Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, kanë pritur në takim sot, 15 maj, komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Presidenca njoftoi se në takim u bisedua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për reformat që duhet të çohen përpara. Haxhiu ka theksuar rëndësinë që procesi i zgjerimit të jetë i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ajo, më tej ka thënë se Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian.

“Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, në interes të qytetarëve tanë dhe të një Evrope më të plotë, më të sigurt dhe më demokratike”, ka thënë Haxhiu.

Vizita e së premtes në Kosovë është e para për komisioneren për zgjerim në BE, që kur ka marrë detyrën në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

Kos pati planifikuar vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të dekretit të nxjerrë nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Foto: Driton Paçarada

Kos thotë se dialogu me Serbinë është kyç në rrugën drejt BE-së, bën thirrje për institucione të qëndrueshme

3 j. më parë / 15 maj 2026 12:27 Nga: Marigona Brahimi
Marta Kos

Marta Kos

Photo: Driton Paçarada

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Marta Kos, e ka lidhur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me  suksesin që Kosova mund të ketë në dialogun me Serbinë dhe në zbatimin e reformave. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për stabilitet institucional.

“Ne nuk punojmë me data, por i rëndësishëm është edhe përparimi dhe rruga që ndiqet. Sa më e suksesshme të jetë Kosova në zbatimin e reformave dhe sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë–Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të mund t’i fillojmë negociatat, negociatat e vërteta. Pra, kjo është pjesa politike”, ka theksuar Kos në konferencën për media pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. 

Ajo ka thënë se përtej aspektit politik, është gjithashtu e rëndësishme që Kosova të angazhohet edhe me shtetet anëtare.

“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka një pjesë të negociatave teknike, ndërsa pjesa tjetër lidhet me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë. Prandaj nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa u lodhur për qëllimin që ta afroj Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos. 

Ajo ka theksuar gjithashtu se për rrugën përpara është i rëndësishëm stabiliteti institucional. 

“Prandaj, një nga detyrat e mia më të mëdha është të kujdesem për një integrim shumë më të fuqishëm të Kosovës në Bashkimin Evropian. Thirrja ime shumë e qartë gjatë kësaj vizite është gjithashtu që t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer stabilitetin institucional”, ka deklaruar Kos. 

E pyetur nëse Kosova rrezikon t’i humbasë fondet në rast se nuk krijohen institucionet deri në qershor për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, Kos ka thënë se pagesat varen nga përmbushja e detyrimeve nga ana e Kosovës.

“Pra, ky Plan i Rritjes bazohet në një instrument të veçantë financiar me disa rregulla. Dhe rregullat janë që, nëse vendi juaj, Kosova, i zbaton detyrimet, atëherë mund t’i merrni pagesat. Jam shumë e lumtur që gjatë kësaj periudhe zgjedhore dhe periudhës së përkohshme, parlamenti juaj ka qenë në gjendje t’i ratifikojë dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat sërish e kanë bërë të mundur pagesën e parë, prej më shumë se 60 milionë eurosh”, ka theksuar Kos.

Ajo ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shtyhet përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë dhe e ka vlerësuar si kyç rolin e Kosovës në këtë aspekt. 

“Ky proces i anëtarësimit është shtyrë përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, arsye pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me kujdesin për sigurinë në Evropë, me të qenit bashkë, me bashkëpunimin rajonal që e përmendët edhe ju, dhe sigurisht edhe përmes integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos.

Ndërkohë për anëtarësimin e Serbisë në BE, Kos ka theksuar se moszotimi i saj sa i përket sulmit terrorist në Banjskë nuk është mirë të kalojë si i tillë.

“Sa i përket Serbisë dhe anashkalimet që janë bërë në të kaluarën është një pjesë e rëndësishme në mënyrën se si Serbia do ta trasojë rrugën e vet, do të thotë përkushtimi i saj për Banjskën dhe moszotimi i tyre nuk është mirë që të kaloj i tillë”, ka theksuar ajo.
 

Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE

3 j. më parë / 15 maj 2026 12:06 Nga: Marigona Brahimi
kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova ndan vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. 

Pas takimit me komisioneren e BE-së për Zgjerim Marta Kos, Kurti ka theksuar se gjetja e unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Ai ka shtuar se mungesa e funksionimit të Kuvendit ka shkaktuar vonesa në reforma, e se tash “po rrezikohen edhe për afatin e qershorit”. 

Kurti ka thënë tutje se me komisioneren Kos është ngritur edhe çështja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave. 

“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë, i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian, duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90 për qind në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë, por kërkohet unitet në angazhim”, ka thënë ai në konferencë për media. 
Kurti ka deklaruar se Kosova ka bërë progres në shtylla themelore dhe se kjo meriton njohje nga Bashkimi Evropian në kontekst të zgjerimit. 

“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor”.

“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësia e gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”.

Kurti tutje shtoi se me komisioneres u fol edhe për bashkëpunimin rajonal. Përmendi se Bosnja e Hercegovina ende nuk i ka hequr vizat për Kosovës, e se Serbia po e mban të bllokuar marrëveshjen për njohjen e diplomave. 

“Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit. Në Banjskë me 24 shtator 2019 dhe në kanalin Iber-Lepenc në infrastrukturë kritike me 2024, që të dyja këto të financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie, rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të jetë bashkëpunues, kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”. 

Kurti ka kërkuar që të zbatohen tri masa mirëbesimi nga Serbia në mënyrë që të vazhdojë dialogu. Ai ka kërkuar dorëzimin nga Serbia të kriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiqit për mosnjohje të integritetit territorial të Kosovës, dhe zbatimin e marrëveshjeve. 

“Ne jemi për të drejtat e pakicave, ne jemi për të drejtat e njeriut, sepse këto janë thelbësore për demokracinë, por në anën tjetër kërkojmë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian që të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut edhe në Serbi të respektohen në mënyrë që të kemi përafërsisht një lloj simetrie në të dyja anët”.