të Këshillit të Regjencës. Deva është figurë polarizuese e historiografisë. I takoi Qeverisë që për disa historianë synonte një Shqipëri të Madhe, e për disa të tjerë ishte bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Por Shtëpia, ish-pronar i së cilës qe Xhafer Deva, mbrohet me ligj si trashëgimi arkitekturore.
“Pra nuk po bëjmë asgjë veçse po e restaurojmë një monument, po e mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe nuk po e rehabilitojmë as historinë e Xhafer Devës e as të ndonjë figure tjetër”, ka thënë Çeku. Ka përmendur faktin se synimet janë që pas restaurimit, Shtëpia të jetë seli e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë dhe qendër kulturore.
“Por dhuna ndaj monumentit, arkitekturës, është në kundërshtim të plotë me konventat ndërkombëtare dhe praktikat evropiane të mbrojtjes së trashëgimisë. E ndër këto praktika është ajo e shtetit tonë mik, Gjermanisë. Jemi të interesuar t’i respektojmë konventat ndërkombëtare dhe praktikat e mira të shteteve evropiane dhe të tjera”, ka thënë ministri Çeku.
Reagimet kishin marrë flakë kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Ministri Çeku të martën ka pasuar një takim me ambasadorin gjerman. I pyetur për këtë ka thënë se ka sqaruar synimet e Qeverisë. Nuk ka dhënë përgjigje nëse diplomati gjerman ka ndërruar qasje.
Qeveria synon që të vazhdohet projekti së bashku me partnerët UNDP dhe BE. Që të dyja të martën kanë pezulluar punën për këtë projekt.
“UNDP së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në lokacion. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe po e rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë mundësinë e shfrytëzimit të polemikës aktuale si mundësi për të shqyrtuar haptazi të kaluarën përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet përkatëse”, shkruhet në deklaratën e UNDP-së dhe BE-së.
Ministri Çeku nuk ka treguar se sa do të priten UNDP-ja dhe BE-ja. Por për një gjë e ka thënë qartë.
“Gjithkush mund të heqë dorë, por ne si Ministri s’mund të heqim dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore sepse s’e kemi këtë të drejtë”, ka thënë ai prerazi.
Kësisoj edhe është këshilluar publikisht nga ekspertë ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore.
“Restaurimi duhet të vazhdojë”, ka thënë të martën Nora Weller, ligjëruese në Universitetin e Cambridges. Ajo i ka cilësuar si të pabaza aludimet e ambasadorit të Gjermanisë dhe ato të të tjerëve. “Gjithë ky debat nëse duhet apo jo të restaurohet, ka devijuar nga çështja kryesore që është trashëgimia kulturore në Kosovë, meriton të mbrohet dhe konservohet”, kishte thënë ajo për KOHË-n.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015, Shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018 ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.
MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro. Krejt projekti i ri financiarisht peshon 300 mijë euro. Barra më e madhe financiare është e Ministrisë së Kulturës.